Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa në Bashkësinë e Shën Egjidit: kapërceni kufij e mure, për t’u bashkuar

Papa në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere - AP

11/03/2018 19:25

“Përvjetor i krishterë”, jo për të bërë bilance, por për ta shndërruar fenë në guxim të ri për Ungjillin”, për të kapërcyer kufij e mure, në shërbim të bashkimit, në emër të Ungjillit. Kjo, udha për të ardhmen, treguar nga Papa Françesku  Bashkësisë së Shën Egjidit, të cilën e vizitoi në selinë e saj romake të Trasteverit, me rastin e 50 vjetorit të themelimit.

Nën një shi të rrëmbyer, që vijoi të reshej mbi Romë gjithë pasditen, Papa arriti në Sheshin e Shën Marisë pak pas orës 16.30 e, para se të hynte në Bazilikën, ku bashkësia lutet çdo mbrëmje, u përshëndet nga presidenti Marco Impagliazzo. Përballë një turme të pafundme prej 60 mijë përfaqësuesish të anëtarëve të bashkësisë, ardhur nga qytete të ndryshme të Italisë e të mbarë botës,  të rinj, miq të varfër të Bashkësisë, ndërmjet të cilëve, edhe refugjatë të pranishëm këtu përmes korridoreve humanitare, pleq e fëmijë të “Shkollave të Paqes”, njerëz të gjymtë të laboratoreve të artit, të pastrehë, të strehuar nga Bashkësia, presidenti nënvizoi se është e trishtuar t’i shikosh të varfërit si klientë e jo si vëllezër dhe e siguroi Papën se bashkësia ëndërron një Kishë, nga e cila nuk përjashtohet askush, që kështu mëshira e Zotit të mund t’i prekë të gjitha zemrat.

Papa i përshëndeti dhe i porositi ta kenë zemrën përherë të hapur për të gjithë, pa asnjë dallim. E u uroi gjitha të mirat për familjet e tyre, për ëndrrat e tyre.

Në bazilikë, takimi mori formën e Liturgjisë së Fjalës që, siç kujtoi pak më parë Impagliazzo -  është busulla  e Bashkësisë.

Gjatë homelisë, Papa e ftoi Bashkësinë e Shën Egjidit ta jetojë këtë përvjetor jo vetëm si përkujtim të së kaluarës, por sidomos, si manifestim gazmor të përgjegjësisë drejt së ardhmes. Foli, më pas, për talentin e bashkësisë, që përmblidhet në tri fjalë: “lutja, të varfërit, paqja”. E, duke kujtuar shëmbëlltyrën e talentave, u ndalua tek figura e shërbëtorit, që nuk e investon talentin e tij nga frika. “Si bota e sotme, shpesh e pushtuar nga frika e nga inati, frikë, që sulet mbi të huajin, të ndryshmin nga ne, mbi të varfërin, si të ishte armik”.

Nëse jemi vetëm, edhe ne të krishterët - kujtoi - mund të pushtohemi lehtë nga frika. Po bashkësia juaj ju ndihmon për ta parë ardhmërinë së bashku me Kishën, sepse është bijë e Koncilit II të Vatikanit. 

E pastaj Papa Françesku kujtoi një mori luftërash të hapura e, sidomos, dhembjen e popullit sirian - pasuar nga një duartrokitje e stuhishme e gjithë pjesëmarrësve. - Nënvizoi, më pas, rëndësinë e Fjalës së Zotit, që i mbrojti shënegjidasit nga tundimi i ideologjisë e sot i mbron nga frika.  Prandaj - shtoi - ju nxis ta doni gjithnjë më shumë Biblën. Secili nga ju do të gjejë në të burimin e mëshirës për të varfërit, të plagosurit nga jeta e nga lufta. Kjo është përshpirtëria, që vjen nga Koncili e që të mëson mëshirën e madhe e të vëmendshme për mbarë botën.

Në këto 50 vjet - vijoi - bota është bërë globale, por nëse ekonomia dhe komunikimi u unifikuan, për shumëkënd, posaçërisht për të varfërit, u ngritën mure të reja, e larmia e tyre vijon të bëhet shkak për armiqësi. Duhet ndërtuar, prandaj, globalizimi i solidaritetit e i shpirtit. Ardhmëria e botës është jeta e përbashkët; ky ideal kërkon impenjim për të ndërtuar ura, për ta mbajtur të hapur dialogun, për të vijuar të takohemi. Nuk është thjesht fakt politik e organizativ. “Të gjithë jemi të thirrur  të ndryshojmë zemrën, duke e shikuar me mëshirë tjetrin, për t’u bërë artizanë të paqes e profetë të mëshirës”.

Mos thoni kurrë - vijoi Françesku - “e po unë, ç’hyj këtu?”, sepse jemi vëllezër të të gjithëve e, për këtë, profetë të një bote të re. Nuk është koha për bilance sot, është kohë e guximit të ri për Ungjillin, për misionin në qytet e në botë.

Sot, përfundoi Papa, të vijojmë me guxim ecjen në këtë rrugë!

Ju jeni të Krishtit - ishte përshëndetja përfundimtare e Françeskut drejtuar popullit të Shën Egjidit - e duhet të jeni gjithnjë të Krishtit, në lutje, në kujdesin për vëllezërit më të vegjël e në kërkimin e paqes, sepse Krishti është Paqja jonë!

Para orës 18.00, Papa u largua nga Bazilika e nga Sheshi i Shën Marisë në Trastevere, për t’u rikthyer në Vatikan!

11/03/2018 19:25