2018-03-14 15:25:00

Kard. Filoni: reforma e Kishës në kuptimin misionar


“Të mos harrojmë se është Shpirti Shenjt, ‘dominum et vivificantem’, ai që e nxit papushim Kishën drejt purifikimit të vazhdueshëm dhe reformimit të vetvetes, në mënyrë që të ecë përpara pa u kushtëzuar nga pesha e strukturave historiko-kulturore, tashmë të shterpëta, e t’i shpejtojë hapat në rrugët e sotme të familjes njerëzore, gjithnjë e më të thepisura e më të vështira”. Kancelari i madh i Universitetit Papnor Urbanian, kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, hapi kështu, dje, punimet e Konferencës ndërkombëtare “Reforma në Kishë, reforma të Kishës”, që mbahet deri nesër në ateneun misionar.

Inkulturimi i Ungjillit për zhvillimin e gjithanshëm të popujve

         Kardinali kujtoi “veçorinë shumëkulturore të Urbanianës”: “Protagonistët e saj, studentë dhe pedagogë, janë edhe ata vetë bartës së tharmeve të ndryshme të urgjencës për t’u përtërirë e të shndërrimit misionar të Kishës, frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Këtu shoh, gati të përmbledhur, skenarin e Kishave të popujve, të kombeve e të kontinenteve, që, si Prefekt i Kongregatës misionare, vizitoj e njoh sidomos për impenjimin në rrënjosjen e Ungjillit në kulturat përkatëse, në mënyrë që ai të banojë në to e t’i lartojë”. Gjendja aktuale e botës, nënvizoi kardinali, kërkon që inkulturimi i Ungjillit t’i humanizojë shpirtërisht kulturat e ndryshme, për një zhvillim të gjithanshëm të popujve.

Papa: reforma e Kishës në dalje misionare

         Kisha e Krishtit i mbetet gjithnjë besnike mandatit të marrë prej Tij. Prandaj, kardinali Filoni nënvizoi se konferenca e këtyre ditëve ecën me të njëjtën vendosmëri si Papa Françesku për ta bërë konkrete “reformën e Kishës në dalje misionare”, kushti i parë për një etapë të re ungjillëzimi.

         “Papa – theksoi kardinali – nuk i kupton ‘reformat në Kishë’ dhe ‘reformën e Kishës’ si heqje dorë me oportunizëm nga elemente historike të traditës e as si leje për hyrjen e erërave të ndryshueshme e kontradiktore të relativizmit, të shekullarizmit, të reduksionizmit, të irenizmit, etj., prirje të ‘botës reale’ e të ‘botës së internetit’. Ai i kupton reformat si ‘shndërrim misionar të Kishës’. Kjo është pra, ‘reforma e Kishës’ që bën të lindin ‘reforma në Kishë’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.