2018-03-22 18:01:00

Takim para-sinodal i të rinjve, ndërmjet sfidave e shqyrtimit


Vijon udha parapërgatitore e Asamblesë XV të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, në program për në tetor, përqendruar mbi temën “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”. Janë më se 300 të rinj, të ardhur në Romë nga të pesë kontinentet, me rastin e takimit parasinodal, që do të vijojë deri më 24 mars. Takimi u hap më 19 marsin e kaluar, me fjalimin e Papës. Ati i Shenjtë i nxiti të rinjtë “të guxojnë e të kërkojnë shtigje të reja, edhe nëse kjo i rrezikon”.

Skema e punës për takimin para-sinodal

Sot, gjatë takimit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, vijuan dëshmitë e disa të rinjve. Pikë referimi për punimet e takimit para-sinodal është “Skema e punës”, mjet në përkim me Dokumentin përgatitor të Asamblesë XV të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve. Skema e punës ndahet në tri pjesë.

Sfida e mundësi të të rinjve të botës sot

Pjesa parë e skemës së punës u përqendrua mbi temën: të kontribuohet që në procesin sinodal të kihen parasysh kushtet epokale dhe situatat konkrete, në të cilat mbruhet identiteti i të rinjve. E ky është edhe hapi i parë në udhën e tyre. Rrethanat e sotme shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, fetare dhe kishtare krijojnë, pa dyshim, mundësi të reja, por  edhe sfida të reja, të panjohura. Përvoja e globalizimit jo gjithnjë unifikon e përforcon. Përkundrazi! Shpesh i thellon ndryshimet, aq sa çdo kontinent e çdo komb  duken  të ndryshëm, duke krijuar edhe kushte e mundësi të ndryshme për t’u rritur, për të formuar identitetin e veçantë e për të jetuar në shoqëri me një përkatësi të saktë shoqërore.

Feja e thirrja, shqyrtimi e shoqërimi

Pjesa e tretë u përqendrua tek tema: të kontribuohet që në procesin sinodal të mund  të gjinden mënyrat, të cilat sot janë më të suksesshme për t’ua kumtuar të rinjve Lajmin e Mirë. Kjo është detyrë e rëndësishme. Prandaj është e mira që vetë të rinjtë të bëjnë propozime konkrete. Sot ka rëndësi vendimtare të ngjallet entuziazmi dhe besimi, që i nxitën gjithnjë dishepujt e Zotit të jenë apostuj guximtarë në veprimtarinë edukative e baritore me të rinjtë. Prandaj Kisha dëshiron, sidomos, që çdo i ri të bëhet “dishepull misionar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.