2018-03-18 13:24:00

Papa Françesku: shikoni brenda kryqit, nuk është stoli, as objekt dekorativ


Në Engjëllin e Tënzot Papa kujtoi skenën ungjillore, që zhvillohet në Jeruzalem ku, me rastin e festës së Pashkëve hebraike, kishin ardhur edhe disa grekë, që i tërhiqte fort feja e popullit hebre. E, duke pasë dëgjuar të flitej për një profet të ri, iu afruan Filipit, njërit nga dymbëdhjetë apostujt, e i thanë: “Duam të shikojmë Jezusin”.  Jezusi nuk u përgjigjet me një “po” a me një “jo”, por thotë: “Erdhi ora që biri i njeriut të lumnohet”. Prandaj, kush dëshiron ta njohë Jezusin - shpjegoi Papa - duhet të shikojë kryqin, ku zbulohet gjithë lumnia e Tij.

 “Ungjilli i sotëm na fton t’ia ngulim sytë kryqit, që nuk është objekt dekorativ, as pjesë e veshjes - nganjëherë i shpërdoruar - por simbol fetar për t’u kundruar e për t’u kuptuar”.

Në figurën e Krishti të kryqëzuar zbulohet misteri i vdekjes së Birit të Zotit, si akti më i lartë i dashurisë, burim jete e shëlbimi për njerëzimin e  të gjitha kohëve.

Prandaj Papa nxiti për të parë brenda kryqit, për ta parë Jezusin nga brenda, për të kundruar plagët e Zotit:

“Mos e harroni këtë: ta shikosh kryqin, po jo përjashta. Ta shikosh përbrenda. Duke kujtuar edhe devocionin e bukur, që të fton të thuash një Atynë për secilën nga pesë plagët e Krishtit: sepse kur themi Atynën, kërkojmë të hyjmë në plagët e Jezusit, brenda plagëve, drejt e në zemrën e Tij. E aty do të mësojmë urtinë e madhe të misterit të Krishtit, dijen e madhe të kryqit”.

Kështu u shpreh Papa në Engjëllin e Tënzot, për të kujtuar, më pas, kokrrën e grurit që, duke u kalbur në tokë, krijon jetë të re. Jezusi - pohoi - erdhi mbi tokë, por do t’i duhej edhe të vdiste, për t’i çliruar njerëzit nga skllavëria e mëkatit e për t’u dhënë jetë të re. “Edhe në ne, dishepujt – nënvizoi Françesku – duhet të kryhet ky dinamizëm i farës së grurit, i realizuar nga Jezusi. Jemi të thirrur ta bëjmë ligj të pashkëve tona humbjen e  jetës, për të marrë, pastaj, jetën e re, të amshuar”. Por, ç’do të thotë - pyeti Françesku - ta humbasësh jetën? Ç’do të thotë të jesh kokërr gruri?

Do të thotë të mendosh më pak për vetveten, për interesat vetjake, e të dish  të shikosh nevojat e të afërmit, posaçërisht më të përhumburit, më nevojtarit, më të fundmit. Të bësh, me gëzim, vepra dashurie për ata, që vuajnë në korp e në shpirt është mënyra më e mirë për ta jetuar Ungjillin, e themel i nevojshëm që bashkësitë tona të rriten me frymën e vëllazërisë e të mikpritjes së anasjelltë.

“Virgjëra Mari, që e pati gjithnjë shikimin e zemrën ngulur mbi të Birin, nga grazhdi i Betlehemit, deri tek kryqi mbi Kalvar - shtoi Papa - na ndihmoftë ta takojmë e ta njohim, ashtu si dëshiron Ai vetë”.

Ati i Shenjtë kujtoi, në përfundim, se dje ishte për vizitë në Pietrelcina e në San Giovanni Rotondo. I  mora me vete në në zemër  të gjithë - pohoi  - posaçërisht të sëmurët e Shtëpisë së Lehtësimit të Vuajtjes, pleqtë e të rinjtë. “I falënderoj të gjithë ata, që e përgatitën këtë vizitë, të cilën nuk do ta harroj kurrë. Atë Piu i bekoftë të gjithë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.