2018-03-14 14:55:00

Papa, taoistëve: dialogu na bën ta kërkojmë më mirë Absolutin


Para audiencës së përgjithshme, Papa Françesku takoi një delegacion taoist të Tempullit Bao’an të Taipeit (Tajvan), i impenjuar në një sërë bisedimesh me Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar. Delegacioni shoqërohej nga sekretari i dikasterit vatikanas, imzot Miguel Angel Ayoso Guixot dhe nga zv.sekretari, don Indunil Kankanamalage.

         “Jam i kënaqur – tha Papa në përshëndetjen e tij – me punën e përbashkët tuajën e të Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar. Është jo vetëm dialog idesh, por edhe dialog njerëzor, i njeriut me njeriun, gjë që na ndihmon të bëhemi më të aftë në rrugën tonë të kërkimit të Absolutit”.  Ati i Shenjtë i falenderoi taoistët për praninë e tyre dhe për ftesën që të shkojë për vizitë në Tajvan.

         Delegacioni i dhuroi Papës Françesku një kuadro, që riprodhon tempullin taoist Bao’an të Taipeit, ndërsa Ati i Shenjtë u dha disa medalje të papnisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.