2018-03-12 16:52:00

Inkurajimi i Papës për ipeshkvijtë latinë të rajoneve arabe


Audienca me Papën Françesku e shtegtimi në bazilikat e Shën Pjetrit, të Shën Marisë së Madhe e të Shën Palit jashtë Mureve, “ku u lutëm për forcimin e fesë së besimtarëve tanë, që jetojnë në gjendje të vështirë, sidomos në Siri, Irak, Palestinë, Somali dhe Jemen”: këto, çastet më të rëndësishme të Asamblesë së ipeshkvijve latinë të Rajoneve arabe (Celra), mbajtur në Romë, në përkim edhe me vizitën e tyre ad Limina në Vatikan.

Inkurajimi i Papës dhe i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit

         Në komunikatën përfundimtare, ipeshkvijtë e ardhur nga Egjipti, Siria, Iraku, Libani, Jordania, Palestina, Izraeli, Qipro, Xhibuti, Somalia dhe Gadishulli Arabik, nënvizojnë se Papa Françesku i ndjek me vëmendje ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe i shoqëron të krishterët e zonës me lutje e punë të palodhur për paqen, drejtësinë, dialogun ekumenik dhe ndërfetar. I njëjti kujdes, edhe nga Sekretaria e Shtetit. “Gjatë takimit me kard. Parolin, u informuam mbi marrëveshjet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Izraelit, për të cilat është biseduar gjatë 24 vjetëve, por akoma nuk janë nënshkruar – shkruajnë ipeshkvijtë. – Vonesa në firmosje varet pjesërisht nga kriza e fundit ndërmjet Bashkisë dhe Kishave të Jeruzalemit, për shkak të taksave”.

Përgatitjet për Sinodin kushtuar të rinjve

         Një pjesë e punimeve të asamblesë së ipeshkvijve të ritit latin iu kushtua edhe Sinodit mbi të rinjtë, që do të mbahet në tetor në Vatikan. Pasi diskutuan për dokumentin përgatitor, ata zgjodhën delegatin e tyre si edhe dy të rinj, që do të përfaqësojnë dioqezat në mbledhjen parasinodale, nga 19 deri më 24 mars, në Romë.

Kujtimi i martirëve

         Ipeshkvijtë shprehin kënaqësinë për lumnimin e ardhshëm (26 maj në Piaçenca të Italisë) të motër Leonella Sgorbati, misionare e Zojës së Ngushëllimit, martirizuar në Mogadisho, në vitin 2006. “Duke menduar për jetën e kësaj murgeshe dhe të mijëra martirëve për fenë – shkruajnë ata – kujtojmë se gjaku i tyre është burim inkurajimi e shprese në impenjimin tonë në favor të të varfërve. Përshëndesim me respekt dhe dashuri kongregatat fetare, meshtarët dhe besimtarët, që punojnë në gjendje dramatike, duke pasur parasysh sidomos Misionaret e Dashurisë, motrat e Nënë Terezës, që vazhdojnë shërbimin e tyre në Jemen”. Asambleja e ardhshme e Celra-s do të mbahet në Kajro, në shkurt 2019.








All the contents on this site are copyrighted ©.