2018-03-07 10:25:00

Atë Luigj Paliqi, në përvjetorin e martirizimit, për Fe e Atdhe


Mё 7 mars kujtojmё martirizimin e Atё Luigj Paliqit. Lindi në Janjevë (Kosovë), në Arqipeshkvninë Shkup- Prizren, më 21 shkurt 1879. Pas shkollë fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë).  Në Troshan bëri noviciatin. Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896- 1901.

Mbas meshës së parë, kremtuar më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së re të  fshatin Gllogjanit.

Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta   mohojë publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Patër Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë.

Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët. I mungonte vetëm Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili do t'i digjej në fund të skëterrës.

Ai s'u përkul, nuk u thye as nga mundimet e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një martir të ri Kishës katolike ndër shqiptarë.

Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: "Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi askush nuk e luajti gishtin për t'ia prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë fund martirizimit të të krishterëve në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit, mbytur barbarisht nga serbët, do të binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit disa qindra të tjerë.

E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj, do të çuditej duke parë si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë! Shumë bujë bëri vdekja e tij. E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi.

Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç, Imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913" .

Ky vorr, ku imzot Lazër Mjedja kremtoi meshën e parë të dritës për shpirt të martirit, është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një altar të ri. Martiri fitoi!

Mbi vorr t’ A. Alois Paliq, ofm

Me 7 marc 1913 ushtrija malazeze mbytëte në Janosh (afër Gjakovet) mizorisht françeskanin A. Luigj Paliq, vetëm pse, si meshtar katolik e shqyptar i njimendtë, nuk mujt me pëlqye mizoritë, qi Sllavët bajshin mbi grigjë të tij, as pse s’dijti zemra e dhimbëshme e tij me mshehë mjerimin qi ndiete, kah shihte se n’ato vise thjesht shqyptare, kamba e anmikut mâ të madhit të kombit lête gjurmët e veta shkretnuese. (Shih “Hylli i Dritёs” Marc 1914). 
Në rasën e kryevjetorit Poeti, me këte vjershë përkujton vrasjen mizore të këtij dëshmori, tue lypë prej Hyjit, qi të gjikojë mbi dhunë të bame Shqypnisë. Kjo u botue në “H.i D.”, marc 1914.

1. Barbarët... e mbyten! E pra
Ky ‘i dhunë kurrkuj s’ia bani;
Nuk bâni kand me kja:
Per t’keq s’i duel kurr zani;
Per Atme e shejten Fé
Punoi me t’drejtë m’ket dhé.

2. I vorfni pa prind mbetun,
Qi kjan, per bukë i mjeri,
Te ky shujtën pat gjetun;
Ky lott prej sysh i a teri,
S’e la nen dhunë me fshâ
E át e mâmë iu bâ.

3. Pse pra me e mbytë?...Trathtari,
E gjaksi e i patenzoni
E i trishtueshmi kursari,
Qi s’njeh se shk’âsht zakoni,
Kah t’duen ata po mbajn:
Pse kshtu me e mbytë t’pafaj’n?...

4. Por, po; per shka të prujtun
Isht’ ky n’dy faje zhye,
Qi ndryshej nuk ka mujtun
Veç se me gjak me i shkmbye:
Shqypnin dote t’lirueme,
E Fén s’ndrrote t’bekueme.

5. E per ket punë mizori,
Ushtari i Malit t’Zi
Qi mshrirë s’i njeh krahnori
Heshten i a nguli n’gji,
Edhe me tê të ngratit
Zemrën shporoi ai Fratit.

6. U rrzue sherbtori i Zotit
—Heu! Si nuk plasi djerri!
E syt per t’gjatë të motit
Ndermjet anmiqve i erri:
Gjaku prej varrvet t’ngrata
Gurglloi mbi buca t’thata.

7. O Perëndi i amshuem,
A thue tu’ i vue kjé trollin
Ndo’i rruzlli mâ t’lumnueshëm
Qi per nen qiellë mund t’ndollin
Kso punësh mbi ftyrë t’ksaj bote,
Pa shkrepun mnija Jote?

8. Qe shkjau, harlisë krenijet,
Meshtarët âsht tue t’i mbytun;
Lterët t’u, seli hyjnijet,
Me gjak âsht tue t’i zhytun:
E rrfeja e Jote kisha
Por rrzon, e veç çan pisha!

9. As gjaku, pra i Meshtarëvet
As gurt e letervet t’ue
S’mund reshkan mshrirë Shqyptarëvet
Nuk mujtkan mnin me t’ zgjue?
E fatin e Shqypnís
E lankan n’dorë t’shkjenís?...

10. O e mjera, moj e mjera
Shqypni, se keq ké ngelun!
Se mirë, moj ty t’thau vera,
Qysh se shkjau âsht tue t’shkelun
E tue t’poshtnue pa dhimë,
Tue t’lanun n’vaj e n’brimë.

11. T’kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’djegë e tue t’shkrumue
T’kanë damun copa-copa,
Si t’ishe pa zot lshue,
E shk’âsht mâ fort per t’kja,
Me dorë t’Mbretnivet t’Mdha.

12. O Zot! O Zot! Mostjetër
Per ketë pleqni trathtare,
Qi europa, rrênce e vjetër,
Bani mbi tokë shqyptare
Deh! Ti mos len qi niri
Kshtû t’a dhunojë pa hiri.

13. Veç m’ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse nierit fjalët e besën
Fort mirë sot po i a njohim;
Ai syt s’i prír kurr njeti,
veç ku mund t’grryejë per veti.

14. Prandej o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né
E bân qi puna t’kthiellet,
Si âsht mirë për Atme e Fé;
E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoftë falë per komb t’Shqyptarit.

Nga A. Gjergj Fishta: “Mrizi i Zànavet, Shkoder 1941








All the contents on this site are copyrighted ©.