2018-03-21 13:24:00

Papa: marrja e Kungimit na bën të lulëzojmë në vepra të mira


Pas katekizmit, kushtuar javën e kaluar Atynës, sot Papa hyri në zemër të reflektimit mbi Meshën: foli për sakramentin e Kungimit, për mrekullinë e Kungimit, i cili na shndërron në Atë, që e marrim, në Krishtin.

Turmës, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit ku, në këtë ditë të parë të pranverës ishin të pranishëm edhe shiu e dielli, Papa iu drejtua duke i krahasuar pemët që lulëzojnë, me jetën e krishterë. Ashtu si lulëzimi i pemëve dhe i bimëve ka nevojë për rrënjë, kështu edhe njeriu. E rrënja e tij është Jezusi. Mos e këpusni kurrë këtë rrënjë - porositi Papa. - Po bimët, për të lulëzuar - shtoi - kanë nevojë edhe të ujiten:

“Nëse ju nuk e vadisni jetën me lutje e sakramente, a do të mbusheni me lule të krishtera? Jo! Jo! Sepse lutja e sakramentet i ujisin rrënjët e atëhere jeta jonë lulëzon. Ju uroj që kjo pranverë të jetë për ju plot me lule, ashtu si janë Pashkët, të lulëzuara. Të stolisura me lule veprash të mira, me virtyte, me bamirësi ndaj të tjerëve”.

“Dhe është pikërisht Eukaristia - kujtoi në vijim Papa - që na bën të fortë, na bën të çelim lule veprash të mira, të japim fryte, për të jetuar si të krishterë të vërtetë”.

Më pas, duke hyrë në thelbin e katekizmit, Françesku kujtoi Eukaristinë, të cilën e kremtojmë për t’u ushqyer me Krishtin, që na dhuron vetveten si në Fjalën e Tij, ashtu edhe në Sakramentin e altarit, për t’u bërë një gjë e vetme me Të. E thotë vetë Zoti: “Kush ushqehet me Korpin tim dhe pi Gjakun tim, ai mbetet në mua dhe unë në të”(Gjn 6.56). E ky gjest i Jezusit, që u dhuroi dishepujve Korpin e Gjakun e tij në Darkën e Mbrame, vijon akoma sot përmes shërbesës së meshtarit a të diakonit, që u japin vëllezërve Bukën e jetës dhe Kelkun e shpëtimit…

Pasi ta ketë thyer bukën e shuguruar, meshtari ua tregon besimtarëve, duke i ftuar të marrin pjesë në sofrën eukaristike. I njohim mirë fjalët, të cilat jehojnë nga altari: “Lum ata, që janë të grishur në Darkën e Zotit: ja, Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës”. Këto fjalë, të frymëzuara nga një fragment i Zbulesës: “Lum ata, që janë të grishur në gostinë e dasmës së Qengjit!”(Zb 19,9) - na ftojnë të shijojmë bashkimin e thellë me Krishtin, gurrë gëzimi e shenjtërie. E nëse nga njëra anë shikojmë distancën, që na ndan nga Shenjtëria e Krishtit, nga ana tjetër besojmë se Gjaku i Tij “derdhet për faljen e mëkateve”. Pikërisht duke menduar  për vlerën shëlbuese të këtij gjaku, Shën Ambrozi brohoret: “Unë, që mëkatoj gjithnjë, duhet ta kem gjithnjë edhe ilaçin” (De Sacramentis, 4,28:Pl, 16, 44A). Me këtë fe edhe ne e dëshirojmë vështrimin e Qengjit, që shlyen mëkatet e botës e i lutemi: “O Zot, unë nuk jam i denjë të marr pjesë në tryezën tënde: po thuaje një fjalë të vetme e shpirti im do të shëlbohet”.

Na duket sikur jemi ne, që shkojmë në procesion për t’u kunguar, ndërsa në të vërtetë është Krishti, që vjen drejt nesh e na bën për vete. Na ndihmon Shën Agostini ta kuptojmë këtë mister, kur flet për dritën që mori, nësa e dëgjonte zërin e Krishtit kah i thoshte: “Unë jam buka e të mëdhenjve. Rritu, e do të më hash, ... e do të shndërrohesh ti në mua, jo unë në ty”. (Rrëfimet VII, 16; Pl 32, 742). Ashtu si buka e vera shndërrohen në Korpin dhe Gjakun e Zotit, kështu edhe ata, që i marrin me fe, shndërrohen në Eukaristi të gjallë.  Meshtari të thotë: “Korpi i Krishtit” e ti i përgjigjesh: “Amen”, domethënë, e kupton hirin dhe angazhimin, që kërkon shndërrimi në Korpin e Krishtit

Pastaj Papa vuri në dukje disa elemente themelore për marrjen e Kungimit:

Pas Kungimit, për ta ruajtur në zemër dhuratën e marrë, na ndihmon heshtja, lutja e heshtur. E për ta zgjatur pakëz këtë çast heshtjeje, na ndihmon shumë edhe biseda me Jezusin në zemër. Ahtu si na ndihmon të jemi me Zotin  ndonjë psalm a himn i kënduar.

Më pas Papa nënvizoi se “Kisha dëshiron që edhe besimtarët ta marrin Korpin e Zotit me hoste të shuguruara në të njëjtën Meshë”. Kujtoi edhe se shenja e gostisë eukaristike shprehet më qartë, po të bëhet Kungimi me të dyja lëndët, ndonëse doktrina katolike na mëson që “edhe nën dukjen e njërës nga lëndët, Krishti merret plotësisht”.

Papa kujtoi edhe praktikën e dytë: “Besimtari e merr normalisht kungimin, duke shkuar në procesion dhe kungohet në këmbë, ose në gjunjë, duke e marrë sakramentin në gojë, ose, ku lejohet, në dorë, ashtu si dëshiron”.

Nënvizoi edhe vlerën shëlbuese të Gjakut të Krishtit, derdhur për faljen e mëkateve. Të gjithë falemi në Pagëzim, e të gjithë falemi edhe kur shkojmë e marrim Sakramentin e pendesës. Kur rrëfehemi! Papa e përfundoi katekizmin e sotëm me fjalët: “Jezusi nuk lodhet kurrë duke na falur. Jemi ne, që lodhemi duke kërkuar falje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.