2018-03-04 14:07:00

Fan S. Noli: Krishti me kamxhik


Fan S. Noli: Krishti me kamxhik

Në kështjellë t'atdheut, në tempull të fesë 
Janë shtruar sarafët') pa shpirt e pa besë, 
Tregëtojn' e gënjejnë, rrëmbejn' e sfrutojnë, 
Thon' ashtu Israelin e mbrojn' e shpëtojnë. 
 
Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë, 
Dhe shkëlqejnë në kish' e në fron me kurorë, 
Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten 
Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten. 

Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar 
Na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar; 
Nënë zgjedhë besnikët për vdekje lëngojnë, 
Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë. 
 
Çdo i shenjt' ideal, çdo shtëpi Perëndie 
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie: 
Kush fitonte më tepër, ay ishte usta, 
Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla. 
 
Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë, 
Krisht' i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë: 
Me kamçik e me fshikull sarafët i dboj, 
Dhe nga larot gjakpirës atdhen' e shpëtoj. 
 
Dhe Shën Pjetr' i gëzuar ahere i tha: 
"Ja, tani e ke nisur tamam, or usta! 
Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro, 
Dhe me forc' e pahir na çliro, na shpëto." 
 
"Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar, 
Se të marrët, të shurdhërit s'kanë dëgjuar; 
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin. 
Se shpirt-robi s'çlirohet askurrë pa drurin." 
 
Jesu Krishti s'e dëgjoj, dhe s'e mori vesh mikun. 
Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun, 
Dhe i tha: "S'e ka fajin kurrizi, po truri, 
Se lirin' e sjell drita e mëndjes, jo druri." 
 
"Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjeq, 
Se përndryshe kjo punë na del mos më keq. 
Përkëdhel' u kurrizin dhe do t' të besojnë, 
Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t'adhurojnë". 
 
Jesu Krishti s'dëgjoj, dhe s'e mori vesh mikun. 
Dhe s'u-unj përsëri që ta merrte kamçikun: 
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë, 
Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen' e atdhenë.








All the contents on this site are copyrighted ©.