2018-03-23 11:48:00

Imzot Fisichella: kjo është papnia e ungjillëzimit të ri


Impenjimi i Papës Françesku për ungjillëzimin e ri, në qendër të intervistës së kryeipeshkvit Rino Fisichella me Vatican News. Kryetari i dikasterit përkatës të Vatikanit ndalet edhe në temën e mëshirës e në rolin e shenjtëroreve, mbarështimi i të cila i është besuar Këshillit Papnor që drejton, nga vetë Papa, një vit më parë. Intervista jonë me imzot Fisichella-n bën pjesë në një seri, e cila synon të propozojë reflektime mbi reformën e Kuries Romake dhe mbi jetën e dikastereve vatikanase. Intervista e parë, me prefektin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, është transmetuar më 10 marsin e kaluar. Por tani, t’ia japim fjalën imzot Fisichella-s, i cili nis me përshkrimin e ditës tipike në Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri:

         Është jashtëzakonisht dinamike, sepse qysh në mëngjes herët fillojmë të shohim dosjet, postën… E sidomos të presim: ne presim shumë grupe nga dioqezat, presim ipeshkvijtë, që vijnë në vizitë ad Limina. Presim grupe seminaristësh, të rinjsh: të gjitha ato realitete, nga lëvizjet tek shoqatat, që çdo ditë, merren me ungjillëzimin. E që prej një viti, presim edhe grupet, që merren me jetën e shenjtëroreve. Kemi takuar, për shembull, të gjitha delegacionet e shenjtëroreve të Italisë, të Francës, në gusht do të jem në Kanada, në shtator do të shkojmë në Amerikën Latine… Papa Françesku dëshiron që pikërisht shenjtëroret të jenë vende të veçanta ungjillëzimi. Ҫdo shenjtërore, pavarësisht nga karakteristikat tipike, që varen edhe nga vendi ku ndodhet, është hapësirë e privilegjuar ungjillëzimi. I duhet kushtuar vëmendje mikpritjes, kremtimit të sakramenteve, kumtimit të Fjalës së Zotit, dëshmisë së dashurisë së Hyut.

         Dikasteri juaj u impenjua në vijën e parë gjatë Jubileut të Mëshirës. A po korrni ç’u mboll në atë Vit Shenjt?

         Papa Françesku na ka besuar përshpirtërinë e mëshirës. Si Këshill Papnor na takon organizimi i të ashtuquajturve “Kongrese të Mëshirës Hyjnore”. Të dielën pas Pashkëve, më 8 prill, Papa do të kremtojë në sheshin e Shën Pjetrit, meshën e Mëshirës Hyjnore. Presim shumë grupe, shumë besimtarë, që e jetojnë këtë përshpirtëri. Pastaj, të hënën, të martën e të mërkurën, do të kemi këtu në Romë, 600 misionarë të Mëshirës. Siç dihet, në përfundim të Jubileut, Papa deshi që këta meshtarë, të vetmit, të kenë mundësinë të falin të njëjtat mëkate si Ati i Shenjtë. Ata do të mblidhen në Romë me Papën për tri ditë: një çast takimi, një çast reflektimi e lutjeje, që do t’i ndihmojë ta kryejnë edhe më mirë shërbimin e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.