2018-03-12 13:00:00

Papa Françesku shpreh ngushëllimet për vdekjen e kard. Lehmann


“Kontribuoi në plazmimin e jetës së Kishës dhe të shoqërisë”. Kështu e kujton Papa Françesku kardinali Karl Lehmann, ipeshkëv i nderit i Mainz-it, i cili u nda dje nga kjo jetë, në moshën 81-vjeçare.

Në një telegram ngushëllimi, dërguar pasardhësit të kardinalit në dioqezë, imzot Peter Kohlgraf, Ati i Shenjtë shkruan: “Me dhimbje, mora vesh lajmin e vdekjes së Hirësisë së Tij, kardinalit Karl Lehmann. Ju shpreh juve dhe besimtarëve të dioqezës së Mainz-it ngushëllimet e mia më të ndjera, duke siguruar lutje për prelatin, që Zoti e ka thirrur pranë vetes, pas një sëmundjeje të rëndë e vuajtjesh të mëdha. Në veprimtarinë e tij të gjatë si teolog e ipeshkëv, si edhe si kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, ka kontribuar në plazmimin e jetës së Kishës dhe të shoqërisë. Gjithnjë i ka pasur për zemër pyetjet dhe sfidat e kohës, duke dhënë përgjigje dhe orientime sipas mesazhit të Krishtit, për t’i shoqëruar njerëzit në udhën e tyre e për të kërkuar gjithçka bashkon, përtej kufijve të feve, bindjeve e shteteve. Jezusi, Bariu i Mirë, i dhashtë shërbëtorit të tij besnik plotësimin e begatinë e jetës në mbretërinë e Tij qiellore. Nga zemra, ju jap juve dhe atyre, që vajtojnë dhe e kujtojnë në lutje kardinalin e ndjerë, Bekimin apostolik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.