2018-03-06 16:52:00

Sfida e dialogut ndërfetar: ekspertët konfrontohen në Bolonjë


Dhjetë sesione dhe dyqind seminare kushtuar dialogut ndërfetar në të gjitha fushat, nga ajo e artit në atë të moralit, të shoqërisë e të jurisprudencës, për t’iu përgjigjur sfidës më të madhe të kohëve tona: dialogut ndërfetar. Ky është synimi i Konferencës së parë vjetore të Akademisë Evropiane të Feve, që po mbahet në Bolonjë të Italisë deri më 8 mars. Fjalën e përurimit e mbajti kryetari i Fondacionit vatikanas “Qendra ndërkombëtare Familja e Nazaretit”, Salvatore Martinez.

Sfida e madhe e dialogut ndërfetar

         “Dialogu është kërkesë e kohëve e jo ndonjë lloj konçesioni, është përgjigjja për kërkesën e drejtësisë, që ekziston në zemrën e njerëzve”. Kështu i shpjegon Martinez punimet e këtyre ditëve në Bolonjë. “Diskriminimi fetar – pohon – po shtohet si fryt i injorancës dhe i indiferencës, që bëhen çift me racizmin, ksenofobinë dhe bullizmin fetar në shkolla”. Pluralizmi fetar, thotë ai, përpiqet t’i kuptojë ndërlikimet e sotme, duke e shmangur uniformitetin. Prandaj, akademi si ajo Evropiane, janë vende “ku është e mundur të shihet bashkëveprimi ndërmjet përmasave të ndryshme të sfidës së madhe të dialogut ndërfetar”. “Më duken – vijon Martinez – shenja të kohrave dhe mundësi e madhe për të menduar modele kulturore, disiplinore e legjislative, për të cilat ndjehet shumë nevoja”.

Diskriminimet fetare në Evropë

         “S’ka dyshim se në Evropë ka diskriminime të të krishterëve e jo vetëm të tyre”: edhe për këtë flitet në Bolonjë. “Problemi – shpjegon Martinez – ekziston e duhet thënë: nëse diskriminojmë në emër të fesë bëhemi armiqtë më të këqinj të paqes së popujve, të familjeve dhe të brezave të ardhshëm… Liria fetare është qendra e të drejtave të njeriut, siç lexohet në Deklaratën universale e, nuk mund t’u nënshtrohet formave të tjera të të drejtave. Le të mendojmë për shembull, për të drejtat individuale, që në Evropë, po u mbivendosen të drejtave të njeriut. Nëse duam të stabilizojmë bashkësitë fetare, duhet të stabilizojmë të drejtat e njeriut”.

Politika dhe feja

         Ditët e konferencës në Bolonjë do të shërbejnë për të vënë në dukje kontributin e feve për paqen, në bashkëpunim me botën politike. “Është fjala – nënvizon Martinez – për dy realitete, që duhet të dallohen nga njëra-tjetra, por duhet të dialogojnë mbi disa tematika. Është urgjente të shmanget ndikimi negativ i njërës mbi tjetrën, si në rastin e politicizimit të feve, ‘kancer’ i vërtetë, që cënon edhe besimin e brezave të rinj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.