2018-03-03 15:35:00

Papa Françesku cakton ditën e kujtimit të Marisë “Nënë e Kishës”


Duke vënë në jetë vendimin e Papës Françesku, me dekretin e 11 shkurtit të kaluar, kur kremtohej 160-vjetori i dukjes së parë të Zojës Lurdë, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, vendosi ta regjistrojë përkujtimin e “Së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës” në kalendarin e përgjithshëm Romak. Duke e pasur mirë parasysh rëndësinë e Misterit të amësisë shpirtërore të Marisë e cila, në pritje të Shpirtit Shenjt, në kohën e Rrëshajëve, nuk pushoi kurrë s’u kujdesuri amësisht për Kishën, shtegtare në botë, Papa Françesku vendosi që, të hënën pas Rrëshajëve, kujtimi i Marisë Nënë e Kishës të jetë i detyrueshëm për gjithë Kishën e ritit romak. Me këtë kujtim - vë në dukje dokumenti - Françesku uron që ky devocion “t’i thellojë ndjenjat amtare të Kishës në shpirtin e Barinjve, të rregulltarëve e të besimtarëve, ashtu si dhe përshpirtërinë e vërtetë mariane”.

Pali VI e deklaroi Marinë Nënë e Kishës

Dekreti nënvizon se "Maria është njëkohësisht Nënë e Krishtit, Birit të Zotit, e Nënë e gjymtyrëve të korpit të Tij mistik, domethënë, Kishës”. Vëren edhe se ky titull dëgjohej në rrethet kishtare, duke nisur nga Shën Agostini e se, në rrjedhë shekujsh, Kisha e nderoi gjithnjë Marinë me tituj pak a shumë të ngjashëm, siç e shikojmë në disa autorë e edhe në shërbesën e Benediktit XV e të Leonit XIII. Pikërisht mbi këtë bazë i Lumi Pali VI - në përfundim të seancës së tetë të Koncilit II të Vatikanit -  e deklaroi të Lumen Virgjër Mari, “Nënë e Kishës”. Më pas - lexohet në Dekret - Selia Apostolike propozoi, më 1975, një Meshë kushtore për nder të Nënës së Kishës, që u radhit edhe në Mesharin Romak. Qe miratuar,  gjatë viteve, edhe që kremtimi i “Nënës së Kishës” të vendosej në Kalendaret e veçanta të disa vendeve, si Polonia e Argjentina.

Kardinali Sarah: Maria na ndihmon për ta mbushur jetën me dashurinë e Zotit

Në një koment për këtë Dekret, kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, uron që ky kremtim, i shtrirë në mbarë Kishën, t’u kujtojë gjithë dishepujve të Krishtit se, po të duam të rritemi në fe e të mbushemi me dashurinë e Krishtit, duhet ta rrënjosim jetën tonë mbi tre realitete: Kryqin, Hosten, Virgjërën. Tre mistere - nënvizoi - “që Zoti ia dhuroi botës për ta ndërtuar, për të frytuar, për ta shenjtëruar jetën tonë shpirtërore e për të na prirë drejt Jezu Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.