2018-03-15 13:26:00

Papa: larg ryshfeteve, lutja ka nevojë për guxim e duresë


“Guximi e durimi”: janë këto, veçoritë dalluese të lutjes së ndërmjetësimit, që duhet t’ia lartojmë Zotit “lirisht, si bij”. E nënvizoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë. Pikënisja ishte Leximi I, shkëputur nga Libri i Daljes: biseda  e Zotit me Mosiun për apostazinë e popullit të tij.

Mosiu nuk është rob i logjikës së ryshfetit

Profeti kërkon ta bindë Zotin të heqë dorë nga qëllimet zemrake kundër popullit. Sepse ai e ka braktisur lumninë e Zotit të gjallë, për të adhuruar viçin e artë. Në dialogun plot gjallëri që zhvillon, Moisiu mundohet t’i argumentojë kërkesat e veta, duke i kujtuar Atit mrekullitë, që bëri për njerëzit e tij, të cilët i nxori nga Egjipti, nga skllavëria, e edhe besnikërinë e Abrahamit e të Isakut. Në fjalët e tij, gjatë këtij ballafaqimi sy për sy, duket qartë kujdesi e dashuria e profetit për popullin e vet. Moisiu nuk hyn “në lojën e ryshfetit”, nuk dorëzohet para mundësisë për ta shitur ndërgjegjen. E kjo i pëlqen Zotit - saktësoi Papa - “kur Zoti shikon një shpirt, një njeri që lutet e lutet e lutet për diçka, që lutet e nuk shitet, Zoti emocionohet thellësisht”.

“Unë nuk jam nga ata, që marrin ryshfete! Jam me popullin. E jam sidomos me Ty”. Kjo është lutje ndërmjetësimi: lutje, e cila argumenton, ka guximin t’ia thotë në sy Zotit, që ëshë i durueshëm. Duhet duresë në lutjen e ndërmjetësimit: nuk mund ta lejojmë ndokënd të lutet për ne, e pastaj ta përfundojë gjithçka me një Atynë e një Falemi Mëri e të shkojë qetë-qetë në punë të vet. Jo. Nëse ti thua se po lutesh për një tjetër, duhet të ecësh në këtë udhë. E duhet durim i madh.

Durim e ngulm në lutje

Për fat të keq, në jetën e përditshme, nuk janë të rralla rastet kur drejtuesit  e flijojnë pa ngurrim sipërmarrjen, mjaft që të shpëtojnë interesat e tyre, llogaritë e tyre. Po Mosiu nuk hyn në logjikën e “ryshfetit”, ai është me popullin e lufton për popullin. Shkrimet Shenjte janë plot me shembuj “force shpirtërore” e aftësie “për të shkuar përpara me durim”. Mjafton të kujtojmë gruan kananease dhe të verbërin në dalje nga Jeriko.

“Për lutjen e ndërmjetësimit duhen dy gjëra: guxim, domethënë parresia - çiltërsi; guxim e durim. Nëse dua që Zoti ta dëgjojë fjalën, që po i them, duhet të shkoj e të shkoj e të shkoj e t’i trokas në portë, e t’i trokas në zemër Zotit, të trokas aty…sepse është zemra ime, që troket në zemër të Tij. Por nëse zemra ime nuk troket për këtë nevojë, nevojën e njeriut, për të cilin lutem, nuk do të kem as guxim e as duresë.

Duhet të flasë zemra, jo goja

Papa Françesku tregon, kështu, udhën e lutjes së ndërmjetësimit: duhet të lutesh me zemër, të luftosh, të shkosh përpara, të agjërosh!

“Zoti na e dhashtë këtë hir. Hirin të lutemi para Tij lirisht, si bij; e të lutemi me ngulm, me ngulm e me durim. Por, sidomos, duke e ditur se po flasim me Atin tonë, e se Ati do t’ia vërë veshin lutjes sonë. Zoti na ndihmoftë të përparojmë në këtë lutje ndërmjetësimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.