2018-03-16 15:48:00

Imzot George Frendo: më 17 mars, takimi i dytë për Sinodin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit


Nesër, më 17 mars, në Tiranë do të mbahet Asambleja e dytë Dioqezane në përgatitje për Sinodin e nëntorit, në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, nga ora 9.30 deri në orën 13.00. Takimi i parë, në të cilin mori pjesë krejt bashkësia katolike e Kryedioqezës metropolite të Tiranë-Durrësit, u mbajt më 7 tetor 2017.

Të dyja këto tubime përgatisin Sinodin dioqezan, kushtuar ungjillëzimit të ri, që do të përurohet të shtunën, më 24 nëntor 2018, një ditë para kremtimit të festës së Jezu Krishtit Mbret të Gjithësisë, në ambientet e Kishës Katedrale në Tiranë, në një ceremoni të veçantë që përfshin edhe kremtimin e Meshës. Por më hollësisht për këtë ngjarje të shënuar flet, në mikrofonin e don David Xhuxhës, kryeipeshkvi metropolit, imzot George Frendo, njëkohësisht edhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë….

 

Mons. George Frendo O.P.

Pas suksesit të Asamblesë së parë dhe në përgatitje për Sinodin Dioqezan, na u duk shumë e dobishme të thërrasim një Asamble tjetër, që do të na japë më shumë mundësi, jo vetëm të shprehim mendimet tona mbi disa tema të caktuara, veçanërisht në grupet e punës; por edhe të përgatitemi për Sinodin Dioqezan, që do të përurohet më 24 nëntor. Dëshiroj shumë që të gjithë besimtarët tanë të bëhen më të vetëdijshëm për ecjen tonë drejt Sinodit dhe të jenë më të informuar mbi të.

Në këtë fjalë të shkurtër dua të terheq vëmendjen tuaj mbi katër pika, që besoj se duhet t’i kemi parasysh edhe në diskutimet që do të bëhen në grupe.

1. Prania jonë në Areopagë

Në librin e Veprave të Apostujve, lexojmë se kur Shën Pali ishte në Athinë, ai shkoi në Areopag. Areopagu ishte vendi ku takoheshin njerëzit më të kulturuar të qytetit. Dhe ne sot duhet të pyesim: Ku janë areopagët tanë në dioqezën tonë? Cilët janë areopagët që na detyrojnë të jemi të pranishëm sot? Janë kuvendi, gjykata, universitetet, spitalet.

Është shumë e dobishme të jemi më të pranishëm në këto vende, që duhet të ndikojnë pozitivisht në shoqërinë shqiptare. Kur Jezusi na ka thënë: “Ju jeni kripa e tokës…. Ju jeni drita e botës” (Mt. 5, 13.14), ai na ka dëftuar njëkohësisht dinjitetin dhe përgjegjësinë tonë. Kisha nuk është lidhur me asnjë ideologji politike, përderisa kjo e ruan dhe mbron dinjitetin njerëzor, që vetë Zoti ia ka dhuruar njeriut, dhe parimet e krishtera veçanërisht për sa i përket vlerës së jetës njerëzore, familjes, drejtësisë, dhe mbrojtjes së atyre që janë më të dobët dhe të mënjanuar.

Në fjalimin e tij për Korpin Diplomatik, në janar 2004, Papa Gjon Pali II ka thënë: “Mos të harrojmë sa shumë krishterimi ka kontribuar për kulturën dhe institucionet në Evropë: dinjitetin e njeriut, lirinë, shkollat dhe universitetet, shërbime shoqërore…. Dhe edhe para pak kohe, të krishterët, duke promovuar lirinë dhe të drejtat njerëzore, kanë kontribuar për shndërrimin paqësor të regjimeve autoritare dhe për restaurimin e demokracisë në Evropën qendrore dhe lindore”.

2. Sfida e Shekullarizimit

Shekullarizimi është përjashtimi i Zotit në një proces që fillon me përjashtimin e tij, së pari nga jeta shoqërore, si tregohet kur shoqëria pranon situata që qartazi kundërshtojnë vullnetin e Zotit (për shembull kur legalizon abortin ose martesat gay), pastaj nga jeta familjare (për shembull kur prindërit nuk kërkojnë më pagëzimin për fëmijët e tyre ose kur të fejuarit nuk kërkojnë martesë në Kishë) dhe, së fundi, edhe nga jeta personale.

Ne mburremi për faktin se ende shohim shumë të rinj në kishat tona. Por Shqipëria nuk është e përjashtuar nga procesi i shekullarizimit. Duhet të përgatitemi për atë kohë kur Shqipëria do të bëhet më e shekullarizuar. Për këtë arsye, theksoj nevojën që t’i japim shumë rendësi formimit të të rinjve. Meshtarët dhe motrat le të jenë më afër të rinjve: ata janë e ardhmja e Kishës dhe të shoqërisë.

Para disa vitesh sociologët thoshin se procesi i shekullarizimit është i pakthyëshëm (do me thënë se nuk do të ndërpritet: do të vazhdojë pandërprerë). Por sot shumë pohojnë se nuk është ashtu. Për shembull, shqyrtime në Francë, një nga vendet më të shekullarizuar në Evropë, kanë treguar një kthesë të plotë tek të rinjtë, që sot tregojnë më shumë besim tek Zoti dhe më shumë interes në besim, sesa para dhjete vitesh. Prandaj mos të shkurajohemi përballë fenomenit të shekullarizimit.

3. Kultura e individualizmit

Individualizmi është ajo teori që thekson aq shumë lirinë personale sa që injorohet ose nënçmohet dimensioni shoqëror i njeriut dhe përgjegjësia e tij në shoqëri. Politika e Margaret Thatcher në Angli dhe e Ronald Reagan në Amerikë kanë ndikuar shumë për këtë mentalitet individualist. Margaret Thatcher, për shembull, thoshte: “Shoqëria nuk ekziston” (There is no such thing like society) – ekzistojnë vetëm individet. Madje filozofi Jean-Paul Sartre tha se “Ferri është të tjerët” – domethënë: fakti që njeriu duhet të jetojë me të tjerët është një ferr.

Ky mentalitet është në kundërshtim me jetën e krishterë. Sepse Kisha është thelbësisht një bashkësi. Prandaj sot shohim, edhe këtu në Shqipëri, shumë besimtarë që thonë: “S’ka nevojë të shkoj në Kishë për ta nderuar Zotin”. Ose “Zotin mund ta nderoj edhe kur jam vetëm”. Ose: “Fenë e kam në zemër”. Por vetë Zoti ka dashur “që t’i shenjtërojë dhe t’i shpëtojë njerëzit jo individualisht dhe pa asnjëfarë lidhjeje mes tyre, por deshi të formonte prej tyre një popull” (Lumen Gentium n. 9).

Kjo na nxit të kërkojmë në çdo mënyrë të krijojmë një shpirt më komunitar tek besimtarët tanë. Për këtë ndihmojnë shumë lëvizjet, si: Neo-Katekumenët, Fokolarinët, Shoqata Gjoni XXIII, Komuniteti i Shën Egjidios dhe shume shoqata të tjera. Por, edhe liturgjitë tona le të bëhen më shumë rast për t’i bashkuar besimtarët me gëzim.

4. Kultura e konsumizmit

Marksizmi e përkufizonte njeriun si “qenie që prodhon”. Kultura e sotme e përkufizon si “qenie që konsumon”. Madje, prodhimi dhe tregu varet nga konsumi. Në vend të gotës së qelqit, kemi gotë plastike: i përdorim dhe i hedhim poshtë. Para ca vitesh, kishim një celular; doli një model tjetër, që mund të bëjë edhe fotografi, atëherë hedhim poshtë celularin e parë për të blerë modelin e fundit. Pastaj u prodhua i-phone, prandaj e hodhëm edhe celularin e dytë për të blerë një i-phone. Në këtë mënyrë, njeriu po përdoret si mjet konsumimi. Tregu ka nevojë që njeriu të konsumojë. Prandaj tregu vazhdon të prodhojë modele të reja dhe ta nxisë njeriun të konsumojë.

Konsumizmi na sfidon të shpallim lirinë e shpirtit, që gjen shprehje edhe në varfërinë ungjillore. Njeriu ka nevojë për një shëlbim të dytë. Ja, pse Papa Pali VI (Populorum Progressio) dhe Papa Benedikti XVI (Caritas in Veritate) kanë folur për “zhvillimin e tërësishëm të njeriut”, domethënë trupor, mendor, dhe shpirtëror.

Dëshiroj të përfundoj duke përsëritur një fjalë që, në fakt, e kam përsëritur shumë herë: politika mund t’i ndryshojë strukturat, por vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat. Politika mund të angazhohet për drejtësi, por vetëm besimi mund të krijojë vëllazëri. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.