Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Imzot Frano Gjini e martirët tjerë të 11 marsit 1948

Martiret e Kishes katolike shqiptare - RV

11/03/2018 14:39

Kujtojmë më 11 mars një grup martirësh të fesë katolike, vrarë nga komunistet te Zalli i Kirit, në periferi të Shkodrës, më 11 mars 1948.  Që kujtimi i tyre të mos humbasë, por të bëhet shembull për breznitë e sotme e ato të ardhshme, është detyrë, ti kujtojmë shembujt e ndritur të Fesë e të Atdheut, sot ndërmjet tyre kujtojmë Imzot Frano Gjinin, Atë Mati Prendushin e Atë Çiprjan Nikën, të cilët tashmë janë shpallur të Lumë, duke u lartuar në nderimet e Elterit nga Kisha katolike.

Ishte pra data 11 mars e vitit 1948 kur shkodranët e tmerruar dëgjuan përsëri të shtëna mitralozi te Zalli i Kirit. Flijoheshin këtë ditë për Krishtin e për Shqipërinë, përveç tre meshtarëve të lartpërmendur, edhe Monsinjor Nikollë Deda bashkë me 12 besimtarë katolikë. 

Imzot Frano Gjini:
Lindi në Shkodër në vitin 1886. Pasi kreu Kolegjin Saverian, vijoi studimet në Universitetin Urbanian në Romë. Menjëherë pas shugurimit u kthye në Atdhe dhe filloi shërbimin meshtarak si famullitar në Laç, Vlorë e Durrës. Më 1930 u emërua Ipeshkëv i Durrësit; dy vjet më vonë - Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës me selí në Orosh; më 1945, pas largimit të delegatit apostolik, Imzot Nigris, nga Shqipëria, u emërua nga Selia e Shenjtë zëvendës-delegat apostolik. Ishte e para herë që një shqiptari i besohej një detyrë kaq e lartë.
U arrestua në tetor 1946 me akuzën "agjent i Vatikanit" së cilës s'munguan t'i shtoheshin edhe akuza të tjera. Gjeti në qeli pjesën kryesore të sivëllezërve në meshtari. Por atij, si zëvendës-delegat, iu bë një trajtim i posaçëm: mbi trupin tij komunistët eksperimentuan të gjitha llojet e torturave, për ta bindur ta shkëpuste Kishën katolike nga Selia e Shenjtë. Qëndroi si shenjtë, derisa e pushkatuan më 11 mars 1948, duke ia këputur brohoritjen e fundit: "Rrënoftë Krishti mbret! Rrënoftë Shqipnia, edhe pa ne!". 
Selia e Tij nuk mbeti e zbrazët: pas Imzot Angelo Massafrës, që tani i prin kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, Papa Gjon Pali II emëroi Imzot Kristofor Palmierin, rregulltar nga Bitonto (Bari), Ipeshkëv të dioqezës së Rrëshenit.

Monsinjor Nikollë Deda:
Lindi në Shkodër më 1892. Mësimet e para e të mesme i kreu në vendlindje, pranë Kolegjës Saveriane, të lartat- në Romë (Itali) e në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 1917: Shërbeu në Qelës (Pukë) e Hajmel. Gjatë këtyre viteve, për shërbim shembullor meshtarak, iu dha titulli Monsinjor. 
U arrestua në dhjetor 1946. E torturuan aq, sa kur i sollën në qeli një meshtar tjetër e nuk e njohu ai, me një humor tragjik, i tha: "Mos harro se dikur kam pasë kenë dom Nikollë Deda". E gjykuan me akuzat e zakonshme në një gjyq-farsë. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 11 mars 1948.

Atë Mati Prendushi:
Lindi në Shkodër më 1882. Mësimet e para e të mesme i kreu në Shkollën françeskane; të lartat, në Grac-Austri. Meshën e parë e çoi më 1904. Më 1911 ishte pranë Dedë Gjo'Lulit, në sa ky shpaloste në majë të Deçiqit flamurin shqiptar, larë me gjakun e bijve të vet. Jugosllavët e dënuan me vdekje si atdhetar i flakët, por më pas ia falën dënimin. Shërbeu si famullitar në Bajzë, Gomsiqe, Tiranë e Shkodër, ku më 1943 qe provinçal i fretënve.
U arrestua nga komunistët më 1946 e u dënua rishtas me vdekje, këtë radhë nga bashatdhetarët e vet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut. U pushkatua më 11 mars 1948 te Zalli i Kirit.

Atë Çiprjan Nika:
Lindi në Shkodër më 19 korrik 1900. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, të lartat - në Austri. U shugurua meshtar më 1924. Më 1938 qe provinçal i fretërve; nga viti 1943 deri më 1936 - guardian i kuvendit françeskan në Shkodër. U arrestua më 1946 me akuzën e fshehjes së armëve në kishën françeskane, armë të vendosura aty nga vetë sigurimi, histori që është shtjelluar gjerë e gjatë nga Nikë Stajka, i pranishëm në këtë skenë kulmore të tragjedisë së Kuvendit të Gjuhadolit, në librin "Dera e Thyeme".
U pushkatua pa gjyq më 11 mars 1948.
Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar shenjt, i përvuajtur, i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim. 
 

11/03/2018 14:39