Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Skanderbegu: nga Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes (1919)

Atë Gjergj Fishta

04/03/2018 17:17

...“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht, edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndodhive dhe te papritunave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar - dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë - kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ndodhë sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Bota mbarë mbështjellej në zi. Të flegrueme droje, shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkambi të thepisun. Mbi krye flakë i shkëlqen përkrenarja me brena qi, tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse dánë ndër sytë e anmikut. Ai asht fatosi i ndimun, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, si stuhi bore që zdrypë prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, u prin shqyptarëve, qi vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

Të vertetën ta kallëxon çka ndodhi mbas tij. Mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija.

Shkëputur nga Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes. Marrë në internet

04/03/2018 17:17