2018-03-16 13:31:00

Pater Piu: nga rrëfyestorja, tek Eukaristia, histori dashurie


Pater Piu: nga rrëfyestorja, tek Eukaristia, histori dashurie. “Gjithçka që vuajti Jezusi në mundimet e tij - ka thënë atë Piu - e vuaj, padenjësisht, edhe unë, për aq sa ka mundësi krijesa njerëzore”.

Një frat i varfër, që lutet

I lindur në një familje fshatarësh, që fëmijë u dogj nga dëshira për t’u bërë frat. 16 vjeç hyri në noviciatin e Urdhërit të Fretërve të Vegjël kapuçinë në Morcone e  zgjodhi emrin vëllau Piu. Në vitin 1910 u shugurua meshtar. Gjashtë vjet më pas hyri në kuvendin e Shën Marisë së Hireve, në San Giovanni Rotondo. Nisi t’i kushtojë shumë orë të ditës Sakramentit të Rrëfimit. Kulmi i angazhimit të tij apostolik ishte gjithnjë Mesha Shenjte. E quajti veten: “frat varfanjak, që lutet”. “Lutja - pohonte - është arma më e mirë, që kemi, çelës për të hapur zemrën e Zotit”.

Takimi i jashtëzakonshëm

Në vitin 1948 pati rrëfyer një meshtar të ri polak. Quhej don Karol Wojtyla e, 30 vjet më pas, do të ulej në fronin e Shën Pjetrit me emrin Gjon Pali II. Në fratin e përvuajtur - pati nënvizuar Papa polak më 1999, gjatë ritit të lumnimit të Atë Piut - pashë në të figurën e Jezusit të vuajtur e të ngjallur: “trupi i tij, me varrët e Krishtit, tregonte lidhjen e ngushtë ndërmjet vdekjes e ngjalljes”. Jo më pak të dhimbshme, e,  shikuar me sy njerëzor, edhe më përvëluese - qenë provat, që iu desh të kalonte si pasojë, nëse mund të shprehemi kështu, e dhuratave aq të jashtëzakonshme, që i kish bërë vetë Zoti! Për atë Piun, të vuash për Krishtin, është dhuratë: “Duke e kundruar kryqin mbi shpinë të Jezusit - pohonte - ndjehem edhe më i përforcuar në fe, krejtësisht i pushtuar nga gëzimi. Gjithçka vuajti Jezusi gjatë mundimeve të Tij, e vuaj edhe unë, për aq sa ka mundësi të vuajë krijesa njerëzore”.

Lehtësimi i vuajtjes

Jeta e atë Piut pasqyron edhe angazhimin e tij të palodhur për lehtësimin e vuajtjeve e mjerimeve të shumë familjeve. Në vitin 1956 u përurua “Shtëpia e Lehtësimit të Vuajtjes”, pol spitalor i pararojës. “Është ‘bebja e syve të mi’”, pohoi frati me rastin e  fjalës së mbajtur gjatë përurimit: “Kjo është krijesa e shestuar nga Provania, e ndihmuar nga ju; po jua paraqes. Admirojeni e bekojeni, së bashku me Zotin Hyj. U hodh në dhe një farë, të cilën Ai i Lumi do ta ngrohë me rrezet e dashurisë së Tij”

Vdekja

Atë Piu vdiq natën e 23 shtatorit të vitit 1968, në moshën 81 vjeçare. Më 16 qershor 2002 u shpall shenjt nga Papa Gjon Pali II: “Jeta dhe misioni i Atë Piut  - pati pohuar Papa polak në homeli - dëshmon se vështirësitë e dhimbja, nëse pranohen për dashuri, hapin udhën drejt perspektivave të një së mire më të madhe, të cilën e di vetëm Zoti!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.