2018-03-20 13:36:00

“Zoti është i ri”: libri-intervistë i Papës Françesku


Doli sot në të gjithë botën, vetëm pak para Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet të Dielën e Larit, në Vatikan e në dioqezat e pesë kontinenteve, libri i ri-intervistë i Papës Françesku, me titull “Zoti është i ri”. Bisedë me gazetarin e shkrimtarin 33-vjeçar, Thomas Leoncini, ai është përgatitje edhe për Sinodin e madh të të rinjve, që do të mbahet në Vatikan, në tetor të këtij viti. Po paraqesim sot disa pjesë nga libri.

Të rinjtë janë profetë me krahë

         I riu ka diçka nga profeti e duhet ta kuptojë këtë. Duhet të jetë i vetëdijshëm se ka krahët e profetit, qëndrimin e profetit, aftësinë për të profetizuar, për të folur, por edhe për të vepruar. Profeti i sotëm ka, pa dyshim, aftësinë për të dënuar, por zotëron edhe perspektivën. Të rinjtë i kanë të dyja këto cilësi. Dinë të dënojnë, megjithëse, shpesh, nuk e shprehin mirë dënimin e tyre. E kanë edhe aftësinë për të shqyrtuar të ardhmen e për të parë drejt horizontit.

Të rinjtë e sotëm po rriten në një shoqëri pa rrënjë

         Për ta kuptuar sot të riun, duhet ta kuptosh në lëvizje, nuk mund të rrish vendnumëro e të pretendosh se gjendesh në të njëjtën gjatësi vale me të. Nëse duam të dialogojmë me të riun, duhet të jemi “në lëvizje e në rrjet” e atëherë, ai vetë do ta ngadalësojë hapin për të na dëgjuar, do të vendosë vetë për këtë.  E kur ta ngadalësojë hapin do të fillojë një lëvizje tjetër: i riu do të ecë jo aq shpejt, që ta dëgjojnë e, të moshuarit do ta shpejtojnë hapin për të gjetur pikën e takimit. Bëjnë të dy përpjekje… E kjo mund të shënojë progres. Të rriturit, shpesh, i çrrënjosin të rinjtë, ua shkulin rrënjët e, në vend që t’i ndihmojnë të bëhen profetë për të mirën e shoqërisë, i shndërrojnë në jetimë e të mënjanuar. Të rinjtë e sotëm po rriten në një shoqëri pa rrënjë.

T’u kërkojmë falje të rinjve

         Duhet t’u kërkojmë falje të rinjve, sepse jo gjithmonë i marrim seriozisht. Jo gjithmonë i ndihmojmë ta shohin rrugën e t’i krijojnë vetë ato mjete, të cilat u japin mundësi të mos hidhen jashtë shoqërisë. Shpesh, nuk dimë t’i bëjmë të ëndërrojnë e nuk jemi në gjendje t’i entuziazmojmë. Është e natyrshme të kërkojnë para për të ndërtuar familjen, të ardhmen e për të mos u varur më nga të rriturit. E rëndësishme është të shmanget lakmia e grumbullimit të parasë.

Është puna, që ushqen shpirtin e jo paratë

         Puna duhet të jetë për të gjithë. Ҫdo njeri duhet ta ketë mundësinë konkrete për punë, për t’i dëshmuar vetvetes dhe të dashurve të vet se mund të fitojë për të jetuar. Nuk mund të pranohet shfrytëzimi, nuk mund të pranojmë që të rinjtë të shfrytëzohen nga punëdhënësit me premtime të rreme, me pagesa që s’mbërrijnë kurrë, me justifikimin se janë të rinj e duhet të bëjnë eksperiencë. Nuk mund të pranohet që punëdhënësit të pretendojnë nga të rinjtë punë me pagesë të ulët e madje, edhe falas, siç ndodh… Të rinjtë na kërkojnë t’i dëgjojmë e ne e kemi për detyrë t’i dëgjojmë e të ulemi gju më gju me ta, jo t’i shfrytëzojmë. Nuk ka justifikim për këtë.

Shumë prindër i rrisin fëmijët me kulturën e së përkohshmes

         Duket sikur të rritesh, të plakesh, të bëhesh edhe më i vjetër akoma, është gjë e keqe. Është sinonim i jetës së mbaruar, pa kënaqësi. Sot, duket sikur gjithçka duhet retushuar e maskuar. Sikur jeta të mos kishte kuptim. Kohët e fundit kam vënë në dukje sa e trishtë është kur dikush dëshiron të retushojë edhe zemrën. Sa keqdashëse është kur ndokush dëshiron t’i fshijë rudhat e sa e sa takimeve, e sa e sa gëzimeve e trishtimeve! Tepër shpesh, janë të rriturit ata, që luajnë kukullash, që ndjejnë nevojën për të qenë në të njëjtin nivel me adoleshentin, por nuk e kuptojnë se ky është mashtrim. Është lojë e djallit. Nuk arrij ta mendoj si është e mundur që një i rritur i bën konkurrencë një fëmije, por, fatkeqësisht, ndodh gjithnjë e më shpesh… Ka tepër prindër adoleshentë në tru, që mendojnë se jeta është përgjithmonë tralala e që, me ose pa vetëdije, i kthejnë fëmijët e tyre në viktima të kësaj loje perverse. Sepse nga njëra anë, rrisin fëmijë të një kulture kalimtare e, nga ana tjetër, i detyrojnë t’i përkasin gjithnjë e më shumë kësaj shoqërie, që unë e quaj “pa rrënjë”.

Të moshuarit ëndërrimtarë e të rinjtë profetë janë shpëtimi për shoqërinë

         Sot, rrjetet shoqërore duket sikur na japin hapësirën për t’u lidhur me të tjerët; interneti i bën të rinjtë ta ndjejnë veten pjesë të të njëjtit grup. Por problemi i internetit është virtualiteti i tij: i lë të rinjtë në hava… Një nga rrugët e fuqishme për të shpëtuar prej kësaj, mendoj se është dialogu, dialogu i të rinjve me të moshuarit: ndërveprimi i të rinjve me pleqtë, duke i anashkaluar përkohësisht edhe të rriturit. Të rinjtë e të moshuarit duhet të flasin gjithnjë e më shpesh: kjo është urgjente! E të moshuarit duhet të marrin inciativën njëlloj si të rinjtë… Por kjo shoqëri mënjanon si njërin, ashtu edhe tjetrin, si të rinjtë, ashtu edhe të moshuarit. E prapë se prapë, shpëtimi i pleqve është t’u transmetojnë të rinjve kujtesën. Kjo i bën të moshuarit ëndërrimtarë të vërtetë të së ardhmes. Ndërsa shpëtimi i të rinjve është t’i marrin këto mësime, këto ëndërra e t’i çojnë përpara me profeci… Të moshuarit ëndërrimtarë e të rinjtë profetë janë shpëtimi për shoqërinë tonë pa rrënjë: dy breza të mënjanuarish mund t’i shpëtojnë të gjithë.

Zoti është i ri, sepse “i bën të reja të gjitha gjërat” dhe është “social”

         Zoti është Ai që rison gjithnjë, sepse Ai vetë është gjithnjë i ri: Hyu është i ri! Zoti është i Amshuari, pa kohë, por me aftësinë për të përtërirë, për t’u risuar vazhdimisht e për të risuar gjithçka. Tiparet më të veçanta të të rinjve janë edhe të Tijat. Është i ri, sepse “i bën të reja të gjitha gjërat” dhe i do risitë; sepse të habit dhe e do habinë; sepse di të ëndërrojë dhe dëshiron që ne të ëndërrojmë; sepse është i fortë dhe entuziast; sepse krijon marrëdhënie e na kërkon t’i krijojmë edhe ne, pra, është “social”. Nëse e përfytyroj të riun, shoh se edhe ai e ka mundësinë të jetë “i amshuar”, duke vënë në lojë krejt pastërtinë, krijimtarinë, guximin, energjinë e tij, i shoqëruar nga ëndërrat e nga urtia e të moshuarve. Është cikël që mbyllet, që krijon vazhdimësi të re e më kujton amshimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.