2018-03-08 10:50:00

Gratë për lulëzimin e shoqërisë e të kishës


Ka kaluar shumë vite nga 8 marsi i vitit 1976, datë kur për herë të parë Kombet e Bashkuara kremtuan Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Pas sa e sa vjetësh kemi shumë arsye për t’u gëzuar. Është arritur një progres i vërtetë në vlerësimin e rolit të gruas në të gjitha fushat e jetës, që nga miratimi i ligjeve më të përshtatshme, tek pjesëmarrja e saj në jetën familjare, shoqërore e politike; nga Konferenca e Kajros “Mbi popullsinë dhe zhvillimin” – tek “Plani i veprimit” i Pekinit; nga pavarësia ekonomike, pa të cilën nuk mund të kuptohen e aq më pak të sigurohen të drejtat e gruas – tek emancipimi kulturor i saj.

Por Dita Ndërkombëtare e Gruas kremtohet çdo vit jo vetëm për të kujtuar sukseset. 8 Marsi na kujton edhe se për mijëra gra, në të katër anët e botës e në veprimtari nga më të ndryshmet, që nga punët e shtëpisë, brenda katër mureve, tek drejtimi i shteteve, jeta e përditshme mbetet e vështirë, ndërsa beteja për barazinë me meshkujt (burrat) nuk është fituar ende plotësisht në të gjitha Vendet e Shtetet e botës; madje dita e fitores është ende e largët!

“Do të vijë koha e koha ka ardhur, në të cilën thirrja e roli i gruas të zhvillohen plotësisht, koha në të cilën gruaja të fitojë në shoqëri ndikimin, rrezatimin, fuqinë që nuk i ka pasur asnjëherë deri më sot”. Kështu shkruhet në “Mesazhin” që i besohet grave nga Koncili II i Vatikanit në ditën e mbylljes së tij më 8 dhjetor 1965.

Po, në ç ‘pikë jemi sot, pas mase tridhjetë e sa vjetësh? Sigurisht sot gruas i njihet dinjiteti i barabartë me burrin edhe në planin juridik e shoqëror. Në parim, pozita e saj në udhëheqjen e familjes, është e barabartë me atë të bashkëshortit. Përveç rolit të saj si bashkëshorte e si nënë, gruaja mund të realizojë vetveten edhe në aspektin e fushën profesionale, duke punuar jashta mureve të shtëpisë. Por, pavarësisht nga këto arritje, nuk mund të mos pranojmë se mbi kurrizin e grave rëndojnë edhe sot e kësaj dite dallime, përjashtime, refuzime, që kapërcehen me vështirësi, si në jetën shoqërore, ashtu edhe në atë fetare, në atë kishtare.

Në jetën shoqërore vërehet se gratë e kanë shumë më vështirë se burrat të specializohen profesionalisht dhe të zënë poste me përgjegjësi në jetën publike të shoqërisë. Papunësia godet kryesisht gratë, të cilat shpesh, për të njëjtën punë, paguhen më pak se meshkujt. Por ka edhe më keq: poshtërimi më i madh që i bëhet gruas, është plagë që duhet shëruar njëherë e përgjithmonë, në të gjithë sektorët e të të gjitha shoqërive.

Më 7 shkurt 2015, në Vatikan, Papa Françesku priti në audiencë pjesëmarrësit e Asamblesë plenare të Këshillit Papnor të Kulturës, në përfundim të punimeve mbajtur mbi temën “Kulturat femërore: barazitë e dallimet”. Në qendër të punimeve ishte pikërisht roli i gruas. “Bëhet fjalë për studimin e kritereve e të modaliteteve të reja në mënyrë që gratë të ndjehen jo mysafire por pjesëmarrëse me të drejtë të plotë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore e kishtare”.

“Kjo – vuri në pah Papa Bergoglio – është sfida e cila nuk mund të shtyhet më”. “Kulturat femërore: barazitë e dallimet”, “e kam shumë përzemër këtë çështje”, shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio. Një mesazh ky i fortë dhe i qartë që Papa Françesku u drejton: “barinjve të komuniteteve të krishtera, por edhe të komuniteteve laike të shoqërisë, që në mënyrë të ndryshme janë të angazhuara në kulturë, në edukim, në ekonomi, në politikë, në botën e punës, në familje, në institucione fetare”.

“Jam i bindur - tha Papa Françesku në audiencën plenare të dikasterit papnor të Kulturës - se duhet t’u ofrojmë urgjentisht hapësirë grave në jetën e Kishës e t’i pranojmë, duke pasur parasysh tiparet dhe sensibilitetin e veçantë të tyre kulturor e shoqëror”. “Uroj, tha mes tjerash Ati i Shenjtë Bergoglio, një prani femërore më të madhe, më të fuqishme e më të rëndësishme në Komunitete, në mënyrë që të mund të shohim më shumë gra të përfshira në përgjegjësitë baritore, në përcjelljen e njerëzve, të familjeve e të grupeve, e po kështu edhe në reflektimin teologjik”.

Për herë të parë një këshill papnor, ai i Kulturës udhëhequr nga kardinali Ravasi, i kushtoi një sesion temës së barazisë ndërmjet gjinive në struktura kishtare. Me kërkesë të Papa Françesku, në këtë takim morën pjesë anëtarë të dikasterit vatikanas e shumë përfaqësuese të botës femërore: sociologe, filozofe, teologe, historiane e tjera. Sugjerimet e reflektimet e kësaj asambleje shërbejnë për Sinodin e ardhshëm kushtuar Familjes. Një shembull konkret ky i një kursi të ri të historisë që vlerëson, më të drejtë, më shumë rolin e vlerën e grave, edhe në gjirin e Kishës.

Shpesh, pyetët e çfarë mund t’i japë gruaja e krishterë, me gjeninë e vet femërore - shprehje, kjo, e famshme, e Papës Gjon Palit II - shoqërisë perëndimore e cila shpesh i vlerëson gratë më shumë për bukurinë fizike, sesa për atë shpirtërore? Duke folur për gjeninë femërore, nuk duhet harruar se gruaja ka një mision të veçantë, pikërisht si grua. Sot ky mision shpesh harrohet, kundërshtohet, posaçërisht nga teoria e ‘gender’ (gjinisë), ose vihet në diskutim, madje edhe në mjedise të krishtera, posaçërisht, në ato që kanë vulë feministe. Besojmë se posaçërisht për këtë, gruaja e krishterë duhet të jetë në plan të parë në zgjidhjen e çështjes antropologjike që, siç na e kujton Papa Joseph Ratzinger në Enciklikën  e tij ‘Caritas in Veritate’ – është çështja e sotme sociale. 

Atëherë besojmë se gruaja e krishterë e ka për detyrë ta kultivojë këtë ekologji njerëzore – tjetër shprehje e Papës Wojtila, kjo, e cituar, pastaj, edhe nga Benedikti XVI e Papa Françesku – të kultivojë vizionin korrekt të njeriut, që është një i vetëm, me trup, me mendje, me shpirt; prej këndej, duhet vendosur një ekuilibër i drejtë ndërmjet këtyre tre elementeve tek njeriu, duke përfshirë edhe marrëdhëniet burrë-grua.

Në kohë krize, gruaja ka një rol të posaçëm në përpjekjen për t’i dhënë fytyrë njerëzore  shoqërisë dhe ekonomisë, në atë kuptim që e gjejmë tek mendimet e Benediktit XVI, në “Caritas in Veritate”, duke rizbuluar përmasën e dhurimit, të ndihmës falas, pa kurrfarë interesi, pa të cilën nuk mund të funksionojë as tregu.








All the contents on this site are copyrighted ©.