Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Të premten, Papa përuron “24 orë për Zotin”

24 orë për Zotin - RV

07/03/2018 12:20

Do të jetë Kremtimi pendestar i kryesuar nga Papa Françesku, të premten, më 9 mars, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ai, që do të përurojë nismën “24 orë për Zotin”, e cila lindi në Romë para 5 vjetësh, por u përhap me shpejtësi në të pesë kontinentet. Pra, edhe këtë vit, në çdo dioqezë, së paku një kishë do të qëndrojë hapur 24 orë rresht për t’u dhënë të gjithëve mundësinë e lutjes, të adhurimit e të rrëfimit. Filli, që do t’i lidhë kishat e besimtarët me njëri-tjetrin, gjatë këtyre orëve, do të jetë një frazë nga Psalmi 130, “Tek ti gjendet falja”(4).

Imzot Fisichella: rast jo i zakonshëm për t’u takuar me mëshirën e Zotit

 E promovuar nga Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, nisma përbën rast takimi personal me mëshirën e Zotit. “Objektivi – nënvizon kryetari i dikasterit vatikanas, imzot Rino Fisichella – është t’u japim të gjithëve, sidomos atyre që shpesh s’u vjen ndërmend të hyjnë në kishë, mundësinë për të kërkuar përqafimin e mëshirshëm të Zotit, përmes një rasti jashtë kohëve dhe mënyrave të zakonshme, që i kthen tek Ati Qiellor”.

Nisma përfshin edhe burgjet

Imzot Fisichella shpjegon se pikërisht gjatë këtyre ditëve, mori një letër nga Inspektori i përgjithshëm i Burgjeve italiane, me të cilën njoftohet se në nismën “24 orë për Zotin” do të marrin pjesë edhe të burgosurit: “kapelanët janë lajmëruar që ta jetojnë këtë përvojë e këtë çast faljeje: çast ky, që është menduar, dashur e pritur”.

Ftesa, në Mesazhin e Krezhmëve

Vetë Këshilli Papnor është kujdesur për Doracakun baritor në gjuhë të ndryshme, që do të shoqërojë këtë ditë e natë lutjeje. Kush dëshiron mund ta shohë në faqen e internetit të dikasterit për Ungjillëzimin e Ri. Vetë Papa Françesku i pati ftuar besimtarët, në Mesazhin e tij për Krezhmët e këtij viti, ta jetojnë këtë nismë si rast të përshtatshëm për të kremtuar Sakramentin e Pajtimit me Hyun, në një kontekst Adhurimi Eukaristik”.

07/03/2018 12:20