2018-03-02 14:00:00

Kreshmët, Cantalamessa: armiqësia kundër besimtarëve në shoqërinë e shekullarizuar


Shenjtëri e krishterë do të thotë “ngjasim” me Krishtin e “bashkim i përkryer” me Zotin. U nis nga ky koncept, atë Raniero Cantalamessa në predikimin e dytë të Kreshmëve, mbajtur në Kapelën e “Nënës së Shëlbuesit”, në Vatikan. Të pranishëm, Papa dhe Kuria Romake. Predikatari i Shtëpisë papnore vijoi kështu, reflektimin me temë: “Rivishuni me Zotin Jezu Krisht” (Rom 13,14), shenjtëria e krishterë në nxitjen e Shën Palit”, duke u ndaluar tek kuptimi i dashurisë së krishterë.

Virtytet e krishtera

Lidhur me Letrën drejtuar Romakëve, atë Cantalamessa vëren sesi Shën Pali i nënvizon të gjitha virtytet kryesore të krishtera, të cilat i quan edhe “frytet e shpirtit”: shërbimin, dashurinë e krishterë, bamirësinë, përvujtërinë, bindjen, pastrinë”. Predikatari u ndalua posaçërisht tek dashuria, e parë si “gurrë e të gjitha virtyteteve”, që shndërrohet në gëzim e në paqe.  Apostulli i Popujve saktëson: “Dashuria nuk di të shtiret, domethënë - shton atë Cantalamessa -  është pa pikë hipokrizie, e vërtetë, jo  e rreme”. Buron drejt nga zemra, e, sipas mësimeve të Jezusit, zemra është vendi  ku vendoset vlera e veprimeve të njeriut:

“Mund të flasim për një intuitë të Shën Palit lidhur me dashurinë; ai arrin të zbulojë, prapa universit të dukshëm e të jashtëm të dashurisë, që përbëhet nga veprat e fjalët, një univers tjetër, krejtësisht shpirtëror që, në krahasim me të parin, është si shpirti për korpin”.

Dashuria, rrënja e themeli i çdo gjëje

Dashuria - citoi  Shën Palin kapuçini -  është zemërgjërë, është e dhimbshme dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet  të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. “Dashamirësia - nënvizoi predikatari - vjen para bamirësisë”. Shën Pali shpjegon se akti më i madh i dashurisë, “ndarja e të gjitha pasurive ndërmjet të varfërve”, nuk do të vlente aspak, pa dashurinë shpirtërore. Madje do të ishte në kundërshtim me dashurinë e sinqertë. Do të ishte dashuri hipokrite! E dashuri hipokrite - shtoi atë Cantalamessa - do të thotë të bësh mirë, pa dashur mirë, për sytë e botës,   jo me gjithë zemër. Dashuri vetëm për t’u dukur, pas së cilës fshihet egoizmi, kërkimi i vetvetes, manipulimi i vëllait, ose thjesht, brerja e ndërgjegjes: “Shën Pali dëshiron që të krishterët të rrënjosen në dashuri, që dashuria  të jetë rrënja e themeli i të gjitha sendeve”.

Kur duam “nga gjithë zemra”, do të thotë se duam si vetë Zoti, me dashuri të dikuar në zemrën tonë nga Shpirti Shenjt, që kalon përmes nesh. Të bëhesh “pjesëmarrës në natyrën hyjnore, do të thotë të bëhesh pjesëmarrës edhe në veprimin hyjnor për të dashur, sepse vetë Zoti është dashuri”.

Të krishterët, të shikuar si trupa të huaj në shoqëri

Shën Pali Apostull tregon, më pas, se dashuria e sinqertë duhet vënë në jetë, në situatat e jetës së bashkësisë. Bashkësia e krishterë e Romës – vëren atë Cantalamessa - ishte një ishull i vogël në detin armiqësor të shoqërisë pagane: “E dimë - vijoi predikatari - sesa i fortë është, në rrethana të tilla, tundimi për t’u mbyllur në vetvete, për të zhvilluar ndjenjat elitare të një pakice të shpëtuarish, në botën e humburve”.

“Situata e bashkësisë së Romës, e përshkruar nga Shën Pali, përfaqëson, në miniaturë, situatën akutuale të mbarë Kishës. E nuk po flas për persekutimet e martirizimin  e vëllezërve tanë në shumë vende të botës; po flas për armiqësinë, për refuzimin e shpesh edhe për përbuzjen e thellë, me të cilën shikohen jo vetëm të krishterët, por të gjithë ata, që besojnë në Zotin  - të gjithë besimtarët - në një shoqëri të shekullarizuar, posaçërisht në disa shtresa të kësaj shoqërie, që ndikojnë më shumë: ato të medias, të financës e të kulturës. Besimtarët konsiderohen si mish i huaj në shoqërinë e teknologjizuar, të zhvilluar.

Sundimi i Krishtit

Do kuptuar - vijoi predikatari - ç’qëndrim duhet mbajtur përballë një shoqërie që, në tërësinë e saj, nuk e pranon Krishtin. Duhet pasur mëshirë e duhet vuajtur për të, duke e marrë mbi vete para Zotit, ashtu si Jezusi, që na mori të gjithëve mbi vete para Atit, me mëshirë të pakufishme. Përsa i takon sjelljeve brenda bashkësisë, Shën Pali këshillon tre kritere: të veprohet në përkim me ndërgjegjen, të respektohet ndërgjegjja e tjetrit e të mos gjykohet vëllai, duke e shmangur rrezikun e krijimit të shkandullit. Këtyre u shtohet dhe një kriter tjetër, universal, absolut, ai i sundimit të Krishtit!








All the contents on this site are copyrighted ©.