Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Vizita e Papës në viset e Atë Piut. Rupnik: kush do, i njeh plagët

At Rupnik: "Krishti i ngjallur"

15/03/2018 08:30

Lidhja ndërmjet Papës Françesku e atë Piut, të cilin Ati i Shenjtë do ta vizitojë duke shtegtuar të shtunën e ardhshme, në viset e Shenjtit, është tema kryesore e intervistës me atin Mark Rupnik që, së bashku me Qendrën Aletti, realizoi mozaikët në kriptën e re të Kishës së Shën Piut nga Pietrelçina, në San Giovanni Rotondo.

Rreth dymijë metra katrore mozaikësh, realizuar nga atë Mark Ivan Rupnik, drejtor i Qendrës Aletti, 36 kamare me ngjyra të shndritshme, ndërmjet të cilave spikat e arta, pasurojnë Kishën e re të Shën Piut nga Petrelçina, ku ruhet trupi i Shenjtit. U mbart këtu në vitin 2010, një vit pasi Benedikti XVI kishte përuruar  Kishën e re. Për ta nderuar Shenjtin, shtegtari duhet të bëjë një lloj shtegtimi shpirtëror: të ngjitë një pjerrësirë me figurat e Shën Françeskut e të Shën Piut nga Pietrelçina. Pasi të jetë takuar me të dy Shenjtorët, që patën betejat e vështirësitë e tyre, hyn në kriptë, ku kundron jetën e Jezusit  e ku, në një farë mënyre, falë dritës së fortë, që krijohet nga  ari, mund të parashijojë lumninë e Qiellit. Jezuiti slloven, atë Rupnik, në këtë viedo-intervistë, në Vatican News, ndalohet tek kuptimi i mozaikëve në Shën Giovanni Rotondo e tek pikat, ku mendimi i Papës Françesku takohet me atë të Atë Piut:

Ç’e bashkon Papën Françesku me Atë Piun?

Është afërsia e Ungjillit. E Fytyrës së Krishtit, e Zbulesës së Atit, që pret, që bëhet i afërt me çdo njeri, posaçërisht me ata, që janë më të plagosur, që kanë vuajtur më shumë për shkak të historive të tyre, kushteve të tyre… Mendoj se ka shumë afërsi ndërmjet këtyre dy njerëzve.

Nëse do t’ju duhej të zgjidhni një figurë ndërmjet atyre, që keni realizuar, për të folur për Atë Piun, cilës do t’ia vini gishtin?

Është ajo e luftës shpirtërore. Në të Shenjti i ngjet shumë figurës së Krishtit në Gjetseman, por në vend që të mbështetet mbi shkëmb, mbështetet mbi gjunjtë e Krishtit Fëmijë. Edhe kjo figurë mund ta afrojë me Papën Françesku. Mendoj se është një Papë, që i ka shqiptuar shumë herë fjalët “djall” e “tundim”, njeri, që e percepton se në këtë çast historik zhvillohet një betejë e vërtetë shpirtërore e, prej këndej, kërkon edhe një armë shpirtërore.

Kjo vizitë e Papës përkon me 100-vjetorin e plagëve të Atë Piut si dhe me 50-vjetorin e vdekjes së tij. Ç’kuptim kanë plagët, për njeriun e  sotëm?

Ne përgatitemi për ta jetuar humanizmin tonë si dhuratë të vetvetes, duke e jetuar këtë humanitet me dashuri. Kush dashuron, i njeh mirë varrët, plagët, kush nuk dashuron, nuk e di ç’ janë. Po kush do, e di edhe se dhembin fort … Kështu realizohet dashuria në mënyrën e Pashkëve. E atëhere, kur fillon të duash, nisin të duken edhe plagët….  

15/03/2018 08:30