Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 36

Përkrenarja e Skënderbeut

02/03/2018 14:12

Me vdekjen e Gjergj Kastriotit, edhe emisionet e rubrikës sonë, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, i afrohen fundit.

Në emisionin e 35-të u ndamë nga Gjergji në shtratin e vdekjes, duke i lënë të birit, Gjonit, amanetet e mbrame. E, si i kreu, përkuli kokën mbi jastek, duke iu shtruar vullnetit të Zotit, ashtu si e përkulën e iu shtruan vullnetit të të Gjithëpushteshmit, Mjeshtrat e mëdhenj të mbrojtjes së Perëndimit të krishterë: Papa Eugjeni IV, Papa Nikolla V, Papa Kalisti III, Huniadi i Transilvanisë, Papa Piu II. Ishte data 17 janar 1468, kur Kryetrimi i mbylli përgjithmonë sytë. Mbarë krishterimi, i pushtuar nga dhimbja, e qau me lot, ndërsa Papa, Mbreti i Napolit, Republika e Venedikut dhe Raguza, e nderuan solemnisht kujtimin e  Luanit të Krujës.

Shqiptarët e të gjitha trojeve të Shqipërisë, të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Greqisë e të Italisë, ia mbajtën gjatë zinë e, për t’ia përjetësuar kujtimin, nisën t’i këndojnë gjestet e tij legjendare. E të thurin gojëdhëna për bëmat e tij.

E akoma sot, pas pesë shekujsh, malësorët e Shqipërisë së Veriut i kanë mbi tírq, shenjat e zisë. Zi shumëshkullore, ashtu si e meritonte një Prijës i pëmasave legjendare.

Kur vdiq Kastrioti, edhe Mehmeti II shprehu mendimin e tij: ishte një gjykim  historik për personalitetin e Prijësit shqiptar. Tha sulltani: “Po të mos kish lindur Skënderbeu, do ta kisha ‘martuar’ gjirin adriatik me Republikën e Venedikut, do të kisha vënë çallmën mbi kokën e Papës e gjysëmhënën, mbi kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit. 1 Mbi atë kupolë mikelanxholeske, ku Kryqi, simbol i krishterimit, vijon edhe sot e kësaj dite të puqet me qiellin, duke i kujtuar botës së krishterë e edhe asaj islame, se nuk mund ta nënshtrojë sulltan as mbret! Veç Mbretit të gjithësisë!

Njëherësh me këtë gjykim, që nuk e përfillte pushtetin hyjnor e as atë njerëzor të krishterimit, Mehmeti II pati brohoritur: “Më në fund Evropa e Azia janë të miat! Mjerë krishterimi, që humbi  shpatën e mburojën!”.

E megjithatë, edhe pa shpatë e pa mburojë, Evropa qëndroi e Shqipëria, edhe pa kryetrimin, nuk iu përkul krejtësisht pushtuesit, duke marrë nga kujtimi i Heroit, forcën për të rezistuar, për të ruajtur gjuhë e kombësi, për të mos u islamizuar!

Papa Pali II, që pati qarë kur mori vesh vdekjen e Kastriotit, nuk e harroi këtë popull heroik.

Millosovich na thotë se Papa Pali II e vijoi përpjekjen për ta mbrojtur Shqipërinë edhe pas vdekjes së Skënderbeut: “Në ditën  e Pastrimit të Marisë, më 1468, botoi një thirrje  për paqe, drejtuar shteteve italiane, gjithnjë të zëna me ngatërresa, duke emëruar Bartolomeo Colleoni-n  kryegjeneral i të krishterëve në luftën kundër turqve në Shqipëri, me rrogë prej 100 mijë fiorinash.2

Më pas, më 25 prill 1468, Pali II botoi një bulë, me të cilën i ftonte edhe një herë krerët e shteteve të pajtoheshin, sepse kërcënimi turk mbetej gjithnjë në këmbë. U kujtoi edhe një herë të gjithëve përpjekjet e tij të përsëritura për të vendosur paqen në Itali ndërsa shteteve, që vijonin grindjet, u caktoi një afat prej 30 ditësh për të vendosur paqen. 3

Përveç kësaj, pa pushuar për asnjë çast përpjekjet, thirri në Romë Perandorin  Federiku III, për të konkretizuar përgatitjet e luftës kundër turkut. A do ta zëvendësonte Federiku Skënderbeun? Ngjarjet, që pasuan, treguan se Gjergj Kastriot vështirë se mund të lindte më nëna!

 

 1 Anonim, Historia e Skëndxerbeut, fq 85

2  Millosovich F., vep.cit, fq. 59.

3 gegaj, vep. cit, fq 151

02/03/2018 14:12