2018-03-14 13:37:00

Françesku shpjegon “Atynën”, lutja e bijve të Zotit


Duke vijuar katekizmin kushtuar Meshës Shenjte, në audiencën e sotme të përgjithshme Papa u përqendrua plotësisht mbi “Atynën”. Lutje, që na e hap zemrën për bashkimin me Zotin e me vëllezërit. Duke e thënë, kërkojmë bukën tonë të përditshme, paqen, faljen e hirin për të falur.

Të thuash ‘Atynën’ domethënë të lutesh si Jezusi

 “Në Darkën e Mbrame - kujtoi Papa – Jezusi, pasi mori bukën dhe kelkun e verës dhe iu fal nderës Zotit, e dimë se theu bukën”. Me këtë veprim, në liturgjinë eukaristike të Meshës, përkon thyerja e Bukës, e paraprirë nga lutja, që na e mësoi vetë Zoti.

Kështu fillojnë ritet e Kungimit - kujtoi Papa - duke zgjatur lavdërimin  dhe Lutjen eukaristike, me shqiptimin e Atynës. Kjo - sqaroi Ati i Shenjtë - nuk është njëra nga lutjet e shumta të krishtera, por lutja e bijve të Zotit.  Duke na u dorëzuar ditën e pagëzimit tonë, “Atyna” bën të na jehojnë në shpirt të njëjtat ndjenja, që provoi vetë Jezu Krishti.

E quajmë Ati ynë, por a ndjehemi vërtet bij?

E quajmë Atë - kujtoi Papa - sepse përmes ujit e Shpirtit Shenjt “rilindëm si bij”. Por sa herë ka njerëz që e thonë “Atynën” e nuk e dinë çka thonë? Sepse po, është Atë, po ti a e ndjen se Ai është Atë, Ati yt, Ati i njerëzimit, Ati i Jezu Krishtit? Ti, a ke lidhje me këtë Atë? “Ah…jo, nuk e kisha menduar këtë”. Kur ne themi Atynën, lidhemi me Atin, i cili na do, por është Shpirti Shenjt ai, që na e siguron këtë lidhje, këtë ndjenjë të birit ndaj Atit.

Marrim guximin t’i drejtohemi Zotit, duke e thirrur “Atë”

Të formuar sipas mësimit të Tij hyjnor, marrim guximin t’i drejtohemi Zotit, duke e thirrur “Atë” , sepse u rilindëm si bijtë e Tij përmes ujit dhe Shpirtit Shenjt. Askush - kujtoi Papa në vijim të katekizmit të audiencës së përgjithshme - nuk mund ta thërrasë në mënyrë familjare “Abbà”, pa qenë i lindur nga Zoti, pa frymën e Shpirtit Shenjt, siç na e kujton Shën Pali (Rom 8.15).

Hiri i dijes për të falur

“Cila lutje më e mirë  se kjo, që na e mësoi Jezusi, mund të na bëjë gati për bashkimin sakramentor me Të? Përveçse në Meshë, Atyna thuhet në mëngjes e në darkë, në uratët e agut e të muzgut, e kështu  sjellja bijnore ndaj Zotit e vëllazërore ndaj të afërmve, na ndihmojnë t’u japim trajtë të krishterë ditëve tona”.

Në lutjen e Zotit - vijoi të shpjegojë Papa gjatë katekizmit të audiencës - kërkojmë “bukën tonë të përditshme”, që na kujton menjëherë edhe Bukën eukaristike, për të cilën kemi nevojë, që të jetojmë si bij të Zotit. Lutemi edhe për faljen e “borxheve tona”. E, që të bëhemi të denjë  për faljen e Zotit, angazhohemi ta falim atë, që na fyen. Kështu, ndërsa na e hap zemrën për Zotin, “Atyna” na gatit edhe për dashurinë vëllazërore.

Paqja me Zotin e me vëllezërit

Së fundi, i kërkojmë akoma Zotit të na lirojë prej gjithë të këqijave, që na ndajnë prej Tij e prej vllezërve tanë. E kuptojmë menjëherë se këto janë kërkesa shumë të përshtatshme, që na gatisin për Kungimin Shenjt.

Në të vërtetë - vijoi katekizmin e audiencës Papa - çka kërkojmë në Atynë, zgjatet në lutjen e meshtarit që, në emër të të gjithëve, i kërkon Zotit: “Lirona, o Zot, nga gjithë të këqijat, jepu paqe ditëve tona”. E pastaj vë një lloj vule në ritin e paqes; së pari i lutet Krishtit që dhurata e paqes – aq e ndryshme nga ajo e botës - ta bëjë Kishën të rritet në bashkim e paqe, sipas vullnetit të Tij; së fundi, me gjestin konkret, të shkëmbyer ndërmjet nesh, shprehim bashkimin kishtar dhe dashurinë e anasjelltë, para se të marrim Kungimin. Në ritin romak, shkëmbimi i shenjës së paqes, i përdorur që në lashtësi para Kungimit, kushtëzohet nga Kungimi. Sipas këshillës së Shën Palit, nuk mund ta marrim Bukën, që na bën një Korp i vetëm me Krishtin, pa u pajtuar me dashuri vëllazërore. Paqja e Krishtit nuk mund të rrënjoset në një zemër të paafatë për ta jetuar vëllazërimin e pa e ripërtrirë, pasi e plagosi.

Jezusin e njohim në të thyer të bukës

Gjesti i paqes pasohet nga thyerja e bukës e cila, që nga kohët apostolike i dha emrin mbarë kremtimit eukaristik. E kryer nga Jezusi në Darkën e Mbrame, thyerja e bukës është gjesti, që u krijoi dishepujve mundësinë ta njohin pas Ngjalljes. Kujtojmë dishepujt e Emmaus, të cilët, duke folur për takimin me Jezusin e ngjallur, rrëfejnë “se e njohën në të thyer të bukës”.

Thyerja e Bukës eukaristike shoqërohet nga lutja e “Qengjit të Zotit” figurë me të cilën Gjon Pagëzuesi e tregoi me gisht Jezusin, “atë, që shlyen mëkatin e botës”. Figura biblike e qengjit flet për shpërblim. Në Bukën eukaristike, të thyer për jetën e botës, asambleja në lutje pranon Qengjin e vërtetë të Hyjit, domethënë Krishtin Shëlbues dhe i lutet: “Ki mëshirë për ne… na  e jep paqen ne!”.

“Ki mëshirë për ne… na  e jep paqen ne!”.

“Ki mëshirë për ne - epnae paqen ne - kujtoi Papa në përfundim të katekizmit – janë lutje të cilat, që nga “Atyna” deri tek thyerja e Bukës, na ndihmojnë ta përgatisim shpirtin për të marrë pjesë në sofrën eukaristike, burim bashkimi me Zotin e me vëllezërit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.