Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Selia e Shenjtë: liria fetare gjithnjë më e rrezikuar në botë

Udha e Kryqit vijon nëpër botë - REUTERS

04/03/2018 16:59

Kryeipeshkvi Ivan Jurkovič, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë, foli para Sesionit të 37-të të Këshillit për të drejtat e njeriut, duke denoncuar me forcë shkeljet e lirisë fetare në botën e sotme.

Përjashtime e persekutime fetare në botë

Shumë shtete - kujtoi - duket sikur e përjashtojnë lirinë fetare, duke arritur deri në atë pikë, sa t’i persekutojnë besimtarët, posaçërisht pakicat. Kujtoi, në vijim, se ligjet ose politikat, që i përjashtojnë pakicat fetare dhe e  kufizojnë lirinë e fesë e të besojmës (si të ashtuquajturat ligje mbi blasfeminë ose kundër ndërrimit të fesë), janë ende të pranishme nëpër botën tonë. Disa shtete nuk i mbrojnë qytetarët e tyre ose pakicat fetare, kur  trajtohen dhunshëm, kur gjykohen shtrembër, kur nuk u garantohen procese të drejta.

Në rrezik, edukimi i rinisë dhe kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes

Nga ana tjetër, në ato shtete, që promovojnë “ideologji shekullariste rrënjësore”, të cilat ua mohojnë ndjenjat fetare qytetarëve të tyre, vërtetohen “forma më të heshtura e më të stërholluara paragjykimesh e kundërshtimesh ndaj besimtarëve dhe simboleve të tyre fetare, posaçërisht kur bëhet fjalë për edukimin e të rinjve lidhur me kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes”.

Shoqëria të favorizojë hapjen ndaj transhendencës

Prelati pohoi se “një shoqëri e bazuar mbi respektimin e lirisë së fesë  e të besojmës është më e fortë, jo më e ligshtë”. Të respektosh bindjet më të thella të anëtarëve të një shoqërie, do të thotë të hedhësh bazat mbi të cilat mund të ndërtohet kultura e vërtetë e të drejtave të njeriut. Çdo shoqëri, si shprehje e njeriut dhe e tërësisë së përmasave të tij, duhet të jetojë e të organizohet në mënyrë që ta favorizojë hapjen ndaj transhendencës. Pikërisht për këtë arsye, ligjet dhe institucionet e shoqërisë nuk mund të hartohen duke e injoruar përmasën fetare të qytetarëve.

Organizatat ndërkombëtare dhe kolonizimet ideologjike

“Për fat të keq - nënvizoi përfaqësuesi vatikanas - kjo sjellje reduktuese nganjëherë perceptohet edhe në disa mjedise, agjenci e organizata ndërkombëtare, kur ideologjitë e nocionet kundërshtare, që nuk janë në vijë me instrumentet ndërkombëtare e edhe me ndjenjat e shumicës së njerëzimit, promovohen ose, çka është edhe më keq, kundërshtohen. Duke cituar Papën Françesku, prelati vërejti se mund të lindë rreziku që në emër të të njëjtave të drejta njerëzore, të krijohen format moderne të kolonizimit ideologjik të më të fortëve e më të pasurve, në dëm të më të varfërve e më të ligshtëve.

Jo, shprehjes “liri nga feja”

Një qëndrim i tillë, që haset tepër shpesh - theksoi - nuk mund të bëjë tjetër, veçse t’i dobësojë këto institucione, duke çuar në zhvleftësimin e sistemit të shumanshëm të të drejtave të njeriut, që vijon të kritikohet. Prelati shprehu, në veçanti, shqetësimin e madh të delegacionit të Selisë së Shenjtë për përdorimin, nga ana e referuesit kryesor të OKB-së, të shprehjes “Liri ‘nga’ feja”: koncept - shpjegoi - që nuk parashikohet në mjetet ndërkombëtare e që zbulon një ide paternalistike të fesë, e cila shkon përtej mandatit të referuesit të posaçëm.

Paqja, e pamundur pa respektimin e lirisë fetare

Gjithnjë duke cituar Françeskun, imzot Jurkovič pohoi me forcë se “përmasa fetare nuk është nënkulturë; është pjesë e kulturës së çdo populli dhe të çdo kombi. Të mos e përfillësh rëndësinë e fesë, ta mohosh a ta kufizosh në mënyrë arbitrare lirinë fetare, do të thotë të kultivosh një vizion të kufizuar të njeriut e, në fund të fundit, edhe ta bësh të pamundur paqen e vërtetë e të qëndrueshme të mbarë familjes njerëzore”.

Fundamentalizmi e laicizmi, kundër parimit të laicitetit

Në një fjalim tjetër, mbajtur më 1 mars, gjithnjë në sesionin e Këshillit për të drejtat e njeriut, prelati pohoi se është shumë e nevojshme të respektohet identiteti kulturor i popujve, që lidhet ngushtë me lirinë e mendimit, të ndërgjegjes e të fesë. Edhe feja - pohoi - është përmasë themelore e kulturës. Duhet pasur mirë parasysh se dallimi ndërmjet shtetit e fesë është me rëndësi të dorës së parë. Të gjesh ekuilibrin e drejtë ndërmjet fesë dhe shtetit, do të thotë që siguria e shtetit dhe e popujve të tij të mos kërcënohet nga fundamentalizmi fetar e edhe që feja të mos ngushtohet nga shekullarizmi. Në të vërtetë, siç ka thënë Benedikti XVI, “fundamentalizmi fetar dhe laicizmi janë forma spekuluese dhe ekstreme të refuzimit të pluralizmit të ligjshëm dhe të parimit të laicitetit”.

04/03/2018 16:59