2018-03-09 13:57:00

Atë Cantalamessa: përvujtëria është betejë, që vijon gjithë jetën


“Të jesh vërtet i përvuajtur, do të thotë të kesh zemrën e Krishtit”. Zoti e do të përvuajturin, sepse i përvuajturi është në të vërtetën”. Ndërsa mendjemadhësia, më shumë se arrogancë, është gënjeshtër. E, gjithçka që tek njeriu nuk është përvujtëri, është rrenë! Në predikimin e tretë të Kreshmëve, mbajtur në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, në praninë e Papës Françesku dhe të Kuries Romake, atë Raniero Cantalamessa hyri në horizontet e pafundme  të përvujtërisë së krishterë, duke vënë në qendër të reflektimit të tij, Shën Palin, që na kujton:

“Mos e vlerësoni veten më shumë se duhet, por vlerësojeni në mënyrë  të përkorë, sipas masës së drejtë të vlerësimit. Mos e çmoni tepër lart vetveten!”(Rom 12,3.16).

Përvujtëria të afron tek e vërteta

Duke e përqendruar predikimin mbi temën: “E mos vlerësoni tepër lart  vetveten!”, Atë Cantalamessa nënvizoi se njeriu, duke u përulur, i afrohet së vërtetës. Vetë Shën Pali na rrëfen çka zbulonte, kur zbriste në greminat e vetvetes, në fund të zemrës:

“Zbuloj në vetvete - thoshte - një ligj tjetër…, zbuloj se mëkati banon në mua… Jam një qyqar i shkretë! Kush do të më çlirojë?” (krh Rom 7,14-25)

Përvujtëria, strehë që të mbron nga mëkati

Ligji tjetër, që kujton Shën Pali, është mëkati i vetëlavdatës, i vetëmburrjes. Në fund të udhës së tatëpjetë, njeriu nuk zbulon përvujtërinë, por mendjemadhësinë. Përvujtëri - shton atë Cantalanmessa - do të thotë të zbulosh se, për shkak të keqpërdorimit të lirisë sonë,  jemi rrënjësisht mendjemëdhenj. E jemi kështu për faj tonë, jo të Zotit.

Ta zbulosh këtë pikarritje, ose, të paktën ta soditësh nga larg, përmes Fjalës së Zotit, është hir i madh. I jep paqe e siguri shpirtit. Ashtu si të jep, në kohë lufte, zbulimi i një strehe të sigurt poshtë shtëpisë sate, që të mbron nga bombardimet.

Përvujtëri do të thotë t’ia hapësh zemrën tjetrit

Atë Cantalamessa kujtoi edhe fjalët e Shën Angela da Foligno, që i nxiste bijtë e saj shpirtëror ta provonin ç’do të thotë të jesh asgjë:

“O asgjë e panjohur, asgjë e panjohur! Shpirti nuk mund të ketë vegim më të mirë në këtë botë, sesa të kundrosh asgjënë tënde e të banosh në të, si në një qeli burgu”.

“Mbyllja në këtë burg - vërejti predikatari i Shtëpisë papnore - ndryshon nga mbyllja në vetvete”. Do të thotë të hapesh për të tjerët, në objektivitetin e sendeve:

“Zbulohet, atëhere, se ekziston me të vërtetë kjo qeli, ku mund të hysh  vërtet sa herë që dëshiron. Ajo është në ndjenjën e qetë e paqtore që provon kur vetvetja të duket një asgjë, një askush mendjemadh! Kur je brenda qelisë së këtij burgu, nuk shikohen më as të metat e të afërmit, ose shikohen në një dritë tjetër”.

Maria, model i pakalueshëm i përvujtërisë

Vetëm Jezusi mund të deklarojë se është “zemërpërvuajtur”, e edhe të jetë me të vërtetë. Në Marinë - shpjegoi Atë Cantalamessa - përvujtëria është një mrekulli e pashoqe hiri. Mbi përvujtërinë e Nënës së Zotit, kujtoi posaçërisht çka shkroi për të Martin Luteri:

“Ndonëse Maria e pranoi në vetvete veprën e madhe të Zotit, e mbajti këtë ndjenjë për vete, që të mos lartohej përmbi asnjë njeri të kësaj toke… Këtu duhet kremtuar shpirti i Marisë, mrekullisht i pastër, që ndërsa i bëhet një nder kaq i madh, nuk bie në tundim, por si të mos e shihte fare, mbetet në udhë të drejtë”.

Përvujtëria kalon nëpër udhën e poshtërimeve

Statuti i virtytit të përvujtërisë - nënvizoi atë Cantalamessa - është i veçantë: “E ka, kush nuk beson ta ketë, e nuk e ka, kush beson se e ka”. Nuk mund ta mbytësh ti vetë mburrjen tënde. “E nuk duhet të besojmë se e kemi arritur përvujtërinë, vetëm pse Fjala e Zotit e Maria na kanë udhëhequr në udhën e zbulimit të asgjësë sonë”:

“Në ç’pikë përvujtërie kemi arritur me të vërtetë, shikohet kur nisma kalon nga ne, tek të tjerët, domethënë, kur nuk i zbulojmë vetë të metat e veset tona, por na i zbulojnë të tjerët, kur nuk jemi të aftë vetëm ta themi të vërtetën, por edhe ta dëgjojmë nga të tjerët. Shihet, me fjalë të të tjera, në qortimet, korrigjimet, kritikat, poshtërimet”.

Përvujtëria ndërton Kishën

Kjo e përvujtërisë - përfundoi predikatari i Shtëpisë papnore - është luftë, që zgjat gjithë jetën. Mendjemadhësia është e aftë të ushqehet si nga e mira, ashtu edhe nga e keqja, mbijeton në çdo situatë, në çdo klimë. Në këtë betejë, siç na kujton filozofi Pascal, vetëlavadata është armik i gjithëpranishëm:

“Kotësia ka rrënjë aq të thella në zemrën e njeriut, sa edhe një ushtar, një shërbëtor milicësh, një kuzhiner, një hamall, mburret e pretendon se ka admiruesit e tij; e deri vetë filozofët nuk shpëtojnë prej saj. E ata që shkruajnë kundër vetëmburrjes, mburren se kanë shkruar mirë, ndërsa ata, që i lexojnë, mburren se i kanë lexuar: unë, që i shkruaj këto, ushqej, ndoshta, të njëjtën dëshirë, e ndoshta ndoshta, edhe ata, që më lexojnë”.

Në këtë betejë Zoti e ndihmon njeriun me një ilaç. Që njeriu të mos e lartojë veten, Zoti e ngul mbi dhe me një lloj spirance. E i vë barrë të rënda mbi kurriz. E këto barrë mund të jenë një e metë, një sëmundje, një ligështi, që na e lë Zoti. Barrë, të cilat kanë pushtet ta zhveshin lakuriq brishtësinë tonë, ta rrënojnë mburrjen tonë. Përvujtëria - përfundoi atë Cantalamessa - nuk është e rëndësishme vetëm për përparimin tonë në udhën e shenjtërisë, por është themelore për jetën e bashkësisë, për ndërtimin e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.