Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Daljes II

Moisiu në lutje mbi mal - RV

22/03/2018 12:47

Vijojmë reflektimet tona mbi Shkrimin Shenjt, duke pasur për bazë vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, me titull “Është ora e leximit të Biblës”. Sot, Libri i Daljes e disa fjalë të tij, që mund të na shërbejnë gjatë leximit.

         E para i përket Moisiut, që me çdo mënyrë, provon të mos e dëgjojë thirrjen e Zotit, ta largojë nga vetvetja detyrën, që i jep Ai i Lumi:

Kush jam unë për të shkuar te faraoni?

         Është dialog i vazhdueshëm me Zotin, ky i Moisiut, por që i takon krejt popullit të Izraelit. Të gjithë nuk e kanë të lehtë t’i mbajnë gjallë marrëdhëniet me Hyun. Moisiu është gjithnjë në kërkim të shëlbimit, që kur lindi dhe u shpëtua nga ujrat e lumit. E kërkon me duart e veta, arrin deri të vrasë dhe e paguan këtë mëkat me 40 vite të gjata vetmie në shkretëtirë, si bari, deri sa bëhet prijës i popullit të vet. Edhe populli rebelohet kundër Moisiut e kundër Zotit, sa herë has në ndonjë pengesë, që i duket e pakapërcyeshme. E lodhet me këta njerëz edhe Hyu, që e quan popullin “kokëfortë”, të denjë për t’u dënuar nganjëherë. Kur e lexon këtë pjesë, ndokush shkandullohet, por ne jemi kështu edhe sot. E shohim dhe i jetojmë botën e Zotin po në atë mënyrë.

         Fjala e dytë, që po vemë në dukje sot, është përgjigjja e Zotit për Moisiun:

Unë do të jem me ty.

         Këtu fillon e duket protokolli themelor i fesë. Në çdo marrëdhënie me Zotin, ne matemi me kufizimet tona e vetëm besnikëria e Hyut mund të na shpëtojë.

         Fjala e tretë është ajo, që na kanë mësuar në katekizëm e që e quajmë Dekalogu apo “10 Urdhërimet e Tënzot”. Në kapitullin XX të Librit të Daljes, lexuesit fillojnë t’i shkasin sytë mbi këto rreshta:

“Unë jam Zoti, Hyu yt, që të nxora prej dheut të Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë”.

         Edhe Urdhërimet duhen parë brenda marrëdhënieve, brenda besëlidhjes me Zotin. Vetëm kështu mund ta kuptojmë natyrën e tyre të vërtetë, duke mos i konsideruar si rregulla të thjeshta morale, por si bindje e besnikëri ndaj vullnetit të Zotit – qëllim i besëlidhjes me Të.

         Fjala e katërt është ajo që Zoti shqipton kur e shikon Izraelin të adhurojë Viçin e artë. Hyu zemërohet me këtë popull kokëfortë (zverkngurtë), por, me një simbolizëm të fuqishëm, kësaj radhe, është Moisiu që i jep këshilla Hyut të vet:

“Hiq dorë nga zemërimi yt… Të bjerë ndërmend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu…”.

         Zemërimi është tepër i pranishëm në jetën tonë, edhe më shumë nga sa besojmë. Mund të habitemi kur e hasim në tekstet e shenjta, por duhet ta kuptojmë se Zoti na shoqëron deri në prag të humnerës, ku na çon zemërimi. Libri i Daljes është i dhunshëm. Tregon për plagë e për shfarosjen e bijve të Egjiptit, por bën pjesë në një histori më universale dhune e skllavërie, duke përvijuar rrugëdaljen. Për të shtypurit e për shtypësit.

         Natyrisht, na trazohet shpirti kur lexojmë disa pjesë të tij, por libri na çon vetë drejt kuptimit të ngjarjeve, që tregohen në të. I shtypuri ka dinjitetin dhe shpresën e vet, shtypësi – dënimin. Ndërsa Zoti detyrohet të luftojë kundër keqdashjes së njerëzve me zemërimin e tij. Zoti e Moisiu: këta dy protagonistë të mbeten në mendje kur lexon Librin e Daljes. Nuk ka lindur më askush si Moisiu thotë teksti biblik e, kjo është e vërtetë. Askush s’mundi të flasë më me Zotin si ai e askush nuk mësoi si ai si ta bënte mik Hyun. Pikërisht për këtë, është Moisiu që na dëshmon se jeta, në thelb, do të thotë të ndjekësh gjithnjë e vazhdimisht Zotin.

22/03/2018 12:47