Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: t’i besosh Zotit do të thotë edhe të mbrosh Gjithësinë

Natyra - ANSA

07/03/2018 19:14

Të besosh në Zotin do të thotë edhe të kujdesesh e ta ndjesh përgjegjësinë për Gjithësinë e krijuar prej Tij: kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për kuvendimin, që po mbahet në Universitetin Papnor Gregorian, mbi temën “Një kthesë radikale ekologjike pas ‘Laudato si’. Në zbulim të vlerës së brendshme të të gjitha Krijesave”.

Papa: çdo jetë është objekt i dashurisë së Zotit

 Françesku inkurajon e promovon “vlerësimin më të thellë të shtëpisë sonë të përbashkët, që e kemi dhuratë” e fton “t’i komunikojmë botës të vërtetën e bukur” se çdo krijesë është “objekt i dhembshurisë së Atit Qiellor, i cili i cakton një vend në botë. Deri edhe jeta e brishtë e qenies më të parëndësishme është objekt i dashurisë së Tij e, në ato pak çaste ekzistence, Zoti e rrethon me dashurinë e vet” (Laudato si’, n.77).

Bartolomeu: shtohet bashkëpunimi me Françeskun

Gjatë kuvendimit, u lexua edhe një mesazh i Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu,  cili kujton se vitet e fundit është shtuar bashkëpunimi me Papën Françesku “për të gjetur së bashku mënyrat për të nxjerrë në pah lidhjen e ngushtë e intime ndërmjet të gjitha krijesave të Zotit”. Ashtu si trajtojmë ambientin, shkruan Bartolomeu, ashtu sillemi edhe me vëllezërit e me motrat. Përmasa e mëkatit e atyre, që abuzojnë me Gjithësinë e krijuar prej Hyut, ndikon edhe mbi shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. “Është tragjike – shkruan Patriarku Ekumenik – t’i izolojmë aspektet e ndryshme të jetës sonë për të justifikuar sjelljet tona kontradiktore. Kthimi kah Zoti do të thotë edhe kthim në integritetin e sjelljes sonë në jetë. Nuk mund të kemi dy qëndrime të ndryshme. Çfarë predikojmë – përfundon Bartolomeu – nuk mund të jetë e zgjidhur nga çfarë praktikojmë”.

Turkson: Papa nuk ka qëndrime prej të gjelbërish në modë

Në fjalën e tij, prefekti i Dikasterit të Shërbimit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Appiah Turkson, nënvizoi se qëndrimi ekologjik i Papës Françesku nuk është ambientalizëm i thjeshtë prej të gjelbërish në modë, por ekologji e gjithanshme, që vë në dukje lidhjet e “bashkimit tonë kozmik, biologjik e njerëzor, mbështjellë nga dashuria e pafund e Zotit”. Këto marrëdhënie janë “baza e jetës shoqërore, e bashkësisë sonë universale dhe e destinacionit universal të të gjitha të mirave materiale”. Kjo është arsyeja, thekson prelati, për të cilën Papa shtron nevojën e zgjerimit të horizontit të problemit ekologjik edhe me përmasën shoqërore e me perspektivën planetare, sepse mëkati ekologjik “është prishje e tri marrëdhënieve jetësore: me Zotin, me njerëzit dhe me pjesën tjetër të Gjithësisë”.

07/03/2018 19:14