2018-03-06 11:56:00

Papa ipeshkvijve të Vietnamit: “Ungjillëzoni me gëzim!”.


Papa Françesku priti ipeshkvijtë e Vietnamit në vizitë ad limina, në Vatikan. Në vendin aziatik vetëm 8% e popullsisë është e fesë katolike. Për shërbimin shpirtëror të kësaj pakice, kujdesen 26 dioqeza, 3 kryedioqeza, më se 2200 famulli me 4 mijë meshtarë. Këto, statistikat e Kishës në Vietnam ku, pavarësisht nga numri i besimtarëve dhe i ndikimit të shekullarizimit, nga i cili nuk shpëton as kjo pjesë e botës, bashkësia katolike është plot gjallëri. Sepse kësaj Kishe i prijnë meshtarë, të cilëve u vjen era dele.

Po, si shkoi takimi me Papën? Përgjigjet imzot Joseph Dinh Dúk Dao, ipeshkëv i Xuân Loc:

“Të gjithë u prekëm thellë nga thjeshtësia dhe afërsia, që tregoi Ati i Shenjtë ndaj nesh në këtë takim. Ishte gati-gati si takim ndërmjet atit e bijve, ose ndërmjet vëllezërve. Diskutuam gjatë e fjalët kryesore, që na tha Ati i Shenjtë, ishin këto: “Çojeni në Kishën e Vietnamit gëzimin e ungjillëzimit!” . E më pas na foli për figurën e ipeshkvit, si flitet për bariun me erën e deleve, me aromën e Zotit, duke na porositur ta thellojmë lutjen dhe kundrimin. Fjala, që e përdori më shpesh, ishte “afërsi”; afërsi me Zotin, me njeriun e, në mënyrë të veçantë, me meshtarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.