Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa në Pietrelcina: Atë Piu, bir i dashurisë amtare të Kishës

Papa përshëndet besimtarët

17/03/2018 10:00

Papa Françesku vizitoi Pietrelçinën dhe San Giovanni Rotondon, në 100-vjetorin e dukjeve të varrëve të Krishtit në duart e këmbët e shën Piut të Pietrelçinës. Qe një vizitë baritore, kjo e Atit të Shenjtë, që përkoi edhe me 50-vjetorin e vdekjes së shenjtit.

Papa Françesku tek "Vidhi i plagëve" të atë Piut

Sapo mbërriti në Pietrelçinë, në mëngjes, Papa Françesku shkoi menjëherë të gjunjëzohej në lutje në kapelën e Shën Françeskut, para “Vidhit të plagëve”. Pikërisht këtu, në shtator të vitit 1910, shën Piu mori si dhuratë prej Zotit, varrët e Krishtit, siç tregonte vetë në një letër (Epistullari, I, fq. 233), të cilën e përmendi edhe Ati i Shenjtë, në përshëndetjen, që u drejtoi besimtarëve të mbledhur në sheshin e qytezës.

Papa i parë, që shkeli në Pietrelçinë, pasi dy të tjerët para tij kanë shkuar vetëm në San Giovanni Rotondo, i inkurajoi banorët “ta ruajnë si thesar të çmuar dëshminë kristiane e meshtarake të shën Piut”. Përmendi periudhën, gjatë së cilës ai qëndroi në këtë fraksion të qytezës, në Piana Romana, në shtator 1911, “për të thithur pak ajër të pastër”, siç shkruan atë Piu, kur tregon se që prej një viti i ndjente plagët e Krishtit në duart e në këmbët e tij, por tani iu shfaqën vërtet.

Lufta e shën Piut nga Pietrelçina me djallin

“Nuk qe për të periudhë e lehtë”, vërejti Papa Françesku, “ishte shumë i munduar në shpirt e kishte frikë se mos binte në mëkat, pasi e ndjente veten të sulmuar nga djalli”. “Në ato çaste të tmerrshme – theksoi Ati i Shenjtë – atë Piu e thithi limfën jetike nga lutja e vazhdueshme dhe nga fakti që diti të besojë në Zotin”. “Të gjitha fantazmat e këqia, që demoni më fut në mendje – i shkruante shenjti i ardhshëm ministrit provincial, atë Benediktit, në mars 1911 -  zhduken kur, plot besim, e braktis veten në krahët e Jezusit”.

Në Piana Romana, familja e atë Piut, që para se të bëhej frat quhej Françesk Forgione, kishte një shtëpi verore. E aty kanë ndodhur disa mrekulli. Përveç Vidhit, ku atë Piu mori plagët, aty pranë është edhe një pus, ku ka ndodhur mrekullia e ujit. Kur ishte i vogël, atë Piu pati parashikuar se do të dilte ujë, duke i thënë të ungjit, që po gërmonte diku tjetër e shkumbonte se s’po gjente ujë, të shkonte në pikën, që i tregoi me gisht, se aty do të dilte ujë me bollëk. E ashtu ndodhi. Pak më tej, ruhen dy gurë të mëdhenj, që i shërbenin atë Piut si stola, ku thoshte Rruzaren.

Lutja dhe mesha, shpëtimi i atë Piut

Qenë lutja dhe mesha, që ia farkëtuan shpirtin, siç vuri në dukje Papa gjatë takimit me besimtarët. “Ky frat i përvuajtur kapuçin habiti botën me jetën e tij, e gjitha kushtuar lutjes dhe dëgjimit plot durim të vëllezërve, mbi vuajtjet e të cilëve përdorte si balsam dashurinë e Krishtit”.

E pastaj urimi: “Duke imituar shembullin e virtytet e tij heroike, u bëfshi edhe ju mjete të dashurisë së Jezusit për më të brishtët… Uroj që ky territor të marrë limfë të re nga mësimet e jetës së atë Piut, në një çast jo aq të lehtë, si ky i tanishmi, kur popullsia po zvogëlohet dalëngadalë dhe po plaket, sepse shumë të rinj detyrohen të kërkojnë punë diku tjetër”. Papa e përfundoi fjalën e tij, duke u kërkuar të gjithëve të tregojnë kujdes të veçantë për të rinjtë e të moshuarit dhe të bëjnë vepra mëshire, duke jetuar sipas lumnive ungjillore.

Bashkëqytetarët e atë Piut i dhuruan Papës një grusht dhe nga toka përreth Vidhit të plagëve të Krishtit, si edhe një copë lëvoreje nga trungu.

17/03/2018 10:00