2018-03-15 15:51:00

Islandë: hebrenjtë, të krishterët e myslimanët i kundërvihen ndalimit të synetit


Organizatat e krishtera, hebraike e myslimane në Evropë i shqetëson propozimi i paraqitur në Parlamentin islandez, për ta ndaluar synetin e meshkujve, pa porosi mjekësore.

Nëse propozimi do të shndërrohet në ligj, prindërit do të dënohen deri në gjashtë vjen burgim po të kremtojnë ritin fetar të synetit për  fëmijën e tyre të seksit mashkullor. Kjo nismë shikohet jo vetëm si dhunim i së drejtës themelore njerëzore të lirisë së fesë ose të besojmës, por perceptohet edhe si sinjal, që tregon se ardhanikët hebraikë ose myslimanë, nuk janë më të dëshiruar në ishull.

Praktikë fetare e hebraizmit, islamit e disa Kishave ortodokse

Syneti praktikohet prej mijëra vjetësh në bashkësinë fetare, në të gjithë spektrin e fesë; karakteristikë themelore e praktikës fetare, si në judaizëm, ashtu edhe në islam, e edhe në disa tradita të krishtera, si ajo e Kishës ortodokse etiope dhe e Kishës ortodokse eritrease, nuk është ceremoni opcionale, por zemër e praktikës fetare, me të cilën fëmijët meshkuj pranohen në gjirin e fesë.

Syneti duhet praktikuar ligjërisht

“Është e rëndësishme që syneti të praktikohet ligjërisht, në një mjedis të përshtatshëm e të sigurt në këndvështrimin mjekësor, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i fëmijës” - pohon kryetari i Konferencës së Kishave Evropiane, Cec, ipeshkvi Christopher Hill, i cili vijon: “Nuk duhet të harrojmë  se e drejta për t’i përkitur e për t’u edukuar sipas traditës fetare të familjes, njihet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e të Miturve (neni 1,14 e 29). Kujton, gjithashtu se, në një mori vendesh, syneti është procedurë mjekësore standard me frymë laike, që mund të ketë edhe pasoja pozitive. Prandaj nuk mund të thuhet se është dhunim i papranueshëm i integritetit fizik. Për më tepër, një kufizim i tillë i lirisë së fesë ose besojmës, nuk mund të përligjet me arsyetime  objektive.

Kisha katolike i mbron të drejtat  e fëmijëve

Kardinali Angelo Bagnasco, kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee) kujton edhe se Kisha katolike angazhohet posaçërisht në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, që përfshijnë edhe të drejtën-detyrë të familjes për t’i edukuar fëmijët sipas bindjeve të tyre fetare. “Kjo nismë i kundërvihet lirisë fetare dhe parimeve demokratike të  një shoqërie civile”- pohon.

Përfaqësuesit kryesorë të bashkësisë hebraike dhe islame e konsiderojnë propozim kundër tyre. E edhe ligj, që duket sikur synon të ndalojë praktikimin e fesë për këto dy bashkësi, tejet të përhapura gjithandej, duke i fryrë zjarrit të ksenofobisë jo vetëm në Islandë, por edhe në botë. Në një botë  fetarisht e kulturalisht të larmishme, duke frymëzuar nisma të kësaj natyre edhe në vise të tjera evropiane e përtej tyre. E jo më pak, rrezikun e nxitjes së antisemitizmit e islamofobisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.