2018-03-20 14:18:00

Papa në Shën Martë: për t’i kapërcyer shkretëtirat tona, të shikojmë Krishtin e kryqëzuar


Shikoje Kryqin në çastet e vështira, kur zemra qan, nësa vijon shtegtimi nëpër jetë! Kjo, ftesa e Papës në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë. Françesku e filloi reflektimin,  duke u nisur nga Leximi I (Nm 21,4-9) në të cilin përshkruhen mundimet e popullit të Izraelit në shkretëtirë dhe episodi i gjarpërinjve. Populli pati uri e Zoti iu përgjigj me mannën, pastaj me shkurtat; pati etje, e Zoti bëri të burojë ujë nga shkëmbi. Pastaj, fare pranë Tokës së Premtuar, disa prej tyre nisën të lëkunden, të dyshojnë, sepse zbuluesit e dërguar nga Mosiu u thanë se ishte tokë e pasur me fruta e frymorë gjithfarësh, por e banuar nga një popull shtatlartë e i fuqshëm, i armatosur deri në dhëmbë. Kishin frikë se do të vriteshin. E, prej këndej, rrinin e numëronin rreziqet, që mund t’i kërcënonin,  po të shkelnin atje... “Shikonin forcën e tyre e harruan forcën e Zotit, që i kishte çliruar nga skllavëria 400-vjeçare" – vërejti Papa.

Kujtesë e sëmurë, kur ndjen keqardhje për skllavërinë

Për të mos e zgjatur “populli nuk mundi ta durojë shtegtimin”, ashtu si njerëzit  kur nisin jetën mbi gjurmët e Zotit, përpiqen për të qenë pranë Zotit, por, në një farë pike, provat duket sikur i mposhtin. Eshtë ajo kohë e jetës, kur njeriu thotë: “Epo mjaft më! Unë po ndalem e po kthehem mbrapa!”. E ia nis e ndjen keqardhje për të kaluarën: “Sa mishin e kemi pasë ngrënë asokohe, sa qepët, sa gjëra të mira hanim atje”. E Papa fton për t’u ruajtur pikërisht nga kjo “kujtesë e sëmurë”, nga mendimi se ishim më mirë, kur ishim më keq. Nga ky mall i mbrapshtë, sepse ajo ishte sofra e skllavërisë, koha kur ishim skllevër, nën thundrën  “e faraonëve”. Këto janë gënjeshtrat e djallit: ai të bën të shikosh  anën e bukur të një gjëje, që e ke lënë, pikërisht kur je i lodhur nga udha e mundimshme e nuk ke arritur akoma, atje ku të premtoi Zoti. E kështu është pak a shumë edhe udha e Kreshmëve, mund të mendojmë edhe ne kështu; ose, mund ta konceptojmë jetën si Kreshmë pa fund: sepse provat nuk mungojnë kurrë, por nuk mungojnë as ngushëllimet e Zotit, nuk mungon manna, uji, zogjtë, që na ushqejnë.. . ushqimi që  të dha Zoti… Po ti mendon se gjellët e atij vendi, prej nga dole, ishin më të mira. E harron se haje në sofrën e skllavërisë!

Ta marrësh emrin e Tënzot nëpër gojë kot, do të thotë ta helmatisësh shpirtin

Këtë përvojë - nënvizoi Papa -  e provojmë të gjithë, kur duam ta ndjekim Zotin, por në një farë pike lodhemi. E akoma më keq, kur nisim e e marrim nëpër gojë. Flasim keq për Zotin e helmatisim shpirtin tonë. Ndoshta ndokush mendon se Zoti nuk po e ndihmon, ose se i ka çuar prova të tepërta, aq sa nuk mund t’i mbartë më. E ndjen zemrën të thyer, të helmatisur. E gjarpërinjtë, që kafshonin popullin, siç tregon Leximi I, nuk janë tjetër, veçse simbol i helmatisjes, i mungesës së ngulmit për ta ndjekur rrugën e Zotit.

Shiko kryqin e lumninë e Krishtit!

Moisiu, atëhere, me ftesën e Zotit, bën një gjarpër bronzi dhe e vë mbi një shkop. Ky gjarpër i shëronte të gjithë ata, që qenë sulmuar nga gjarpërinjtë, sepse kishin marrë nëpër gojë emrin e Zotit, “ishte profetik. Figurë e Krishtit mbi kryq”.

E ky është kyçi i shëlbimit tonë, kyçi i durimit në udhën e jetës, kyçi që na ndihmon t’i kapërcejmë shkretëtirat tona: ta shikojmë Kryqin. T’ia ngulim sytë Krishtit të kryqëzuar! “E çfarë duhet të bëj, o Atë?”. “Të shikosh. Të shikosh plagët. Të hysh në plagët”. Përmes këtyre plagëve u shëruam. Ndjehesh i helmatisur, i trishtuar, e ndjen se jeta jote nuk shkon, ka tepër vështirësi e edhe sëmundje? Shiko kryqin!

Françesku ftoi që, në këto çaste, të shikojmë kryqin e keq, domethënë, kryqin e vërtetë, me gozhda, me plagë në mish të gjallë, me gjak, me tmerr, sepse artistët kanë bërë kryqe të bukur, artistikë, disa të derdhur në ar e të stolisur me gurë të çmuar. E kjo - vërejti - nuk është gjithnjë mendësi bote - sepse simbolizon  “lumninë e Kryqit, lavdinë e Ngjalljes”. Po kur ti ndjehesh kështu, shiko këtë të para lavdisë, nënvizoi akoma Papa.

Pastaj Françesku kujtoi përsëri gjyshen dhe të Premten e Madhe, kur ishte fëmijë. Shkonte për dore me të e sodiste procesionin me qirinj ndezur në famulli. Priste çastin kur vinte Krishti i vdekur prej mermeri, me pëmasa natyrale. E kur kalonte aty pranë, gjyshja e bënte të gjunjëzohej. “Shikoje mirë” - i thoshte –" Sonte është i vdekur. Po nesër do të ngjallet!”. Në atë kohë, para reformës liturgjike të Piut XII, Ngjallja kremtohej të shtunën në mëngjes, jo të diel. E atëhere gjyshja, të shtunën në mëngjes, kur binin  këmbanat e Ngjalljes, i lante sytë me ujë, për ta parë më mirë lavdinë e Krishtit të ngjallur.

Mësojini fëmijët tuaj ta shikojnë Kryqin e lavdinë e Krishtit. E ne, në çaste të këqija, në kohë të vështira, të helmuar pakëz nga që dyshuam një çast në zemrën tonë për forcën e Zotit, duhet t’ia ngulim sytë plagëve. Krishtit të lartuar si gjarpër; sepse ai u bë gjarpër, u asgjësua i tëri, për të fituar mbi “gjarpërin djall”. Uroj që Fjala e Zotit sot të na e mësojë këtë udhë: të shikojmë Kryqin! Sidomos në çastin kur, si popull i Zotit, lodhemi nga shtegtimi i kësaj jete!








All the contents on this site are copyrighted ©.