Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Kreshmëve 'B'

terza domenica di Quaresima

02/03/2018 07:00

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të kohës së Kreshmëve, të ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar, duke vijuar kështu me përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Pashkëve.

Në këtë të diele të tretë të  kohës së Kreshmëve ‘B’, kisha na ofron një tregim marrë nga Ungjilli i katërt, ai i Gjonit, në lidhje me epifaninë a dëftimin e parë të Jezusit në Jerusalem, në fillim të shërbesës së tij publike. Episodi nis me shënimin "Po afroheshin Pashkët e Judenjve ", festë që Izraeli kremton çdo vit të hënën e plotë të pranverës, si përkujtim i eksodit nga Egjipti, përkujtim i veprimit shpëtimprurës përmes të cilit Zoti e formoi popullin e tij të shenjtë, duke e liruar nga skllavëria për t'a çuar në tokën e lirë. Ky saktësim i përkohshëm në lidhje me ngjitjen e Jezusit në Jeruzalem do të përsëritet edhe dy herë në Ungjill (shih Gjon 6,4, 11,55). Është një detaj me një kuptim të thellë, sepse çdo herë festa e Pashkëve merr nga veprimi dhe fjalët e Jezusit një kuptim më të plotë, deri në zbulimin e Tij si Qengj i Pashkëve vdekur në vigjiljen (natën) e Pashkës, që inauguron Pashkët e shpëtimit përfundimtar dhe universal.

Nga liturgjia e Fjalës së Zotit, posaçërisht nga fragmenti i Ungjillit të Gjonit,pra, mësojmë se "Pashka e Judenjve po afrohej dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem". Pashkët po afrohen edhe për ne e Liturgjia e Fjalës së Zotit na bashkon edhe një herë me grupin e dishepujve që shoqërojnë Jezusin. Gjoni ungjilltar nuk mjaftohet me prezantimin e Jezusit, si profetët e lashtë, që na thërrasin për adhurimin e kultit të vërtetë; ai shkon edhe matej dhe pohon se Jezusi - se pikërisht Krishti i vdekur dhe i ngjallur - është tempulli i vërtetë i Hyjit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit kësaj së diele hapet me prezantimin e "dhjetë fjalëve" (Dhjetë Urdhërimeve) të Besëlidhjes së Vjetër; këto ishin fjalët e para që i dëgjonin izraelitët dhe në një farë mënyre përbënin themelin e besimit të tyre. Në Bibël shkruhet: “Gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd” (Dal. 20, 8-9). Ky është një fragment nga Libri Daljes, që përfshin edhe tregimin në të cilin përshkruhet sesi Zoti i dorëzoi Izraelit Dhjetë Urdhërimet. Pikërisht kjo faqe kumtohet në Leximin I të liturgjisë së Fjalës së Zotit këtë të Diele të Tretë të kohës së Kreshmëve. Dekalogu është  konfirmimi i lirisë së fituar. Dhjetë Urdhërimet po t’i shikojmë thellë, janë mjet që Zoti na jep për të mbrojtur lirinë tonë, si nga kushtëzimet e brendshme të pasioneve, ashtu edhe nga padrejtësitë e jashtme të atyre që kanë qëllime të këqija.   

Krishti dhe Kryqi i tij, misteri më i lartë i dashurisë hyjnore , na kujton liturgjia e Fjalës, në të dielën e tretë të Kreshmëve, posaçërisht predikimi i Shën Palit për këtë dashuri, e cila fiton mbi çdo kundërshtim njerëzor, duke e bërë të mundur deri faljen e dashurinë për armiqtë, siç pohon Leximi II i kësaj së diele nga Letra Parë e apostullit drejtuar Korintianëve.

Ky është hiri i Ungjillit, i aftë ta shndërrojë botën; e ky është hiri që mund ta përtërijë çdo person, sepse prej tij buron një forcë e pakundërshtueshme paqeje e pajtimi të thellë, rrënjësor. Kisha, pra, nuk ka synime ekonomike, shoqërore e politike, Kisha kumton Krishtin, e sigurt se Ungjilli mund të prekë zemrat e të gjithëve e t’i shndërrojë, duke i rinuar kështu nga brenda, njerëzit dhe shoqërinë.

                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 20,1-17

Në planin e tij të dashurisë, Hyji zgjedh Moisiun për t’i shpallur ligjin e tij popullit të zgjedhur dhe për të lidhur me të besëlidhjen. Dhjetë urdhërimet kanë vulën e Hyjit, sidomos në fillim kur kujtohet fuqia dhe nisma e Hyjit drejt popullit të tij. Hyji që ka liruar Izraelin kërkon bindje dashurie ndaj ligjit që do të bëhet i përsosur me ardhjen e Krishtit.  

Lexim prej Librit të Daljes

Atëherë Zoti i tha popullit nëpërmjet të Moisiut të gjitha këto fjalë: “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë. Mos ki tjetër zot, përveç meje. Mos bëj kurrfarë idhulli as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.

Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.

Nderoje babën tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti Hyji yt. Mos vraj! Mos bëj kurorëthyerje! Mos vidh! Mos bëj dëshmi të rrejshme kundër të afërmit tënd! Mos e lakmo shtëpinë e të afërmit tënd. Mos e lakmo gruan e tij, shërbëtorin, shërbëtoren, as kaun, as gomarin, asnjë gjë që i përket atij. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Psalmi 19

Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur

I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

 

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë,

dritë u jep syve.

 

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha një të drejta.

Më të çmueshme se ari,

se më i pastri ar, më të ëmbla se mjalti,

se hoja që rrjedh mjaltë.

 

Leximi i dytë 1 Kor 1, 22-25

Hebrenjtë donin një Hyj që të zgjidhte problemet e tyre me anë të mrekullive; por mbi kryq Krishti hesht. Grekët donin një Hyj që të dërgonte harmoni në univers; dhe Krishti zgjedh vuajtjen dhe vdekjen. Si për të parët ashtu edhe për të dytët Jezu Krishti është një skandal. Por për atë që beson Krishti është fuqia dhe dija e Hyjit.

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve 

Vëllezër, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar – për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj si për grekë – Krishtin, fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit; e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar! Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, ta ketë jetën e pasosur.Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 2, 13-25

Jezusi duke dëbuar tregtarët nga tempulli, shpall fundin e ligjit, të tempullit dhe të flisë. Pas ringjalljes së tij paraqet vetveten, trupin e tij të lavdishëm si tempulli i vërtetë i Hyjit. Ringjallja do ta bëje trupin e tij banesën e Shpirtit Shenjt. Jezusi vetë do të jetë prania e Hyjit për të gjithë gjithmonë dhe kudo. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe thyes të të hollash duke ndenjur aty. Atëherë e punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Thyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. Shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!” Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrim shenjt: “Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”

Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën: “Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?” Jezusi u përgjigj: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!” “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli – i përgjigjën judenjtë – e ti do ta ndërtosh për tri ditë?” Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit shenjt dhe fjalës që tha Jezusi.

Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në emrin e tij, kur panë shenjat që bëri. Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë. Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

02/03/2018 07:00