2018-03-23 13:10:00

Imzot Gallagher: Kisha në Kinë jep fryte, duke e respektuar identitetin


Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Kishës Katolike kanë kaluar faza të ndryshme, duke alternuar çastet e bashkëpunimit të frytshëm me keqkuptime e kundërvënie të mëdha. Kështu deklaroi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher, në një konferencë në Universitetin Gregorian. Prelati vuri në dukje vuajtjet e bashkësisë katolike, sidomos në periudha të caktuara, kur qeveria e Pekinit bën më tepër presion për të marrë pjesë në Kishën e pranuar prej saj, duke persekutuar Kishën e katakombeve. “Megjithatë – vijoi imzot Gallagher – duke shqyrtuar me kujdes çështjet, metoda, që në të kaluarën ka bërë të mundur takimin e frytshëm ndërmjet ‘botës së krishterë’ e ‘botës kineze’, ka qenë inkulturimi i fesë përmes përvojës konkrete të njohjes, të kulturës artistike dhe të miqësisë me popullin kinez”.

Ndërhyrja e kardinalit Tong

         Gjatë punimeve në Gregoriana, foli edhe kardinali kinez John Tong Hon, i cili nënvizoi rëndësinë e dialogut. “Bashkësia e krishterë dhe shoqëria kineze – pohoi ai – janë, aktualisht, dy bashkësitë më të mëdha të botës, secila me kulturën e vet të thellë dhe me traditën e vet historike”. Nëse secila bën një hap përpara dhe afrohet me tjetrën, “kontribuon në pasurimin e ndërsjelltë dhe në bashkëjetesën paqësore”.

Roli i jezuitëve në Kinë

         Rektori i Gregorianës, atë Nuno da Silva Gonçalves, kujtoi jezuitët që, gjatë historisë, i kanë dhënë shtysë vendimtare takimit ndërmjet krishterimit dhe popullit kinez: atë Alessandro Valignano dhe atë Matteo Ricci. “Përvoja e pasur e së kaluarës – përfundoi – është akoma frymëzim për Kishën Katolike sot”.








All the contents on this site are copyrighted ©.