Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

10-vjetori i Chiara Lubich. Kard. Parolin: karizëm gjithnjë aktuale

Chiara Lubich - RV

14/03/2018 14:36

“Chiara ishte shoqe, motër, nënë, njeri përplot me Zotin e shumë e thjeshtë”: me këto fjalë, kryetarja e Lëvizjes së Fokolarëve, Maria Voce, kujton themeluesen, Chiara Lubich, në 10-vjetorin e vdekjes.

Zgjedhja e Zotit të vetëm, ideal i jetës

Lindur në Trento, në vitin 1920, Chiara ia kushtoi jetën Zotit në moshën 23 vjeçare e, pikërisht në qytetin e saj, formoi përreth vetes bashkësinë e parë sipas modelit të të krishterëve të origjinës, që karakterizoheshin nga bashkimi i plotë i të mirave materiale e shpirtërore.

 “Zgjedhim Zotin si të vetmin ideal të jetës sonë, ideal që nuk zhduket”, u thoshte shoqeve të veta, ndërsa kufijtë e asaj përvoje zgjeroheshin me shpejtësi në Itali dhe në Evropë. Përshpirtëria e unitetit, themel i karizmës, depërtonte edhe në Kishat e besimet e tjera të krishtera, duke i dhënë jetë atij, që u quajt “ekumenizmi i popullit”.

Vëllazërim universal

 “Dy gjëra na mëson Chiara, që në fillim të Lëvizjes – nënvizon Maria Voce – se Zoti është Ati i të gjithëve e se, për rrjedhojë, ne jemi të gjithë vëllezër”. Ideali i Chiara-s për dashurinë ungjillore sipas modelit të Jezusit, pra, deri në dhurimin e jetës, me kohë, arriti t’i bëjë për vete njerëzit e feve të tjera e, madje, edhe jo besimtarët, që “u bënë pjesë e familjes së madhe të Lëvizjes”, duke gjetur tek ajo burimin e frymëzimit dhe nxitjen për të bashkëpunuar në mbrojtjen e vlerave universale si paqja, drejtësia, liria, ruajtja e Gjithësisë.

Forca shpirtërore e Chiara-s në shërbim të Kishës

Një forcë e madhe shpirtërore, e aftë të tërheqë pas vetes njerëz me moshë, prejardhje shoqërore dhe kultura të ndryshme: ky ishte tipari kryesor i Chiara-s e frytet e punës së saj shihen edhe sot në Kishë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke kujtuar bindjen dhe përvujtërinë e themelueses së Fokolarinëve, vë në dukje se edhe Papët, duke filluar me Palin VI, e kanë mbështetur dhe inkurajuar gjithnjë Lëvizjen. Për “impenjim të vazhdueshëm në arritjen e bashkimit në Kishë, në dialogun ekumenik dhe në vëllazërimin e popujve”, shkruante Benedikti XVI në telegramin e dërguar me rastin e funeralit të Chiara-s. Jeta e saj, vijonte teksti, “kaloi në dëgjimin e nevojave të njeriut bashkëkohor, me besnikëri të plotë ndaj Kishës dhe Papës”.

Stili marian  dhe koncepti i unitetit

 I dyfishtë, kontributi i Chiara-s për Kishën, sipas kardinalit Parolin: ajo u thellua dhe e gjallëroi “profilin marian të Kishës, po aq sa atë apostolik”, si edhe dëshmoi një mënyrë të re për bashkimin e të krishterëve. “Të gjithë të jenë një, që bota të besojë” – kjo thënie e Krishtit u realizua dhe u bë e mundur falë “sekretit” të dashurisë, që duhet dhënë e marrë, “rregull e artë”, që vetë Jezusi na mësoi, duke na kërkuar “të mos u bëjmë të tjerëve çka nuk duam të na bëjnë neve”.

Qindra, përkujtimet e 10-vjetorit në botë

Sot, 10 vjet pas vdekjes së Chiara-s, për të cilën ka nisur Çështja e lumnimit dhe e shenjtërimit, veprimtaria e saj vazhdohet nga anëtarët e Lëvizjes – më se 2 milionë, të shpërndarë në 182 vende. Ata e kremtojnë këtë përvjetor me nisma të shumta në katër kontinentet. Në Romë, në orën 18.30, prefekti i Kongregatës për jetën rregulltare, kardinali Braz de Aviz, kryeson meshën për shpirt të Chiara-s.

14/03/2018 14:36