2018-03-16 15:04:00

Françesku fton dy të rinj të Ceis-it në mbledhjen parasinodale të të rinjve


Në mbledhjen parasinodale të të rinjve, që do të mbahet në Romë, nga 19 deri më 24 mars, Papa Françesku fton dy të rinj të Qendrës Italiane të Solidaritetit “don Mario Picchi”. Ndër 300 pjesëmarrësit, të rinjtë e deleguar nga të gjitha konferencat ipeshkvnore të botës, seminaristë e rishtarë, përfaqësues të shoqatave e të lëvizjeve, studentë të shkollave dhe të universiteteve katolike, të botës së kulturës, të vullnetariatit, të politikës e të sportit, por edhe të rinj të besimeve të tjera të krishtera e të feve të tjera, njerëz me probleme fizike e ata, që kanë përjetuar burgun, trafikun e varësinë nga droga. Dy të rinjtë e zgjedhur nga Papa - një djalë e një vajzë - do të sjellin përvojën e tyre të daljes nga varësitë e ndryshme, në takimin, që do të mbahet në kolegjin Maria Mater Ecclesia të Romës.

Luftë kundër të gjitha varësive, nga interneti te lojrat e fatit

         “Është shenjë e mëtejshme dashurie dhe vlerësimi, që na dëshmon Papa Françesku”, komenton kryetari i Qendrës Italiane të Solidaritetit, Roberto Mineo. “E prekëm me dorë këtë gjatë Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës – vijon kreu i qendrës së themeluar nga don Mario Picchi – kur Papa deshi të kalojë një pasdite të tërë më të rinjtë tanë, në Bashkësinë e Shën Karlit, në portat e Castel Gandolfo-s”. “Gjatë viteve të fundit, fatkeqësisht, - shpjegon më tej Mineo – gama e varësive është zgjeruar me shpejtësi. Si të mos e kujtojmë fenomenin e rëndë të varësisë së sëmurë nga interneti, nga blerja e çdo gjëje, nga lojrat e fatit, nga ushqimi dhe nga seksi”.

Respekt për ndryshimet, kundër indiferencës

         Në të gjitha këto forma varësish, “Projekti Njeri”, filozofia e themeluesit, don Mario Picchi, vepron me sukses si terapi. “Besojmë në çdo njeri – pohon kryetari i Qendrës, Mineo – pavarësisht nga cilësitë, kultura, niveli shoqëror, ekonomik e politik i tij. E jona nuk është vetëm terapi apo metodë: i rikthen vlerën identitetit personal, duke respektuar njëkohësisht edhe identitetin e të tjerëve, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin. Është propozim pedagogjik për të respektuar ndryshimet e për t’iu kundërvënë indiferencës, duke e konsideruar larminë si vlerë e burim pasurimi të ndërsjelltë”. E megjithatë, përfundon Mineo, terapitë dhe metodat, sado të reja, ndryshojnë vazhdimisht. E rëndësishme është të mos harrohet objektivi: rilindja e njeriut nga brishtësia ku është zhytyr.








All the contents on this site are copyrighted ©.