2018-03-17 13:34:00

Papa në San Giovanni Rotondo: trashëgimia e Atë Piut: lutja, vogëlsia e dija


Ia kushtoi jetës shenjte të Atë Piut, homelinë Papa Françesku, në Meshën e kremtuar gjatë etapës së fundit të vizitës së sotme baritore, në tremen e Kishës së re të San Giovanni Rotondo-s, kushtuar fratit kapuçin. Pasi e nderoi në heshtje trupin e Shën Piut dhe la pranë tij një stolë, e cila më pas do të vendoset në arkivolin prej qelqi, Papa u ndalua tek tri pasuritë, që la trashëgim Frati i plagëve e që janë mësime themelore të Jezusit: lutja, vogëlsia, dija.

Lutja, dialog me Atin

Lutja - kujtoi Papa Françesku - është dialog me Atin, prandaj zë edhe vendin e parë. E prandaj edhe Krishti tërhiqej në vende të vetmuara për t’u lutur. E dishepujt zbuluan kështu, natyrshëm, sa e rëndësishme ishte  lutja, derisa një ditë kërkuan: “Zot, na mëso të lutemi!”. E nëse duam t’i ngjajmë Jezusit, duhet të nisemi dhe ne, prej nga u nis Zoti: nga lutja. Kjo, porosia, e pasuar nga pyetja: “Po ne, të krishterët, a lutemi aq sa duhet? Apo sapo nisim të lutemi, na sillen nëpër mend një mori punësh, që duhen bërë? Atëherë e lëmë mënjanë “pjesën më të mirë”, duke harruar se “pa Zotin nuk mund të bëjmë asgjë!” - theksoi Papa – për të kujtuar menjëherë  atë Piun,  që na la trashëgim pikërisht pasurinë e lutjes. E këshillën: “Lutuni bijtë e mi, pa u lodhur kurrë. Si Jezusi”.

Jezusi na mëson si të lutemi

E Jezusi- vijoi Papa - na mëson edhe si të lutemi. Para së gjithash thotë: “Të falënderoj, ty, o Atë” e nuk thotë “kam nevojë për këtë e për atë…”. Ati nuk njihet, pa e lumnuar, pa e adhuruar - kujtoi Françesku – pa e kuptuar se lutja është takim sy më sy me Zotin, dialog i lirë me Atin. Ashtu si lutja e Jezusit. Është gjest dashurie, takim me Zotin, vepër mëshire shpirtërore. E nëse ne nuk ia besojmë vëllezërit e situatat Zotit, kush do ta bëjë këtë? Kush do të ndërmjetësojë, kush do të shqetësohet të trokasë në zemrën e Zotit, që ta hapë portën e mëshirës për njerëzimin nevojtar? Prandaj Atë Piu na la trashëgim grupet e lutjes - kujtoi - për të kaluar tek fjala e dytë, në bazë të homelisë: vogëlsia.

Zoti ia zbulon misteret e Mbretërisë të vegjëlve

Në Ungjill – vijoi Papa, duke komentuar fjalën e tretë “vogëlsinë” - Jezusi e lavdëron Atin sepse ua zbuloi misteret e Mbretërisë të vegjëlve. Po kush janë këta të vegjël, që dinë të hyjnë në misteret e Zotit - pyeti në vijim të homelisë. - Të vegjlit janë ata, që kanë nevojë për të mëdhenjtë, që nuk janë të zotët e vetvetes, që kanë zemër të përvujtë e të hapur,  që ndjejnë nevojën të luten, t’ia besojnë veten  dikujt e të kërkojnë shoqërinë e tjetrit. Zemra e tyre është si antenë, që i kap sinjalet e Zotit. Sinjale të cilat nuk mund t’i kapë kush është përplot me vetveten. Prandaj Zotit i pëlqejnë të vegjlit. Edhe vetë misteri i Jezusit, siç e shikojmë në Hosten e çdo Meshe, është mister vogëlsie, dashurie të përvuajtur, që të pranon vetëm duke u bërë i vogël e duke ndjekur të vegjlit.

E pas këtij shpjegimi, pyetja tjetër e Papës: “A dimë ta kërkojmë Zotin, atje ku gjindet?  E edhe përgjigjja: “Këtu është një Shenjtërore  e veçantë, ku Zoti është i pranishëm! Është Shtëpia e Lehtësimit të Vuajtjes. Jezusi gjindet tek i sëmuri, gjindet tek njeriu, që përkulet mbi plagët  e të afërmit. E kjo është udha për ta takuar Zotin”.

Udha për ta takuar Zotin, kujdesi për të vegjlit

“Kush kujdeset për të vegjlit, është nga ana e Zotit dhe e mund kulturën e hedhurinës, që, përkundrazi, parapëlqen të pushtetshmit e i përçmon të varfërit. Kush preferon të vegjlit, shpall profecinë e jetës, kundër profetëve të vdekjes të çdo kohe”.

Arma  e vetme e të diturit është t’i çarmatosë forcat e së keqes

Së fundi, fjala e tretë, dija. Dije - shpjegoi Papa - nuk do të thotë të kesh dhanti të mëdha, forcë, pushtet. Nuk është i ditur, kush është i fortë e nuk është i fortë, kush i përgjigjet së keqes me të keqe. Arma  e vetme e të diturit është t’i çarmatosë forcat e së keqes. Na e tregon Shën Piu - kujtoi Papa në vijim të homelisë - që iu kundërvu gjithë jetën së keqes me bindje, me kryq, duke ofruar dhimbjen, për dashurinë.

Njohja e Zotit, takimi me Të, kjo është udha e dijes. Ta njohësh Atë, ta takosh, si Zot që shpëton e fal: kjo, rruga e dijes. Në Ungjill Jezusi pohon: “Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur!”. Kush nga ne  mund të ndjehet i përjashtuar nga kjo ftesë? Kush mund të thotë: “Nuk kam nevojë?”. Shën Piu - kujtoi në përfundim Papa - ofroi jetën për vëllezërit, që të mund ta takonin Zotin, duke u bërë apostulli i rrëfyestores. Edhe sot na fton atje e na thotë. “Ku po shkon? Te Jezusi apo tek trishtimet tua? Zoti po të pret. Zemër! S’ka gjë aq të rëndë në botë, që mund të të përjashtojë nga mëshira e Tij”.

Grupet e lutjes, të sëmurët e Shtëpisë së Lehtësimit të Vuajtjes, rrëfyestorja; tri shenja të dukshme, që të kujtojnë tri pasuri të çmuara: lutjen, vogëlsinë e dijen e jetës. Të kërkojmë hirin për t’i kultivuar çdo ditë - përfundoi Papa.  








All the contents on this site are copyrighted ©.