2018-03-07 08:00:00

Françesku: Gruaja, e thirrur të marrë në dorë regjinë e mbarë shoqërisë


 Në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Grave, po kujtojmë disa nga fjalët më domethënëse të Papës Françesku mbi rolin e grave në Kishë e në shoqëri.

“Dëshmitaret e para të Ngjalljes së Krishtit janë gratë. E kjo është e bukur. E është pakëz edhe misioni i grave”. Ishte data 3 prill e vitit 2013 kur Papa Françesku, tri javë pasi u zgjodh në Katedrën e Shën Pjetrit, i shqipton këto fjalë në audiencën e dytë të përgjithshme të papnisë së tij. Shumë shpejt besimtarët do të mësoheshin me fjalët e Papës, shpesh herë të thëna lirisht, jashtë tekstit, në favor të grave, të rolit të tyre në Kishë e në shoqëri. Nga ana tjetër, Jorge Mario Bergoglio kujton, në shumë raste, figura femërore, që luajtën rol të dorës së parë në udhën e tij të fesë, si gjyshja Rozë ose, kohët e fundit, një novice e re e Motrave të Vogla të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, e cila e pati mbajtur në krahë të sapolindur. Magjister, ky i Françeskut, kushtuar gjenisë femërore, i pasur me gjeste, më shumë se me fjalë: nga kujdesi për fëmijët e për të sëmurët, tek vizitat tek të burgosurit, nga themelimi i Komisionit mbi diakonatin femëror, tek numri gjithnjë në rritje i grave të emëruara në role të rëndësishme në Vatikan e tek zgjedhja e një gruaje, teologes Anne-Marie Pellettier, si autore e Udhës së Kryqit.

Kisha është nënë: të thellohet teologjia e gruas.

Duhet nënvizuar menjëherë se reflektimi i Papës për gruan shikohet me sy teologjik. E kjo kuptohet më mirë, nëse kujtojmë 28 korrikun e vitit 2013, kur Papa, duke iu përgjigjur gazetarëve gjatë fluturimit të avionit papnor në kthim nga DBR-ja e Rio de Zhanejros, pohon se “Kisha, pa gratë, është si Kolegji Apostolik pa Marinë”. Françesku nënvizon se “Kisha është e gjinisë femërore, është nuse e nënë”. Një pohim edhe më domethënës, ai që shqipton 4 vjet më pas, në dritën e vendimit për ta shkruar në kalendarin liturgjik kujtimin e “Së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës”. Në një mori rastesh, Papa ankohet se në Kishë nuk është bërë akoma “teologjia e thellë  e gruas”. E bën këtë posaçërisht më 12 tetor 2013 kur - duke pritur anëtarët e Këshillit Papnor për Laikët, në 25 vjetorin e Mulieris Dignitatem të Shën Gjon Palit II - pohon se ka shumë rëndësi të pyesësh “ç’prani ka sot gruaja në Kishë” Mua - shton - “më pëlqen edhe të mendoj se Kisha nuk është Kishi – po Kisha. Kisha është grua, nënë, e kjo duhet thelluar!”.

Të respektohet dinjiteti dhe shërbimi i grave, në të gjitha nivelet

Nuk ngurron, pastaj, të denoncojë kushtet e shfrytëzimit, të cilave duhet t’u nënshtrohen shpesh herë gratë. “Unë vuaj - thotë Papa - kur shikoj se në Kishë roli i gruas shket drejt rolit të shërbëtores”. Temë kjo, që përsëritet shpesh herë në magjisterin e Françeskut. Me forcë të veçantë Papa i rikthehet, duke folur, më 16 maj 2016, në takimin e Bashkimit  Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme. Atyre Papa u kërkon të marrin guximin e të thonë “jo”, kur u kërkohet të bëjnë diçka, që nuk është punë shërbimi, por shërbëtoreje. Thirrja e gruas është shërbimi: shërbim ndaj Kishës, kudo që të jetë. Por jo shërbëtorllëk! - pohon me forcë - që  e zhvleftëson jetën dhe dinjitetin e gruas. Thirrja e saj është shërbimi, po jo skllavërimi! Në mesazhin drejtuar Festivalit të familjes në Riva del Garda, më 2 dhjetor 2014, kujton vështirësitë e mundimet e shumë grave, të cilave në jetën shoqërore nuk u njihen të drejtat. Është e nevojshme - nxit Papa -  që gruaja të mos detyrohet, për shkak të nevojave ekonomike, të bëjë punë tepër të rënda, e duhet pasur parasysh që angazhimet e gruas, në të gjitha problemet familjare, të shikohen edhe si kontribut i pashoq  në jetën dhe ardhmërinë e shoqërisë

T’u ofrohen hapësira të reja grave, në Kishë e në shoqëri

Posaçërisht domethënës, fjalimi që Françesku do të shqiptonte më 7 shkurt 2015, në Plenaren e dikasterit të Kulturës, përqendruar mbi temën “Kultura femërore: barazi dhe ndryshim”. “Ka ardhur koha - pohon Papa - që gratë të mos ndjehen më mysafire, por pjesëmarrëse me të drejta të plota në mjediset e jetës shoqërore e kishtare”. Kjo - qorton-  është sfidë, që nuk mund të shtyhet për më tej. Vë, më pas, theksin mbi urgjencën “për t’i ofruar hapësira  të reja grave në jetën e Kishës”, duke favorizuar një prani femërore më kapilare e më energjike në bashkësi, si dhe aktivizimin më të madh të grave në përgjegjësitë baritore. Më pas e zgjeron shikimin në shoqëri dhe denoncon  tregtimin e trupit të gruas dhe format e shumta të skllavërisë, së cilës i nënshtrohen gratë dhe bën thirrje që, për ta zhdukur këtë nënshtrim, të promovohet reciprociteti. Mbi këtë argument rikthehet edhe në audiencën e Akademisë Papnore për Jetën, më 5 tetorin e kaluar, kur kërkon "të rinisemi nga kultura e re e identitetit dhe diferencave”. Kritikon, kështu, “utopinë e neutros”, “manipulimin biologjik e psikiatrik të ndryshimeve seksuale”. Për Françeskun, është e nevojshme aleanca e burrit me gruan, e cila është e thirrur ta marrë në dorë regjinë e mbarë shoqërisë.

Gruaja sjell harmoni në Kishë e në Botë

Grave, figurave biblike e, në veçanti, Virgjërës Mari, Papa Françesku u kushton shumë homeli gjatë meshëve të mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Më 26 janar 2015, ndalohet tek tema e transmetimit të fesë. Pse - pyet - janë në radhë të parë gratë, ato që e transmetojnë fenë? Përgjigjja duhet kërkuar edhe një herë në dëshminë e Virgjërës Mari: “Thjesht sepse ajo, që mbajti në kraharor Jezusin, është grua! Është rruga e zgjedhur nga Jezusi. Ai deshi të ketë një nënë! E edhe dhurata e fesë kalon nëpër gratë, si Jezusi nëpër Marinë”. Më 31 maj 2016 flet për gratë guximtare që çdo ditë dhurojnë gëzim dhe e mbushin me të jetën e të tjerëve. Më 9 shkurt të vitit të kaluar, nënvizon se “pa gruan, nuk ka harmoni në botë”. Është gruaja - vijon - që e sjell këtë harmoni, që na mëson të ledhatojmë e të duam me dashuri të madhe e që e bën botën kaq të bukur. Dashuri, të cilën Jorges së vogël ia dhuroi nëna e edhe gjyshja e që tani ai ia ridhuron botës! 








All the contents on this site are copyrighted ©.