2018-03-14 09:57:00

Ribotohen “Relacione e dokumente pёr historinё e Shqipёrisё (1610-1650)” tё Prof. Injac Zamputtit


Këtyre ditëve u ribotuan vëllimet e para tё Prof. Injac Zamputtit, me titullin: “Relacione mbi gjendjen e Shqipnisё Veriore e tё Mesme nё shekullin XVII”, që përmban vëllimin e parё (1610-1634) tё vitit 1963 dhe vëllimin e dytё (1634-1650) të vitit 1965.   Meqenëse janë burim i rëndësishëm pёr historinë mesjetare tё Shqipërisë, u botuan përmes Albanisches Institut nё St. Gallen – Zvicër nga botuesi Albert Ramaj  dhe shtëpia botuese “Faik Konica” nё Prishtinë – Kosovë.

Po mё hollësisht mbi rëndësinë e përmbajtjen e ribotimit tё kësaj vepre, si dhe tё rejave qё sjell, flet djali i studiuesit prof. Injac Zamputti,  i cili e ka përgatitur ribotimin, Jozef Zamputti, ta dëgjojmë nё mikrofonin e don dom David Gjugjёs...

Prof. Jozef Zamputti, pse u ribotuan dy vëllimet dhe cila është rëndësia e veprës së re? 

Gёzohem qё jam kёtu, para kёtij mikrofoni, ku ka folё edhe baba im.

Kёto relacione e dokumente janё vёllimet e para tё botuara nga autori, Injac Zamputti, me titullin: “Relacione mbi gjendjen e Shqipnisё Veriore e tё Mesme nё shekullin XVII”. Vёllimi i parё (1610-1634) botuar mё 1963 dhe vёllimi i dytё (1634-1650) botuar mё 1965. Meqenёse janё burim i rёndёsishёm pёr historinё mesjetare tё Shqipёrisё e, meqё kanё kaluar shumё vite nga botimi i tyre e nuk gjenden lehtё nё qarkullim, menduam t’i ribotojmё tё dy vёllimet nё njё tё vetёm.

Tani botohen me titullin “Relacione e dokumente pёr historinё e Shqipёrisё (1610-1650)”. I kam sjellё nё formatin e vёllimeve tё mёvonshme tё autorit me origjinalin dhe pёrkthimin nё tё njejtёn faqe nё dy shtylla dhe me shёnimet pёrkatёse nё fund tё çdo faqeje. Nuk kam ndёrhyrё nё gjuhёn e pёrkthimit tё pёrdorur nga autori qё ёshtё gegёrisht. Deri nё fund tё viteve ’60 lejohej pёrdorimi i dialektit gegё, siç shihet edhe nё punimet e tjera tё autorit tё asaj periudhe. Nё relacione jepen tё dhёna mjaft tё rёndёsishme mbi infrastrukturёn kishtare, sikurse mbi pozicionin gjeografik, vendndodhjen dhe shtrirjen e dioqezave, gjendjen e kishave katedrale, numrin e famullive, vendosjen topografike tё famullive e kishave, si dhe emërtimin e secilës prej tyre.

Nga këto relacione mësojmë emrin e pajtorit tё këtyre kishave, meshtarin ose famullitarin qё e administronte, gjendjen fizike e ekonomike tё saj, tё dhëna mbi pronat (toka e livadhe), mbi tё ardhurat, mbi taksat e inventarin e pajisjeve dhe orendive kishtare, mbi jetën fetare, arsimore e politike tё klerit, numrin e përbërjen e popullsisë etj., problemet e konvertimit nё islamizëm, problemet e numrit tё pakёt dhe përgatitjes sё klerit vendas etj. etj.

Çfarë mund të na thoni rreth përmbajtjes që ka vepra “Relacione e dokumente pёr historinё e Shqipёrisё (1610-1650)”. Vёllimet hapen me njё sqarim timin pёr lexuesin se si kam punuar pёr ribotimin e kёtyre vёllimeve. Mё pas ёshtё parafjala e botuesit Albert Ramaj tё cilin e falёnderoj nё mёnyrё tё veçantё, pa dashamirёsinё e tё cilit ky ribotim do tё ishte i pamundur. Botimi ёshtё i Albanisches Institut nё St. Gallen – Zvicёr dhe shtёpisё botuese “Faik Konica” nё Prishtinё – Kosovё. Vёllimet hapen me “Parathanien” e autorit ku tregon mёnyrёn se si ka punuar mbi relacionet dhe dokumentet qё botohen; rreth 6 faqe. Mё pas ёshtё punimi i autorit “Shёnime mbi randёsinё e relacioneve si burim pёr historinё e vendit tonё” prej 22 faqesh ku tregohet randёsia e kёtyre relacioneve dhe dokumenteve pёr historinё e Shqipёrisё.

Mё pas fillon vёllimi I (1610-1634) me indeksin e relacioneve e dokumenteve; 39 tё tilla; 336 faqe. Ndёr to veçojmё: Relacionin e Marin Bicit pёr vizitёn nё dioqezet e Shqipёrisё e Serbisё (1610); Relacionin e Mariano Bolicёs mbi gjendjen nё sanxhakun e Shkodrёs (1614); Relacionin e Gjergj Bardhit mbi vizitёn nё Dukagjin, Pult e Kelmend (1634) etj.  Vёllimi mbyllet me indeksin e emrave tё njerёzve e vendeve treguar me numrin e dokumentit dhe tё fletёs dhe me burimin arkival, bibliografinё dhe autorёt e relacioneve e dokumenteve.

Vёllimi II (1634-1650) njёlloj fillon me indeksin e relacioneve e dokumenteve: 114 tё tilla; 330 faqe. Veçojmё: Relacionin e Bonaventura Palacolo mbi gjendjen nё malёsinё e Pultit (1634); relacionin e Frang Bardhit mbi vizitёn nё krahinёn e Pukёs (1637); relacionin e Gjergj Bardhit mbi vizitёn nё dioqezёn e Tivarit (1637); nё dioqezёn e Serbisё sё Poshtme (Kosovё) (1638) etj. Nё fund autori ka vёnё “Terminologji” ku sqaron disa terma fetare, kishtare etj. qё pёrdoren nё dokumente e nё pёrkthim. Edhe ky vёllim mbyllet me indeksin e emrave, burimin arkival etj.

 Tё dy vёllimet mbyllen nё fund me punimin e Z. Kastriot Marku “Injac Zamputti – themeluesi i diplomatikёs dhe i shkollёs historiografike moderne shqiptare”, tё cilin marrim rastin ta falёnderojmё pёr kёtё punim tё hollёsishёm qё i bёn figurёs sё autorit si njeri e si historian. 

Çka mund të veçoni nga ribotimi i ri, diçka që është e panjohur për lexuesin?

Po ju lexoj dokumentin nr. 19 tё vëllimit tё parё i vitit 1624. Pjesë nga njё relacion i ipeshkvit tё Lezhёs, Benedikt Orsinit.

Vdekja e priftit shqiptar D. Markut prej Kishaj,

Prifti Mark prej Kishaj, fshat i dioçezit tё Shkodrёs, i lindun prej njё familje tё ndershme dhe me arёsim tё mirё, me qё ishte famullitar i fshatit tё sipёrthanun dhe i disa fshateve aty pёr rreth, e kishte zakon çdo vjet, mbasi t’u kishte dhanё ndihmat shpirtnore deleve tё veta e bamё Pashkёt, tё transferohej pёr disa muej … ndёr male tё Mbi Shkodrёs pёr t’u dhanё po ato ndihma atyne popujve qё janё katolikё pa priftёn. Tue e vazhdue kёtё zakon tё vet, ngjau qё, mё 1624, disa turq, tё cilёt ishin bamё anmiq tё tij sepse nuk u bante dhurata si kёrkonin ata, e zunё rob njё mbramje nё shtёpinё e tij, dhe e çuen nё Shkodёr tё lidhun me pranga. Po atё natё, nё kёtё qytet, ata dёrguen fshehtas disa njerёz pёr ta nxitё qё tё paguente po tё donte me qenё lirue, por ai nuk pranoi, o sepse nuk kishte tё holla pёr ta ble lirinё, o sepse kishte besim nё pafajsinё e vet.

Si e panё kёtё anmiqtё e tij, e nxorёn prej burgut dhe e çuen nё gjykatore tё kadiut, i cili asht gjyqtari i turqve. Aty ata e paditёn pёr rebelim e thonin se çdo vjet ai shkonte nё mes tё popujve rebelё tё sulltanit pёr tё shestue kёrcnime kundёr qytetit tё Shkodrёs. Dhe, pёr ta provue kёtё gnjeshtёr tё tyne, qitёn njё letёr tё shkrueme atij prift Markut prej imzot Domenikut, ipeshkvit tё Shkodrёs (letёr tё zanun rrugёs prej njё farё D. Teodori prej Tivarit, kryekёcyem dhe tё hequn nga zyrja) nё tё cilёn letёr ipeshkvi i urdhёnonte qё t’i dёrgonte 8 mijё saraga, qё janё peshq nё madhёsi tё sardelёs. Ata e interpretonin atё letёr si donin vetё e thonin se nuk ishte fjala pёr 8 mijё saraga, por pёr 8 mijё burra qё do tё bashkoheshin me njerёzit e detit pёr dam tё sulltanit. Kadiu, si u kujtue pёr hilen e turqve dhe pёr pafajёsinё e atij prifti, tha se drejtёsisht nuk mund ta dёnonte. Kur e ndёgjuen kёtё turqit, thanё se, mbasi nuk mund ta fiknin me veshjen e drejtёsisё, do tё vepronin edhe ma keq. Dhe tё tёrbuem djallёzisht e nxorёn jashtё prej asaj gjykatorje dhe e ngrehёn rrёshqanё tue i u kёrcnue, me shpatё nё dorё, se do ta vrisnin nё se nuk i binte moh fesё menjёherё. (Kёtu I. Zamputti e ka ndёrprerё dhe e ka pёrmbledhur nё disa rreshta pёr arsyet e asaj kohe, mbasi ishin vitet e burgimeve dhe ekzekutimeve tё shumё klerikёve dhe po pёrgatitej ndalimi i fesё, mbyllja e objekteve tё kultit dhe vala e re e persekutimeve ndaj klerikёve. Por autori e ka lёnё nё dorёshkrim tё ngjitur nё vendin pёrkatёs tё librit personal tё tij. Dhe vazhdon kёshtu).

Por ai, pasi ra nё gjuj dhe çoi sytё nga qielli me shumё lot, tha se donte tё vdiste me atё Ungjill qё qysh prej lindje e kishte shpallё (besue). Prandej, pasi turqit e ndёgjuen kёtё, menjёherё njeni prej tyne e goditi me njё shish nёn shpatull dhe me njё tjetёr nё fyt, dhe vrasja u krye edhe prej tё tjerёve me tagan dhe armё tё tjera, ndёrsa ai thirrte Shёn Mёrinё Madalenё, pajtore e kishёs sё vet, dhe recitonte versetin: nё dorё tande, o Zot… Pasi vdiq shёrbtori i Zotit nё moshёn e vet rreth 40 vjeçare, me urdhnin  e vetё atyne turqve qe bartё prej disa arixhijve nё breg tё lumit tё Bunёs pёr ta fshehё mbrenda, por, si erdhёn tё krishtenёt, qё ma parё ishin marrё vesh me turqit, me njё shumё tё hollash, ua hoqёn nga duert arixhijve dhe e çuen nё kishёn e Shёn Mёrisё Madalenё, famulli e tij, ku e vorrosёn. Si u hap vorri pas 3 vjetёve pёr tё vendosё mbrenda njё tё vdekun tjetёr, trupi i tij qe gjetё i plotё (i paprekun) dhe, me sa bisedohet botёnisht midis atyne tё krishtenёve, nё ditё tё sotme shihen nё vendin ku qe vra, qё asht nё mesin e pazarit (sheshit) tё Shkodrёs, gjurmё tё gjakut tё tij qё, pёr njё kohё tё gjatё ka qёndrue i paprishun dhe i paparekun nga çdo lloj kafshe si janё macet, qentё dhe mizat, me çudinё edhe tё vetё tё pafeve.

A keni ndonjë plan tjetër për botime të reja nga veprimtaria e historianit prof. Injac Zamputti?

Kam pёrfunduar edhe dy libra tё tjerё qё, sipas premtimit tё Z. Albert Ramaj, sё shpejti do tё shohin dritёn e botimit. Janё: Pёrmbledhja e punimeve tё Injac Zamputtit qysh me tezёn e doktoraturёs (1940) [Teza e doktoraturёs nё universitetin e Triestes titullohet: “700-a Veneciane dhe Arbёria Turke”. Kjo doktoraturё nuk iu njoh asnjёherё gjatё regjimit komunist] e deri te punimet e botuara pas vdekjes sё tij nё revistat e ndryshme shkencore ; dhe “Kujtimet” e shkruara nga vetё ai tё ndara nё dy pjesё tё mёdha: para luftёs (1910-1944) dhe pas luftёs (1944 – 1992).

Faleminderit juve.

JOZEF   ZAMPUTTI

Romё, 09.03.2018

 








All the contents on this site are copyrighted ©.