2018-03-10 08:30:00

Selia e Shenjtë: dinjiteti i fëmijëve në rrezik. Të drejtat njerëzore duhen mbrojtur!


“Dinjiteti i fëmijëve tanë është në rrezik e intersat e të miturve duhet të jenë gjithnjë në plan të parë, në çdo rrethanë humanitare”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Ivan Jurkovič, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, duke folur, këto ditë, para sesionit të 37-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, me temë: “Të drejtat e fëmijëve”. Duke kujtuar 70-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave Njerëzore, që kremtohet sivjet, Prelati nxiti bashkësinë ndërkombëtare, qeveritë dhe mbarë shoqërinë civile të bashkëpunojnë, pa asnjë kusht, për mbrojtjen e fëmijëve, me bindjen se “ardhmëria është pikërisht në duart e tyre të njoma”.

535 milionë fëmijë vuajnë pasojat e katastrofave humanitare

Imzot Ivan Jurkovič citoi fjalët, që ua drejtoi Françesku, në vitin 2013, pjesëmarrësve në Javën Shoqërore të Katolikëve Italianë: “Një popull, që nuk kujdeset për pleqtë e vet, për fëmijët e vet e për të rinjtë e vet, nuk ka të ardhme, sepse keqtrajton si kujtesën, ashtu edhe premtimin për të ardhmen”. Si kujtoi të dhënat, pa harruar të përmendë edhe progresin, ipeshkvi shprehu shqetësimin e tij, duke pasur parasysh se në vitin 2017, rreth 335 milionë fëmijë vuajtën pasojat e katastrofave humanitare: të konflikteve të armatosura, krizave lokale e fatkeqësive të natyrës, që po krijojnë valë të reja refugjatësh, emigrantësh e të shpërngulurish brenda vendeve të tyre.

Viktima të mundshme të shfrytëzimit

Tepër shpesh fëmijë të pafajshëm, që u përkasin kryesisht pakicave etnike e fetare, janë emigrantë e refugjatë, që rrezikohen të bëhen viktima të individëve e organizatave pa skrupuj, objekt shpërdorimesh, kontrabande, shfrytëzimi seksual, pune të detyruar, trafiku të organeve ose rekrutë në ndeshjet e armatosura”. Është fjala për situata, që lënë gjurmë të tmerrshme mbi vitet e rritjes, mbi formimin e zhvillimin psiko-fizik të breznive të tëra".

Krijohet rreziku i krijimit të breznive të humbura. Jo, kulturës së hedhurinës

Shpesh - kujtoi kryeipeshkvi Ivan Jurkovič - këta fëmijë lindin e rriten të paregjistruar gjëkundi, gjë që ua mbyll rrugën e edukimit e të zhvillimit. Ata janë në rrezik të shtojnë radhët e breznive të humbura. Ilaçi më i mirë - vijon - është parandalimi i humbjes së këtyre breznive, gjë që mund të realizohet përmes sigurimit të qytetarisë së tyre, të shëndetit, edukimit, zhvillimit kulturor dhe mbrojtjes të të drejtave njerëzore. “E kemi tashmë një kuadër juridik ndërkombëtar për mbrojtjen e fëmijëve. Por që mbetet për t’u zbatuar!”.

Ipeshkvi Ivan Jurkovič uron, në përfundim, që çdo fëmijë të mund ta gëzojë dinjitetin njerëzor të dhuruar nga Zoti. E, fton të refuzohet kultura e hedhurinës, që e poshtëron botën tonë dhe ushqen babëzinë, korrupsionin, dhunën, luftërat, zvetënimin ambiental.








All the contents on this site are copyrighted ©.