Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Kardinali Kasper: besmitarët e kuptojnë “Amoris Laetitia”, mjaft me akuzat e herezisë

Kardinali Walter Kasper

05/03/2018 14:08

Kardinali Walter Kasper mbush sot 85 vjeç. Kryetari i nderit i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve dhe teologu me famë ndërkombëtare do të paraqesë nesër në Romë, së bashku me kryeipeshkvin Vincenzo Paglia, librin e tij të fundit “Mesazhi i ‘Amoris laetitia’. Një diskutim vëllazëror”, botuar nga Queriniana. Në një intervistë për Vatican News, prelati gjerman ndalet në debatin, që ka shkaktuar Nxitja apostolike e Papës Françesku dhe në frytet e saj për familjet e krishtera. Në libër, ai nënvizon se “Amoris laetitia” (Gëzimi i dashurisë) nuk është doktrinë e re, por përtëritje krijuese e traditës:

Tradita nuk është liqen i amullt, por burim, lumë që rrjedh: është diçka e gjallë. Kisha është organizëm i gjallë e kështu, tradita katolike, gjithnjë e vlefshme, duhet interpretuar në situatën aktuale. Ky është kuptimi i përditësimit, për të cilin pati folur Papa Gjoni XXIII.

Nëntitulli i librit tuaj është: “Një diskutim vëllazëror”. Ju shkruani se nuk duhet pasur frikë nga diskutimet, por, në rastin e “Amoris laetita”, “nuk ka vend për akuzën e herezisë”. Ç’ju ka bërë përshtypje nga debati i ndezur mbi të?

Para së gjithash, dua të them se debatet në Kishë janë të nevojshme; nuk duhet të kemi frikë! Por kemi një debat pak si tepër të papjekur, tepër të fuqishëm, që shkon deri në akuzën e herezisë. Herezi do të thotë të ngulësh këmbë në mohimin e një dogme të pranuar. Doktrina e pazgjidhshmërisë së martesës nuk është vënë në diskutim nga Papa Françesku. Para se të flitet për herezi, duhet të bëhet gjithnjë pyetja si e kupton tjetri pohimin e vet. E, para së gjithash, duhet të kemi parasysh se tjetri është katolik e jo të supozojmë të kundërtën!

Pikërisht duke folur për “Notën 351” të “Amoris laetitia”, që trajton pranimin e të divorcuarve e të të rimartuarve në Sakramente – notë shumë e diskutuar - ju pohoni në libër se ajo duhet lexuar në dritën e Dekretit të Koncilit të Trentit mbi Eukaristinë. Për ç’arsye?

Koncili i Trentit thotë se kur nuk kemi të bëjmë me mëkat të rëndë, por me mëkat të lehtë, Eukaristia, pra marrja e Kungimit Shenjt, e shlyen atë. Mëkat është term i ndërlikuar. Nuk ka të bëjë vetëm me rregulla objektive, por edhe me ndjetin, ndërgjegjen e njeriut e, duhet parë në forumin e brendshëm – në Sakramentin e Pendesës – nëse kemi të bëjmë vërtet me mëkat të rëndë apo me mëkat të lehtë, ose ndoshta, me asnjërin nga të dy. Nëse është mëkat jo i vdekshëm, njeriut mund t’i jepet zgjidhja e të pranohet në Sakramentin e Eukaristisë. Kjo përkon edhe me doktrinën e Papës Gjon Pali II e, në këtë kuptim, Papa Françesku vazhdon udhën e hapur nga Papa i mëparshëm. Pra, nuk gjej asnjë arsye për të thënë se kjo është herezi.

Cila është ndihma më e madhe që, sipas jush, u jep “Amoris laetitia” familjeve të sotme? Si perceptohet ky dokument në jetën e tyre të përditshme?

Kam dijeni se disa famulli, edhe këtu në Romë, bëjnë mbledhje me të martuarit, ose me të fejuarit që përgatiten për martesë e lexojnë disa pjesë të kësaj Nxitjeje apostolike. Gjuha e këtij dokumenti është kaq e qartë sa çdo i krishterë mund ta kuptojë. Nuk është teologji e lartë, e pakuptueshme për njerëzit. Populli i Zotit është shumë i kënaqur e i gëzuar për këtë dokument, sepse jo vetëm i lë hapësirë lirisë, por interpreton edhe thelbin e mesazhit të krishterë me një gjuhë të kuptueshme. Pra, Populli i Zotit e kupton! Papa ka një aleancë të shkëlqyeshme me Popullin e Zotit.

Në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përmendi librin tuaj, me titull “Mëshira”. Pse është kaq e rëndësishme mëshira për këtë papni, sidomos duke pasur parasysh botën e familjeve?

 Sot, përjetojmë një kohë dhune të paparë në botë. Shumë njerëzve u janë hapur plagë. Edhe vetë martesës. Njerëzit kanë nevojë për mëshirën, për ndjeshmërinë, për simpatinë e Kishës, në këto kohë të vështira, që po jetojmë sot. Mendoj se mëshira është përgjigjja ndaj shenjave të kohës sonë.

05/03/2018 14:08