2018-03-06 11:49:00

Françesku në Meshën e mëngjesit: “Zoti na fal, nëse i falim të tjerët!”.


Dy janë fjalët, që përmbledhin gjithë mesazhin e propozuar nga  liturgjia e sotme: “Për fat të keq…” dhe “ Me kusht që…”. Tema është falja - kujtoi Papa -  që shpjegoi çfarë është e prej nga vjen.

Ti je i madh, o Zot, unë, mëkatar

Në  Leximin e parë, shkëputur nga Libri i Danielit profet, flitet për Azarinë që, i flakur në furrën e ndezur pse nuk pranoi ta mohojë Zotin, nuk i ankohet Atij të Lumit për këtë trajtim aspak të këndshëm, e as nuk e qorton, se po ia shpërblen kësisoj besnikërinë. Vijon ta shpallë madhështinë e Tij e shkon deri në rrënjët e së keqes, duke pohuar: “Ti na ke shpëtuar gjithnjë, e ne, gjithnjë kemi vijuar të mëkatojmë”. Akuzon, kështu, vetveten e popullin e vet. E Françesku thekson: “Të paditësh vetveten, është hapi i parë drejt faljes”.

Ta akuzosh vetveten është pjesë e pandarë e urtisë së krishterë; jo të padisësh të tjerët, jo… Vetveten. Unë mëkatova! E kur, pastaj, shkojmë të rrëfehemi, duhet të kemi në mendje këto fjalë: “Zoti i madh na fali gjithçka, e unë prap se prap mëkatova, e fyeva Zotin e tani kërkoj shpëtim”.

Është Zoti, që na shfajëson

Papa tregoi një anekdotë, në të cilën flitej për një zonjë që, kur shkonte në rrëfyestore, rrëfente gjërë e gjatë  mëkatet e së vjehrrës, duke kërkuar të shfajësohej, kështu, për të vetat. Derisa meshtari i tha: “kaq për tët vjehrrë, tashti rrëfena mëkatet tuaja!”.

E kjo i pëlqen Zotit, sepse Zoti pret një zemër të penduar, mbasi, si thotë Azaria: “Nuk do të zhgënjehen kurrë ata, që besojnë në Ty”. Nuk do të zhgënjehet  zemra e penduar, që rrëfen të vërtetën para Zotit . “E bëra këtë, o Zot, mëkatova kundër Teje”. Zoti ia mbyll gojën, si ati i djalit plangprishës; nuk e lë të flasë më tej, dashuria e Tij mbulon gjithçka, gjithçka fal”.

Zoti na fal, me kusht që edhe ne të falim

Françesku ftoi për të mos u turpëruar, kur duhet t’i themi mëkatet tona, sepse është Zoti ai që na shfajson, duke na falur jo një herë, por gjithherë. Me një kusht, veç:

“Falja e Zotit vjen e fortë në shpirtin tonë, me kusht që edhe ne t’i falim të tjerët, E kjo nuk është aspak e lehtë, sepse mllefi bën fole në zemrën tonë e aty mbetet gjithnjë kujtimi i hidhur. Nganjëherë, madje, kemi në shpirt një listë fyerjesh, që na u bënë: “Epo, ai apo ajo më bëri këtë e këtë e këtë…”.

Djalli na lidh me zinxhirët e urrejtjes

Papa na porositi të mos biem në skllavërinë e urrejtjes dhe përfundoi:

“Këto janë dy gjërat, që na ndihmojnë ta kuptojmë udhën e faljes: ‘Ti je i madh, o Zot, por unë, për fat të keq, mëkatova’ dhe ‘Po, po të fal shtatëdhjetë herë shtatë, me kusht që edhe ti t’i falësh të tjerët!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.