2018-03-08 07:00:00

Siri. Motër Marta: Ghouta në dorë të ekstremistëve. Të lutemi për të gjithë


Eprorja e trapisteve të Azeir, përshkruan situatën në Damask, ku vijojnë bombardimet e rebelëve e të qeverisë. OKB-ja kërkon hyrjen e ndihmave në Ghouta.

Sekretari i OKB-së, Antonio Guterres, u drejtoi një thirrje të gjitha palëve në konflikt në Siri, duke u kërkuar të lejojnë hyrjen e karvaneve me ndihma humanitare, parashikuar për nesër, në Ghoutën lindore, lagje periferike, e kontrolluar nga rebelët dhe e rrethuar nga forcat qeveritare. Ndërsa shtrëngohet morsa në zonën e rebelëve, gjatë bombardimeve - sipas OKB-së - janë vrarë deri më sot më se 700 civilë. Ndërsa burimet vendase flasin për qindra viktima, edhe ndërmjet popullsisë së lagjeve të Damaskut, të goditura nga bombat e raketat lëshuar prej rebelëve. Unicef njofton se vetëm në muajtë e parë të 2018-tës, në Siri u vranë më se njëmijë fëmijë.

Mesazhi i motrave trapiste

“E dimë se rebelët e Ghout-ës pranuan t’i lënë të lirë civilët, por, si shkëmbim, kërkuan ndihma humanitare. Kjo do të thotë se nuk janë të lirë të dalin” - denoncon motër Marta Fagnani, eprore e trapisteve të Azeir, një fshat i vogël sirian, në kufi me Libanin, në gjysmë të rrugës ndërmjet Homsit e Tartus.

Bashkësia e vogël e motrave trapiste, pak ditë më parë, tërhoqi vëmendjen mbi situatën dramatike në terren, përmes një mesazhi drejtuar Agjencisë Fides, në të cilin bënte thirrje për fundin e luftës, duke kujtuar se edhe se një pjesë e Damaskut, e kontrolluar nga qeveria dhe e vizituar shumë herë nga rregulltaret, vijon të jetojë nën breshërinë e bombave, që mbjellin viktima e i pengojnë fëmijët të shkojnë në shkollë. Motër Marta flet edhe në mikrofonin tonë! Është thirrje që kërkon solidaritet nga të gjithë, mesazhi i saj:

“I takojmë vazhdimisht njerëzit, e shikojmë se vuajnë për të gjitha pasojat, që i kemi kujtuar: vuajnë nga frika, pasiguria përballë vdekjes, që mund të vijë nga  çasti në çast, krejt rastësisht. E çka i bën të vuajnë më shumë, është se nuk shikojnë solidaritet të vërtetë për këtë tip vuajtjeje, që po e mbart prej kohe kjo popullsi tejet e persekutuar. Që jeton nën bomba e raketa, të cilat shkëmbehen nga Ghouta e mbi Goutën e kontrolluar nga rebelët islamistë e integralistë. Ne lutemi për të  gjithë, edhe për integralistët. Zgjedhja e së mirës dhe e së keqes është vërtet mister. Prandaj nuk mund të gëzohemi për vdekjen e askujt!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.