2018-03-09 12:15:00

Imzot Hollerich është kryetari i ri i Comece-s


Kryeipeshkvi i Luksemburgut, imzot Jean Claude Hollerich, u emërua kryetar i Comece-s, organizmit, që mbledh në Bruksel delegatët e konferencave ipeshkvnore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Jezuit, me përvojë të madhe në studim e mësimdhënie në Japoni, imzot Hollerich u caktua si kryeipeshkëv i Luksemburgut nga Papa Benedikti XVI, më 12 korrik 2011 e do të mbetet në krye të Comece-s për pesë vjet me radhë.

Imzot Hollerich: “të krishterët, qytetarë të impenjuar në Evropë”

Duke komentuar zgjedhjen e tij, imzot Hollerich nënvizoi se “është gati të punojë së bashku me gjithë njerëzit vullnetmirë për respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”. Konfirmohet edhe impenjimi i dialogut me institucionet evropiane për një plan për paqen mbi bazën e së mirës së përbashkët. “Të krishterët nuk janë grup interesi, që flet në favor të feve”, theksoi kryetari i ri, “por janë qytetarë evropianë të impenjuar në ndërtimin e Evropës, të shtëpisë sonë të përbashkët”.

Kard. Marx: “Kisha në Evropë ndërton ura”

Kryetari i mëparshëm i Comece-s ka qenë kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Mynihut dhe Frizingës, i cili e ka kryer këtë detyrë për gjashtë vjet. Kisha në Evropë “ndërton ura ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet njerëzve dhe opinioneve”, pohoi kardinali me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të Comece-s, e cila zgjati tri ditë e përfundoi sot. Ai theksoi rëndësinë e rolit të ipeshkvijve në një kontinent, që po përjeton një fazë “tensioni politik” dhe problemesh shoqërore. Emblematike analiza e tij, publikuar në gazeta të ndryshme katolike.

“Në rajonet shumëformëshe të Evropës – nënvizoi kardinali Marx – shoqëria dhe bota politike e shohin njëra-tjetrën me sy kritik. Nga njëra anë, shumë evropianë perëndimorë e dënojnë gjithçka e përceptojnë si dhunim të shtetit të së drejtës e të demokracisë në vende të rëndësishme të Evropës qendore e lindore. Nga ana tjetër, shumë evropianë të Lindjes e kritikojnë Perëndimin se ka hequr dorë nga identiteti i vet e nga rrënjët e krishtera. Por, ka edhe më: nganjëherë ata e shohin Bashkimin Evropian, si formë e re mbizotërimi të huaj”.

Së fundi, kardinali bën thirrje për unitet, duke nënvizuar se Lindja e Perëndimi kanë nevojë për njëri-tjetrin. Detyrë, që do ta çojë tani përpara, kryetari i ri i Comece-s, pasi e mori atë në dorëzim gjatë një “Meshe për Evropën” në katedralen e Zojës së Sablonit në Bruksel.








All the contents on this site are copyrighted ©.