2018-03-16 15:19:00

Cantalamessa: bindja ndaj Zotit kërkon edhe bindjen ndaj Shtetit


Pas reflektimeve mbi dashurinë e krishterë dhe përvujtërinë, atë Cantalamessa e përqendroi predikimin e tij të katërt të Kreshmëve, mbajtur në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, mbi temën e bindjes. Meditimi i tij, në praninë e Papës dhe të Kuries Romake, u frymëzua nga fjalët e Shën Palit në Letrën drejtuar Romakëve:

 

“Çdo njeri t’i nënshtrohet autoritetit, që ka mbi vete. Sepse nuk ka pushtet,  që nuk vjen prej Hyjit: ata, që janë, i vuri Hyji. Prandaj ai, që e kundërshton pushtetin, kundërshton rendin e vendosur prej Hyjit” (Rom 13,1).

Bindja ndaj Shtetit: të paguash taksat është detyrë morale  

Apostulli - shtoi predikatari i Shtëpisë Papnore - pohon edhe se “të paguash taksat e të kryesh detyrën tënde ndaj shoqërisë, në përgjithësi, nuk është vetëm detyrë qytetare, por edhe morale e fetare. Është kërkesë – shpjegoi atë Cantalamessa - e urdhërimit për ta dashur të afërmin: “Shteti nuk është entitet abstrakt; përbëhet nga një bashkësi njerëzish”.

Së pari duhet t’i bindesh Zotit

“Nëse nuk i paguaj taksat, nëse e përdhos ambientin, në se i thyej rregullat e trafikut - shtoi - e dëmtoj dhe e shpërfill të afërmin. Po çështja - nënvizoi predikatari - nuk mund të kufizohet vetëm në aspektin e bindjes ndaj shtetit. Duhet shkuar tek bindja themelore, nga e cila burojnë të gjitha format e tjera të dëgjesës, duke përfshirë edhe ato ndaj autoriteteve civile:

“Është, në të vërtetë, një bindje që i përfshin të gjithë - sundimtarë e nënshteas, rregulltarë e laikë - një bindje, që është më e rëndësishme se të gjitha, që mbretëron mbi të gjitha e u jep jetë të gjithave. E kjo nuk është bindja e njeriut ndaj njeriut, por bindja e njeriut ndaj Zotit”.

Duhet t’u bindesh Zotit e njerëzve

Adami - vërejti atë Cantalamessa - është i pabinduri i parë. Ndërsa Krishti, i pari i të bindurve. “Në zanafillë të të gjitha mosbindjeve, është mosbindja ndaj Zotit”. Ndërsa në zanafillë të të gjitha bindjeve, është bindja ndaj Zotit. Por bindja shpirtërore ndaj Zotit nuk të largon nga bindja ndaj autoritetit të dukshëm dhe institucional, përkundrazi - nënvizoi predikatari i Shtëpisë Papnore – e përtërin, e forcon e gjallëron këtë bindje. Bindja ndaj njerëzve - shton akoma - bëhet, atëhere, kriter për të gjykuar nëse njeriu i bindet apo jo Zotit e edhe nëse kjo bindje është e vërtetë.

Ndodh pikërisht si me dashurinë e krishterë. Urdhërimi i parë është ta duash Zotin, por edhe të afërmin. Kush nuk e do vëllain, që e shikon përças - shkruan Shën Gjoni - si do ta dashka Zotin, që nuk e shikon? E njëjta gjë mund të thuhet për bindjen: nëse nuk i bindesh eprorit, që e shikon, si iu bindke Zotit, që nuk sheh? 

Të bësh vullnetin e Zotit

“Të bindesh vetëm atëhere, kur çka thotë eprori përkon pikërisht me idetë tona e me interesat tona, nuk do të thotë t’i bindesh Zotit, por vetvetes, nuk do të thotë të bësh vullnetin e Zotit, por vullnetin vetjak. E gjithë jeta – përfundoi atë Cantalamessa - mund të jetohet nën shenjën e fjalëve: “Ja, po vij, o Zot, të bëj vullnetin tënd!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.