2018-03-20 16:37:00

Të Enjten e Madhe, Papa do të shkojë në burgun “Regina Coeli”


Të Enjten e Madhe, më 29 mars, në orën 16.00, Papa Françesku do të shkojë në burgun “Regina Coeli” në Romë, për të kremtuar meshën e Darkës së Mbrame të Krishtit. Gjatë vizitës, ai do të takohet me të burgosurit e sëmurë në infermieri; do të kremtojë Eukaristinë me ritin e larjes së këmbëve për 12 të burgosur dhe do të takohet me disa të burgosur të Seksionit VIII.

Vitin e kaluar, Ati i Shenjtë shkoi në burgun e Palianos

          Vitin e parë, Papa Françesku pati shkuar në burgun e të miturve në Casal del Marmo, ndërsa në vitin 2015, në Rebibbia, gjithnjë në Romë. Vitin e kaluar, e kremtoi të Enjten e Madhe së bashku me të burgosurit e Palianos, në provincën e Frosinone-s. “Një herë – pati treguar vjet në Paliano – dishepujt grindeshin ndërmjet tyre kush ishte më i rëndësishmi e Jezusi u tha: ‘ai, që dëshiron të jetë i madh, të bëhet i vogël e shërbëtor’. Këtë bën Zoti me të gjithë ne, që jemi të mjerë, por Ai është i madh, është i mirë, na do. Le të mendojmë për këtë ceremoni – tha para se t’u lante këmbët 12 të burgosurve, ndër të cilët 3 gra e një mysliman – që nuk është rit folklorik, është gjest për të kujtuar ç’bëri Jezusi, i cili, pas kësaj, mori bukën e verën e na dhuroi dashurinë e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.