2018-03-04 08:00:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 37


Me emisionin e 37-të të rubrikës sonë, mbyllim faqen e fundit të veprës, titulluar “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra.  Për të hapur faqe të reja gjatë këtij viti, që i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar e që do të përfundojë më 17 janar 2019. Në këtë datë do të mbyllen  kremtimet, por jo libri i historisë së Skënderbeut, që duhet të ketë ende shumë faqe të pashfletuara, të cilat presin, në lëpizat e bibliotekave të lashta të botës mbarë, historianë të rinj…

Folëm në emisionin e parafundit, të 36-tin, për  vijimin e përpjekjeve të Palit II lidhur me mobilizimin e shteteve evropiane në luftë kundër turkut.  Përpjekje, që pak u përfillën. Ndërkaq turqit, duke e kuptuar se lufta me Perëndimin e krishterë do të vendosej në det, përgatiten një flotë  të fuqishme e, në vitin 1470, një armatë prej 100.000 burrash, nën komandën e vetë sulltanit, lëvizte drejt Greqisë.

Atëherë Papa bëri përpjekjen e fundit për t’i zgjuar shtetet  evropiane nga dremitja, që po i çonte në shkatërrim të plotë, e duke besuar se nuk ishin shuar të gjithë burrat e shtetit e të shpatës, ashtu si kishin besuar paraardhësit e tij.  Prandaj thirri me nxit një koncistor, në të cilin u drejtoi edhe një herë thirrjen të gjitha Shteteve perëndimore.

Milano, që po ndeshej me Venedikun, nuk deshi as ta dëgjojë thirrjen e Papës. Por Napoli, i kërcënuar drejtpërdrejt, u tregua i gatshëm të bashkëpunonte me Venedikun. Tepër vonë! Greqia ra rishtas në dorë të turqve.

Grindjet ndërmjet shteteve italiane dhe indiferenca e krerëve përballë rrezikut të madh të përbashkët, i detyroi papët, duke nisur nga Eugjeni IV,   të viheshin në krye të lëvizjes antiturke. Por verbëria e vazhdueshme e shteteve italiane iu kundërvu përpjekjeve fisnike të katër papëve, të cilët  e morën me vete në varr dhimbjen e thellë, që u shkaktoi gjithë ky moskuptim. E tani edhe Papa i pestë, Pali II, po mblidhte frytet e paraardhësve të vet: madje Zoti i kish  caktuar një udhë edhe më të thepisur, sepse atij iu desh të shikojë sa të kota kishin qenë gjithë ato shqetësime, gjithë ato koncistore, gjithë ato thirrje të ngutshme, ato shpenzime që kishin bërë pesë Papë, për të mos e parë pushtuesin turk në portat e Italisë. E, ndërsa jetonte i pushtuar nga gjithë kjo dhimbje, që përmblidhte në zemrën  e tij edhe hidhërimet  e paraardhësve, Papa Pali u shua papritmas më 26 korrik 1471, “duke u lënë pasardhësve – vëren Millosovich 1 – barrën e vijimit të luftës kundër turkut, barrë shumë më e rëndë për shpatullat e ligshta të këtij papati, që kishte të bënte me një botë, e cila nuk frymëzohej më nga idealet e zjarrta fetare të Mesjetës, por shqetësohej vetëm për interesat e veta materiale”.

Po Shqipëria mbahej ende në këmbë! Pas vdekjes së Skënderbeut,  Venediku, më në fund e kuptoi rolin që kishte luajtur e luante Shqipëria për fatet e tij, e ç’ luftëtar të pazëvendësueshëm kishte humbur. Prandaj e mori menjëherë nën mbrojtje Shqipërinë. Shqipërisë së Jugut i dërgoi para, zotit të Krujës, ndihma të ndryshme, princit Vrana, drith; rekrutoi kambësorë e detarë, organizoi një brigadë, restauroi muret  Durrësit, fortifikoi Lezhën, emëroi një administrator në Krujë e një tjetër në Shkodër, siguroi mbrojtjen e këtyre qyteteve për tokë e për det. I bëri gjithë këto, duke e ditur mirëfilli se turqit nuk hiqnin dorë nga Kruja, ku  krenaria e tyre u thye mbi muret e pathyeshme të Kështjellës së Kastriotëve. Një Krujë e vogël, kishte poshtëruar pushtuesin e madh të Kostandinopojës.

Ndërkaq, me gjithë situatën armiqësore të kohës, edhe Papa i ri, Siksti IV, nuk mundi të qëndronte indiferent përballë gjithë kësaj zezone. Tragjedia që luhej para syve të tij, nuk e linte të gëzonte asnjë minutë të qetë në Qytetin e amshuar. Por, meqë udhët e Provanisë janë të pafundme e të pashqyrtueshme, nuk e lëshoi kurrë zemra e vijoi të shpresojë në përmirësimin e situatës. Duke ecur në gjurmët e paraardhësve, edhe ai deshi të bënte ndonjë gjë për mbrojtjen e brigjeve kundruall. Studioi, prandaj, një plan e organizoi ndihma e, në vitin 1474, i njoftoi raguzianët për rrezikun, që u afrohej, duke i nxitur të mos i lëshonin armët e, sidomos, të mos i lëshonte zemra.

Por, më 16 qershor 1478, Kruja, krenaria e popullit shqiptar, pas një mbrojtjeje legjendare, ra në dorën e  turkut.

E, një vit më pas, edhe Shkodra e rrethuar u dorëzua nga uria. E Lezhës, tashmë e famshme si seli e  Kuvendeve të princave të lidhur me besë, e altar, që ruante reliket më të çmuara, eshtrat e Skënderbeut, iu desh të ulte armët.

Si e morën qytetin, turqit i shndërruan kishat në xhami e eshtrat e të krishterëve - sipas gojëdhënës - i nxorrën nga varret e i flakën ku mundën. Po eshtrat e Skënderbeut nuk guxuan t’i dhunonin. Përkundrazi, gjithnjë sipas gojëdhënës, i nxorën me nderim të thellë nga varri, bënë me to hajmali e i varën në qafë, për t’i mbrojtur gjatë betejave.

E kështu, pas përpjekjeve për ta mbrojtur lirinë, në duart e turkut ranë edhe qytetet e fundit. Ranë pas një lufte pesëdhjetë vjeçare e pas heroizmash legjendare. Kështu ra Shqipëria e Kastriotit! Pasi u mbrojt me nder, heroizëm e flijime, duke shkaktuar habi e vaj në mbarë Evropën.

E, shembull i rrallë në historinë e popujve, një pjesë e mirë  e shqiptarëve  zgjodhi udhën e mërgimit vullnetar, mjerimin dhe urinë në majat e maleve të veta a në dhe të huaj. E nëse “gjaku shqiptar i shprishur” nuk mundi ta shpëtonte Shqipërinë, malet, detin, gjithë Atdheun ideal, duke ikur në dheun e huaj e mori me vete "në shojet e këpucëve". Mori doket, zakonet, traditat, këngët epike legjendare, kujtimet më të bukura e më prekëse.

E të gjitha ua përcolli  bijve, brez pas brezi, shekull pas shekulli,  ashtu si përcillen vetëm ritet më të shenjta.   








All the contents on this site are copyrighted ©.