Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: ungjillëzimi kalon nga dëshmia e dashurisë

Jezu Krishti predikon Ungjillin

05/03/2018 15:30

Libër “plot me tregime nga jeta”, histori “me fytyra, përkushtim, gjeste dashurie”. Me këto fjalë, Papa Françesku paraqet librin ““Ungjilli faqe më faqe”, në të cilin gazetarja italiane Paola Bergamini tregon për jetën e atë Stefano Pernet, themelues i kongregatës së Motrave të Vogla të Zojës së Madhe. Në parathënien e vëllimit, botuar nga Piemme - nesër në librari - Ati i Shenjtë nënvizon se edhe sot “ungjillëzimi kalon përmes dëshmisë së afërsisë e të dashurisë” e na nxit “ta mbështesim faqen tonë në faqen e atij, që vuan”.

Murgesha, që më mbajti në krah, kur isha njëditësh

Në tekst, Papa Bergoglio tregon edhe përvojën e vet personale me kongregatën e Motrave të Vogla të Zojës së Madhe, që “si engjëj të heshtur, hyjnë në shtëpitë e nevojtarëve, punojnë me durim, përkujdesen e, pastaj, po në heshtje, kthehen në kuvend”. “Një ditë pasi linda – shkruan Papa – një novice e re e Motrave të Vogla të Zojës së Madhe, Antonia, erdhi në shtëpinë tonë, në lagjen Flores të Buenos Ajresit, e më mbajti në krah”. Marrëdhënie, që vijuan gjithë jetën, derisa motra u kthye tek Ati Qiellor.

Vepra e atë Stefano Pernet

Themeluesi i kongregatës së murgeshave, që Papa Gjon Pali II e deklaroi Shërbëtor të Zotit në vitin 1983, atë Stefano Pernet, ia kushtoi jetën familjeve më të varfëra të lagjeve periferike të Parisit, në Francën post-revolucionare të gjysmës së Tetëqindës. Një trashëgimi, që e lë në duart e Motrave të Vogla të Zojës së Madhe, që, edhe sot, në shumë vende të botës, përhapin “ëmbëlsinë dhe mëshirën”, sipas shembullit të atë Pernet.

Forca e mëshirës

Papa Françesku kujton se gjestet “predikojnë për Jezu Krishtin shumë më mirë se çdo lloj fjale”, pasi prekin “zemrat e njerëzve, edhe të më të largtëve”. Forca e vetme, që i zgjidh zinxhirët, nënvizon Ati i Shenjtë, “nuk është forca e mjeteve apo rreptësia e ligjit, por brishtësia e gjithpushtetshme e dashurisë hyjnore: forca e papërballueshme e ëmbëlsisë dhe premtimi i pakthyeshëm i mëshirës së saj”.

05/03/2018 15:30