2018-03-08 13:07:00

Emigracionet, Papa Françesku: angazhime konkrete për të çliruar skllevërit e sotëm


Emigracionet, Papa Françesku: angazhime konkrete për të çliruar skllevërit e sotëm. “Janë çnjerëzore, kushtet në të cilat jetojnë miliona emigrantë e refugjatë. Kush detyrohet të lërë atdheun e vet, tepër shpesh bie viktimë e mashtrimeve, dhunës dhe shpërdorimeve të të gjitha natyrave. Shtetet duhet të japin përgjigje më efikase për t’i përballuar sfidat,  pasojë e fenomeneve të emigracionit”. Këtë pohoi Papa Françesku duke u takuar, sot paradite, me anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar Katolik për Emigracionin. Zoti - pohoi Ati i Shenjtë - e dërgoi Moisiun tek faraoni, për ta bindur ta çlironte popullin e tij. Sot, një popull tjetër, i formuar nga miliona të shtypur, pret të çlirohet:

“Për t’i çliruar të shtypurit, të përjashtuarit e skllevërit e sotëm, është themelore  të promovohet dialogu zemërhapur e i sinqertë me qeveritarët, dialog që përfiton  nga përvoja e jetuar, nga vuajtjet dhe dëshirat e popullit, për t’u kujtuar të gjithëve përgjegjësitë e tyre. Proceset e nisura nga bashkësia ndëkombëtare në drejtim të një pakti global për refujgatët dhe të një tjetri, për emigracionin e sigurt e të rregullt, përfaqësojnë një hapësirë të privilegjuar për këtë dialog”.

Shtetet të kalojnë nga fjalët, tek angazhimi konkret

Kujdesi baritor i Kishës për emigrantët dhe refugjatët - shtoi  Papa - është dëshmi, që duhet ta nxisë mbarë botën:

“Së bashku duhet t’i inkurajojmë shtetet t’u japin përgjigjet më të përshtatshme e më të frytshme sfidave, të krijuara nga fenomenet emigratore; e këtë mund ta bëjmë mbi bazën e parimeve themelore të doktrinës shoqërore të Kishës. Duhet të angazhohemi për t’u siguruar se, pas fjalëve, do të vijnë angazhimet konkrete,  si shenjë e përgjegjësisë globale”.

Në përfundim Papa i nxiti anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar Katolik për Emigracionin t’ua dëshmojnë emigrantëve dhe refugjatëve dashurinë përdëllyese të Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.